A ka bërë kufër ai musliman i cili thotë se ka ikur koha e misvakut s’kemi pse e përdorim më?

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 3 minuta lexim

Pyetje:

A ka bërë kufër ai musliman i cili nuk e preferon përdorimin e misvakut dhe thotë se ka ikur koha e misvakut s’kemi pse e përdorim më?

Përgjigje:

Së pari duhet të kuptojmë që përdorimi i misvakut për pastrimin e dhëmbëve ka qenë një traditë e njohur e Profetit (alejhissalatu uesselam), andaj dhe mes transmetimeve të shumta për misvakun në një hadith ai thotë: “Misvaku është pastrim për gojën dhe kënaqësi për Zotin.” Transmetoi Buhariu.

Kështu që mohimi i një argumenti fetar ajet ose hadith qoftë, pasi i është bërë e qartë ekzistenca e tij është kufër, mosbesim. Mirëpo prej parimeve të fesë islame është që të mos nxitohemi në gjykime dhe mos t’i shohim gjërat ngushtë, sepse në pamje të parë, mospreferenca e përdorimit të misvakut mund të duket si mohim, por është qëllimi ai që e përcakton çështjen e më pas vjen gjykimi.

Në rastin tonë nëse dikush thotë se ka ikur koha e misvakut, duke pasur për qëllim që misvaku është thjesht një mjet për pastrimin e gojës dhe të dhëmbëve që është përdorur në atë kohë në pamundësi të përdorimit të brushës, pastës së dhëmbëve dhe formave të tjera të cilat njihen sot, atëherë kjo nuk ka lidhje më kufrin as me mohimin. Pra nëse ai zëvendëson një mjet me një tjetër që e shikon më të mirë për të kryer të njëjtën normë apo rregull fetar siç është pastrimi i dhëmbëve dhe i gojës për të fituar kënaqësinë e Zotit atëherë kjo nuk ka lidhje me mohimin, përkundrazi ai njeri shpërblehet. Sidoqoftë vlera e misvakut si traditë profetike por edhe si dobi shëndetsore nuk mund të hidhet poshtë me pretendimin se kemi edhe mjete të tjera më moderne. Andaj themi që pastrimi i gojës dhe i dhëmbëve nëpërmjet mjeteve të njohura bashkohore duke mos anashkaluar edhe përdorimin e misvakut si një traditë profetike është më e mira e mundshme.