Agjërimi përtej Ramazanit
Nga hoxhë: Migen Matraku
Ramazani është muaji i përkushtimit dhe i agjërimit. Në të besimtari forcon veten e tij në devoshmëri, për këtë temë dhe ajetet e Kuranit vijnë të tilla në Suren Bekare duke filluar me fjalët: (O ju që besuat, ju është bërë detyrë agjërimi siç ju ishte bërë detyrë dhe atyre që ishin para jush, që ju të jeni të devotshëm).(Bekare:183)
Për këtë gjë agjërimi i Ramazanit ka qenë gjithmonë një lloj retrospektive dhe ushtrimi për muslimanin në durimin, moralin dhe diturinë e tij, gjëra të cilat e shoqërojnë atë gjatë gjithë jetës së tij.
Po kështu vijnë dhe hadithet e Profetit alejhi salatu ue selam duke shpjeguar kuptimin edukues të agjërimit. Prej këtyre haditheve përmendim transmetimin e Ebu Hurejres radijallahu anhu nga Profeti alejhi salatu ue selam i cili thotë: Ai i cili nuk largohet prej fjalëve e punëve të keqja dhe injorancës, ta dijë se Allahu nuk ka nevojë që ai të lërë ngrënjen dhe pijen. (Buhari:1903,6057) . Po kështu vjen dhe hadithi tjetër i Ebu Hurejres radijallahu anhu ku Profeti alejhi salatu ue selam thotë: Kur të jeni të agjërueshëm gjatë ditës mos flisni gjëra të pista e të ulta dhe nëse dikush ju ofendon apo ju godet, thoni: unë jam agjërueshëm. Po në këtë temë transmeton Buhari dhe Muslimi prej Abdullah inbu Mes’udit se Profeti alejhi salatu ue selam thotë: Nëse keni mundësi të martoheni, martohuni e nëse jo, atëherë agjëroni, sepse agjërimi është përulësi.
Po kështu agjërimi vjen dhe si shlyerje ndaj gjynaheve siç thuhet në hadith: Sprovat që njeiu kalon me familjen, pasurinë dhe fqinjët e tij i shlyen namazi, agjërimi dhe sadekaja.
Prej rëndësisë që ka ky adhurim Allahu xh.sh. i ka përgatitur agjëruesve një derë të veçantë për ta në Xhenet të quajtur Rejan. Siç transmeton Buhariu dhe Muslimi prej Sehl ibnu Sa’ad radijallahu anhu se Pejgamberi alejhi salatu ue selam ka thënë: Në Xhenet është një derë e quajtur Rejan, prej saj do të hynë Ditën e Gjykimt vetëm agjëruesit dhe askush tjetër veç tyre. Një zë do thërrasi: Ku janë agjëruesit? Dhe ata do të drejtohen drejt saj e do të futen e prej asaj dere nuk futet vetëm se ata (agjëruesit), e kur të hynë të gjithë agjëruesit ajo derë do të mbyllet e nuk ka për të hyrë në të askush. Ndërsa në transmetimin e Buhariut hadithi vjen me këtë tekst: Xheneti ka tetë dyer. Njëra prej këtyre tetë dyerve quhet Rejan prej së cilës nuk do të futen vetëm se agjëruesit.
Pra agjërimi është edukim për muslimanin në jëtën e tij. Është ndihmë për të në ato momente kur do të kontrollojë dhe nënshtrojë egon e tij. Po kështu agjërimi është në një pozitë të lartë tek Allahu dhe ky adhurim bën që të hapet për shkak të tij një prej dyerve të Xhenetit.
Nëse themi se agjërimi i detyrueshëm është në muajin e Ramzanit, kjo do të thotë se jashtë tij agjërimi është i lejuar përveç dy ditëve të Bajrameve dhe ditës së dyshimit (dita pararendëse e muajit Ramazan). Është i papëlqyeshëm në ditët e teshrikut (dita e dytë, e tretë dhe e katërt e Bajramit të Kurbanit). Po kështu është i papëlqyeshëm agjërimi i ditës së Premte apo të Shtunë të vetme pa i shoqëruar ato me një ditë tjetër, qoftë para apo pas tyre.
Agjërimi jashtë Ramazanit ndahet në dy pjesë:
Agjërim vullnetar dhe agjërim i detyruar.
Së pari: Agjërimi vullnetar:
Ky lloj agjërimi bën pjesë tek ato adhurime të cilat janë shlyese të gabimeve siç e shohim këtë gjë dhe në hadithin e lartpërmedur të Hudhejfes : Sprovat që njeiu kalon me familjen, pasurinë dhe fqinjët e tij i shlyen namazi, agjërimi dhe sadekaja. Dhe në sahihun e Muslimit në hadithin e Ebu Katade El-Ensarit radijallahu anhu ku Pejgamberi alejhi salatu ue selam është pyetur për vlerën e agjërimit të ditës së Arafatit dhe ai thotë: Shlyen gabimet e vitit të kaluar dhe vitit që do të vijë. Po kështu është pyetur për agjërimin e ditës së Ashures dhe ai thotë: Shlyen gabimet e vitit të kaluar.
Në hadithin e transmetuar nga Buhari e Muslimi prej Ebu Seid El-Hadrij radijallahu anhu ku ai thotë: Pejgamberi alejhi salatu ue selam ka thënë: Çdo besimtar që agjëron një ditë në rrugë të Allahut (për hir të Allahut), Allahu prej kësaj vepre do e largojë fytyrën e tij nga zjarri i Xhehenemit shtatëdhjetë vjeshta (vjet). Në hadithin e transmetuar nga Tirmidhiu prej Ebu Umames radijallahu anhu se Pejgamberi alejhi salatu ue selam ka thënë: Kush agjëron një ditë në rrugë të Allahut (Për hir të Allahut) Allahu do bëj midis tij dhe zjarrit një hendek të gjerë aq sa është gjerësia midis tokës dhe qiellit.
Llojet e agjërimit vullnetar:
a- Agjërimi i pacaktuar.
Transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi prej Enesit radijallahu anhu i cili thotë se Pejgamberi alejhi salatu ue selam e linte agjërimin gjatë një muaji aq sa mendonim se nuk do të agjërojë më prej atij muaji e në kohë tjetër agjërontë aq shumë san e mendonim se nuk do ta lërë agjërimin asnjë ditë. Po kështu transmetohet nga Buhariu e Muslimi në hadithin e Ibnu Abasit radijallahu anhuma ku thotë: Pejgamberi alejhi salatu ue selam asnjëherë nuk ka agjëruar një muaj të plotë përveç se muajin e Ramazanit. E kur agjëronte e vazhdonte agjërimin deri sa thonim: për Allahun nuk do e lërë më, e kur nuk agjëronte e linte atë deri sa thonim: për Allhun nuk do agjërojë më.
b- Agjërimi i caktuar.
1-agjërimi i ditës së Ashures: Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Musa El-Esh’arij radijallahu anhu i cili thotë: Dita e Ashures ka qenë ditë e shenjtë për hebrenjtë dhe ata e festonin atë ditë, ndërsa neve Pejgamberi alejhi salatu ue selam na tha: Ju agjërojeni këtë ditë. Në transmetimin e Muslimit Ibnu Abasi radijallahu anhuma thotë: Kur Pejgamberi alejhi salatu ue selam e agjëroi ditën e Ashures e u tha dhe të tjerëve ta agjëronin atë ditë disa prej të pranishmëve i thanë: o i Dërguari I Allahut, kjo ditë është e shenjtë për hebrenjtë dhe të krishterët! Pejgamberi alejhi salatu ue selam u tha: Nëse do e arrijmë vitin që vjen do ta agjërojmë bashkë me ditën e nëntë. E viti që pasoi ishte viti ku Pejgamberi alejhi salatu ue selam vdiq.
2- agjërimi i ditës së Arafatit: Transmeton Muslimi nga Ebu Katade radijallahu anhu i thotë: është pyetur Pejgamberi alejhi salatu ue selam për vlerën e agjërimit të ditës së Arafatit dhe ai tha: Shlyen gabimet e vitit të kaluar dhe vitit që do të vijë. Po kështu është pyetur për agjërimin e ditës së Ashures dhe ai tha: Shlyen gabimet e vitit të kaluar.
3-agjërimi i gjashtë ditëve në muajin Sheual: Transmeton Muslimi nga Ebu Ejub El-Ensarij radijallahu anhu se Pejgamberi alejhi salatu ue selam ka thënë: Ai që agjëron Ramazanin dhe më pas atë e pason me agjërimin e gjashtë ditëve të Sheualit do të jetë për të (në shpërblim) sikur të tekë agjëruar të gjithë jetën.
4-agjërimi i dhjetëditëshit të parë të muajit Dhul Hixhe: Transmeton Ebu Dauti dhe Nesaiu prej Hunejd ibnu Halid se një grua shkoi tek Umu Seleme (gruaja e Pejgamberit alejhi salatu ue selam) dhe ndëgjoi atë që thonte: I Dërguari i Allahut alejhi salatu ue selam agjëronte nëntë ditët e para të Dhul Hixhes dhe tre ditë të çdo muaji: të hënën e parë të muajit dhe dy të enjte. Transmetohet nga Buhariu prej Ibnu Abasit radijallahu anhuma se Pejgamberi alejhi salatu ue selam ka thënë: Ditët që Allahu i do më shumë punët e mira janë këto ditë (dhjetë ditët e Dhul Hixhes). I thanë: o i Dërguari i Allahut, dhe xhihadi në rrugë të Allahut? Tha: Dhe xhihadi në rrugë të Allahut, përveç atij i cili shkon në luftë me pasurinë e tij e nuk kthehet prej saj (bie dëshmor).
5-agjërimi i muajit Muharrem: Transmeton Muslimi prej Ebu Hurejres radijallahu anhu se Pejgamberi alejhi salatu ue selam ka thënë: Agjërimi më i mirë mbas Ramazanit është agjërimi i muajit Muharrem dhe namazi më i mirë mbas farzit është namazi i natës.
6-agjërimi i muajit Shaban: Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Aishe radijallahu anha e cila ka thënë: I Dërguari i Allahut Brenda nje muaji më së shumti agjëronte në Shaban, aq sa ai e agjëronte atë pothuajse të gjithin. Transmeton Nesaiu prej Usame ibnu Zejdit radijallahu anhu i cili thotë: I thashë të Dërguarit të Allahut sal’lallahu alejhi ue selem: o i Dërguari i Allahut, të shoh që më shumtë agjëron në Shaban se sa gjatë muajve të tjerë. Tha: Ky muaj është i neglizhuar prej njerëzve duke qenë se është midis Rexhebit e Ramazanit. Ky është muaji që veprat tona ngrihen tek Zoti i gjithësisë dhe dua që kur të ngrihen punët e mia tek Zoti të jem i agjërueshëm.
7-agjërimi i ditëve javore: Transmeton Nesaiu, Tirmidhiu dhe Ibnu Maxheh prej Aishes radijallahu anha se i Dërguari i Allahut alejhi salatu ue selam agjëronte ditën e hënë dhe ditën e enjte.
8-agjërimi i ditëve të bardha të çdo muaji: Transmeton Nesaiu prej Melhan i cili thotë se i Dërguari i Allahut alejhi salatu ue selam na urdhëronte të agjëronim ditët e bardha të trembëdhjetën, të katërmbëdhjetën dhe të pesëmbëdhjetën (të muajit hënor). Tha: Agjërimi i tyre është si të agjërosh pa ndërprerje.
Së dyti: Agjërimi i detyrueshëm:
Ky është agjërimi të cilin muslimani e ka për detyrë që ta veprojë. Shpërblehet nëse e bën dhe dënohet nëse nuk e bën, është detyrë ta bëjë përsëri nëse e prish (agjërimin) ose ha në atë ditë. Ky është agjërimi i cili ka si kusht që nijeti të bëhet para agimit, nuk ka kusht të tijin lejen e burrit e as të ndonjë tjetri. Ky agjërim është në disa lloje:
- Agjërimi Kaza (kur i ka kaluar koha). Allahu xh.sh. thotë: (Këto janë ditë të kufizuara e nëse ndokush prej jush është i sëmurë apo në udhëtim ta zëvendësojë (agjërimin) në ditët e mëvonshme)-Bekare:184. Po kështu dhe femrat të cilat janë me menstruacione apo janë lehona në ditët e Ramazanit, i lejohet ta zëvendësojë atgjërimin e këtyre ditëve më vonë. Lejohet që këto ditë t’i zëvendësojë në atë stinë kur dita është më e shkurtër dhe më e freskët. Lejohet që këto ditë të agjërohen njëra pas tjetrës ose dhe të veçuara.
- Agjërimi i zotimit. Kjo ndodh kur besimtari zotohet të veprojë një adhurim në mënyrë vullnetare. Siç thotë Allahu në Kuran: Kujto kur gruaja e Imranit tha: “Zoti Im, unë Ty ta kam kushtuar atë që është në barkun tim, që të të shërbejë vetëm Ty; andaj, pranoje prej meje! Se Ti, me të vërtetë, dëgjon dhe di çdo gjë.” (Ali Imran:35). Në një ajet tjetër Allahu i ka lavdëruar ata të cilët e çojnë zotimin e tyre deri në fund: Ata e zbatojnë premtimin dhe i frikësohen Ditës (së Kiametit), tmerri i së cilës përhapet gjithkund. (Insan:7).
Së treti: Agjërimi për shpagim:
Shpagimi në fenë e Allahut (Islamin) bëhet: duke liruar robërit, duke agjëruar ose duke ushqyer apo veshur të varfërit.
Shpagimin e mardhënjeve në ditë të Ramazanit apo vrasjes apo Dhiharit (kur e konsideron gruan në një moment sikur të jetë si nëna, motra apo vajza) duhet që ta bëjmë me atë që është në radhë i pari: lirimi i robit. Nëse nuk ka mundësi që ta kryej këtë lloj shpagimi, atëherë kalojmë në llojin e dytë të shpagimit që është agjërimi i dy muajvë të pa ndërprerë në asnjë ditë nga dita e parë e deri tek dita e gjashtëdhjetë.
Ndërsa për shpagimin e betimit kemi mundësi të zgjedhim midis lirimit të robit dhe ushqyerjes së dhjetë të varfërve, nëse nuk kemi mundësi të veprojmë një nga këto të dyja, atëherë kalojmë tek agjërimi i tre ditëve. Siç thotë Allahu në Kuran: Allahu nuk ju ndëshkon për betimin që e bëni pa qëllim, por ju ndëshkon për betimin e bërë me qëllim. Larja e gjynahut për thyerjen e betimit është: ushqyerja e dhjetë të varfërve me mesataren e ushqimit të familjes suaj ose t’i vishni ata, ose të lironi një skllav. Ai që nuk gjen mundësi për këto, le të agjërojë tri ditë. Kjo është shlyerja për thyerjen e betimeve tuaja, nëse betoheni. Mbani betimet tuaja! Kështu jua shpjegon Allahu Fjalët dhe ligjet e Veta, që të jeni mirënjohës. (El-Maide:89).
Dijetarët kanë vënë kushte për agjërimin e shpagimit:
a-Nijeti. Nuk lejohet të agjërosh për shpagim nëse nuk e ke bërë nijetin para agimit, sepse ky është agjërim i detyruar.
b-Tetabu’u. Agjërimi i këtyre ditëve njëran pas tjëtrës pa ndërprerje tek shpagimi i Dhiharit, mardhënjeve në ditët e Ramazanit apo vrasjes. Duhet që këtë agjërim të bëhet pa ndërprerje nga dita e parë e deri tek e gjashtëdhjeta e nëse ndalon agjërimin në ditën e pesëdhjetë e nëntë atëherë detyrohesh që ta fillosh këtë agjërim nga e para, pra nga dita e parë. Në këtë kusht nuk hyn agjërimi për shpagimin e betimit.
Falenderimi i takon Allahut Zotit të gjithësisë dhe salavatet I dërgojmë për më të mirin e njërzisë, për imamin e Pejgamberëve, për të dashurin e zemrave tona, për Muhamedin alejhi salatu ue selam, për familjen e tij e për gjithë shokët e tij.