Njerëzit janë si devetë…

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 3 minuta lexim

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Njerëzit janë si devetë…

Na përcillet nga Abdullah ibn Omeri (radijallahu anhuma), se i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Njerëzit janë si devetë, në njëqind të tilla nuk gjen dot një që të mund t’i hipësh.” (Buhariu & Muslimi)

Ky hadith tregon një realitet dhe përmban gjithashtu një udhëzim të dobishëm. Për sa i përket realitetit Profeti (alejhi salatu ue selam) na tregon se natyra e mangët është ajo që prek shumicën e njerëzve, dhe se njerëzit e plotësuar janë të pakët, njëlloj si në një tufë të madhe me qind deve. Nëse kërkon në mes njerëzve dikë që vlen për mësimdhënie, fetvadhënie, lider,  apo për t’i dhënë poste përgjegjësie, të madh apo të vogël, apo funksione të rëndësishme, gati nuk do të mund të gjesh mes tyre dikë që ta kryejë atë siç duhet. Dhe kjo është realitet, sepse njeriu në përgjithësi është i padrejtë dhe i paditur, dhe padrejtësia e padituria janë mangësi që pengojnë njeriun të jetë i plotë.

Për sa i përket udhëzimit, ky hadith përmban udhëzim nga Profeti (alejhi salatu ue selam) për mbarë umetin që ata të përpiqen në përgatitjen e njerëzve të aftë për të përballuar përgjegjësi të rëndësishme dhe funksione që mbartin rëndësi publike. Vetë Allahu ka udhëzuar në këtë gjë kur thotë: “Nuk është mirë që besimtarët të shkojnë në luftë të gjithë njëherësh, por prej çdo bashkësie, një grup të mbetet mbrapa, që të thellohet në mësimin e fesë dhe kështu të këshillojë popullin e vet mbasi të kthehet nga lufta, që t’i frikësohet Allahut.” (Teube:122) Në këtë ajet Zoti urdhëron që ata të cilët shkojnë në luftë duhet të jetë një grup i mjaftueshëm njerëzish, në mënyrë që pjesa tjetër të merret me dije duke ndihmuar kështu njeri-tjetrin. Urdhri i Allahut për mbajtjen e përgjegjësive publike kërkon emërimin e njerëzve të duhur që duhet të plotësojnë kriteret për të qenë të plotë. Njerëzit kanë nevojë të domosdoshme për poste që do të mbartin përgjegjësitë fetare dhe ato jofetare, sepse këto janë nevoja jetike për ta. Dhe këto nevoja nuk mund të përmbushen vetëm nëse në krye të këtyre punëve vihen njerëzit e duhur dhe të aftë për to dhe natyrisht që kjo gjë kërkon punë që këto cilësi të arrihen, kuptohet për aq sa kjo është e mundur, Allahu thotë në Kuran: “frikësojuni Allahut sa të mundeni” (Tegabun:16)

Shkëputur nga “Behxhetu Kulubul Ebrar” të Shejh Abdurrahman Sadi, fq. 255-256