A prishet abdesi nëse unë laj dhe pastroj fëmijën e vogël

Lidhja e Hoxhallarëve
3 minuta lexim

بسم الله الرحمن الرحيم

Pyetje: A prishet abdesi nëse unë si nënë laj dhe pastroj fëmijën e vogël nga papastërtitë dhe a më prishet abdesi gjithashtu kur papastërtitë më bien në rrobe?

Përgjigje: Kjo pyetje lidhet me çështjen (meselenë) e njohur te dijetarët e fikhut që është: Gjykimi për abdesin kur prek organet gjenitale të vetes ose të tjetër kujt. Mendimet e dijetarëve dhe argumentimet e tyre janë të shumta dhe të larmishme. Disa thonë se prishet abdesi qoftë prekja me epsh ose pa epsh. Disa thonë se prishet vetëm kur prekja është me epsh. Disa mendojnë se prishet vetëm kur preket penisi ose vagina dhe jo organi i jashtqitjes, apo mendime të tjera se vetem prekja me pëllëmbën e dorës e prish abdesin dhe jo me kurrizin e dorës etj.

Por kur bëhet fjalë për prekjen e fëmijëve të vegjël sidomos kur nënat i pastrojnë ato, çështja nuk është aq e ndërlikuar dhe shumë prej dijetarëve mendojnë se ajo gjë nuk e prish abdesin. Ky është mendimi i medh’hebit hanefi (ed-Durr el-Muhtar 1/408-409), një prej dy mendimeve të medh’hebi maliki (el-Kavanin el-Fikhijjeh 1/22), (Mevahib el-Xhelil 1/299), një mendim i dytë brenda mendhhebit shafi (el-Mexhmu 2/37) dhe mendimi personal i vetë imam Ahmedit kur është pyetur, (Mesail-imam Ahmed ibn Hanbel 1/46). Ndërsa imam Ibn Kudama përcjell se ky është mendimi i imam ez-Zuhriut prej brezit të tabiinëve dhe të el-Euzait prej brezit të tabi-tabiinëve, sepse përderisa lejohet prekja e organeve të tyre dhe shikimi në to (sa janë të vegjël), atëherë abdesi nuk prishet. (el-Mugni 1/133).

Ndërsa çështja e papastërtive të fëmijës kur bien në rrobat e tjetër kujt, ajo gjë nuk e prish abdesin por është detyrë që të pastrohet duke e larë mirë aq sa mendohet se nuk ka më papastërti dhe me atë rrobe mund të falesh. Kështu veprohet kur fëmijët e vegjël hanë ushqim normal si të tjerët. Kurse në rastin kur fëmijët ushqehen vetëm më qumështin e gjirit atëherë duhet të pastrohet rrobeja duke e larë, nëse aty bie urina ose jashtqitja e fëmijës femër dhe spërkatet me ujë pa pasur nevojë për ta larë kur fëmija është mashkull. Këtë na e tregon hadithi që e përcjell Aliu kur djali i tij Husejni urinoi në prehër të Profetit (alejhissalatu uesselam) i cili tha: “Urina e fëmijës femër duhet të lahet kurse urina e fëmijës mashkull mund të spërkatet me ujë.” Transmetuan Ebu Davudi nr 375 dhe Ibn Maxheh nr 522.

Allahu e di më së miri!

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH