nga hoxhë Justinian Topulli
Në fillim të këtij viti u përkujtua 100 vjetori i Kongresit të Lushnjës. Në ato ditë pata shkruar për deformimin që i është bërë himnit të Kongresit të shkruar nga patrioti dhe kleriku Ferid Vokopola, ku fjala Zot është hequr nga teksti origjinal, gjë që ka prishur edhe rimën e vargut më pas. E tillë, e pakorrigjuar, për të ardhur keq, kjo këngë është bërë tashmë himn i qytetit të Lushnjës, ndërkohë që himnit kombëtar me vendim zyrtar i janë kthyer vargjet ku përmendet Zoti, të cilat ishin hequr gjatë regjimit komunist.
Ndërkohë këtë shtator që vjen do të rikujtohet një tjetër ngjarje historike që ka ndodhur 100 vjet më parë, dhe ajo është lufta e Vlorës kundra pushtimit italian në 1920.
Kësaj ngjarje heroike poeti Ali Asllani i ka kushtuar një poezi, e cila u kthye në këngë dhe që besoj do të rikujtohet edhe në këtë përvjetor.
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora
Rroki armët, bëja fora
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora
Bjeri më të lumtë dora.
Ky është refreni i kësaj kënge patriotike, mjaft të njohur për brezat e gjyshërve tanë. Tekstin e saj mund ta gjeni online, por ajo që do të ndalem këtu është se kjo poezi ndër të tjera përmban edhe vargje me karakter fetar, të cilat shpresoj të mos cungohen si në rastin e mësipërm. Ato janë:
Vlora është e Shqipërisë
Krishti është i Perëndisë.
Vlora është e Kastriotit
Muhamedi është i Zotit.
Shqiptarët ndoshta vërtetë, shumë prej tyre nuk kanë qenë fetar të thekur, siç pohojnë disa, por nuk kanë qenë kurrë njerëz pa fe dhe pabesim, siç tentoi dhunshëm komunizmi t’i shpërfytyronte ata. Edhe pse kanë kaluar tre dekada që nga përmbysja e atij regjimi, deformimi që i bëri ai historisë sonë vazhdon të reflektohet edhe sot kësaj dite, qoftë edhe duke mos rikthyer një varg a një këngë ku përmendej emri i Zotit.