Vëlla i dashur, motër e shtrenjtë!
Dijetari i Islamit Ibën Tejmije ka përmendur se besimtari nëse bën të këqija, dënimi i tij largohet nga 10 shkaqe, po i përmendim këto 10 shkaqe në mënyrë të përmbledhur.
- Të pendohet me pendim të sinqertë, në mënyrë që Allahu i Lartësuar t’i fali atij gjynahet. “Vërtet, i penduari prej gjynaheve është sikur ai që nuk ka patur gjynahe”.
- T’i kërkojë Allahut të Lartësuar falje, në mënyrë që Ai ta fali. Pejgamberi0 (salallahu alejhi ue selem), ka transmetuar nga Zoti i Madhëruar se ka thënë: “Robi bëri një mëkat dhe tha: O Zot, më fal mëkatin. Atëhere i Lartësuari tha: “Robi im bëri një mëkat dhe e dinte se ai ka një Zot që i falë mëkatet…” Buhariu dhe Muslimi
- Të punojë punë të mira, të cilat janë shkak për fshirjen e të këqijave. Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, veprat e mira i fshijnë të këqijat.” [Hud, 11].
- Të luten për të vëllezërit muslimanë dhe të bëjë ndërmjetësim për ta, gjallë apo vdekur qofshin.
- Që t’i dhurojnë atij vëllëzërit e tij nga sevapet e punëve të tyre me çka Allahu i Lartësuar i bën dobi atij, si sadakaja etj.
- Që të ndërmjetësojë për të Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ditën e Gjykimit.
- Ta sprovojë Allahu i Lartësuar në dynja me fatkeqësi në veten, në pasurinë, fëmijët, apo të afërmit e tij, apo ata të cilët ai i do.
- Ta sprovojë atë në berzah (jeta e varrit) me shtrëngim të varrit dhe sprovën e engjëjve, gjë e cila çon në pastrim gjynahesh dhe është për të mbrojtje prej dënimit.
- Që ta sprovojë atë në ditën e Gjykimit me gjendjet e saj të vështira, gjë e cila e pastron atë.
- Ta mëshirojë Mëshiruesi i mëshiruesve.
Atij personi të cilit nuk i bëjnë dobi as një nga këto shkallë, të mos qortojë veçse veten e tij, siç ka thënë Allahu i Lartësuar në një hadith kudsij: “Vërtet, ato janë punët tuaja, ua kam regjistruar ato juve dhe do t’u shpërblej sipas tyre, ndaj kush gjen mirësi le ta falënderojë Allahun dhe kush gjen diçka tjetër veç kësaj të mos qortojë tjetër veç vetes së tij.” Muslimi.
[Mexh’muatu el Fetava 7/487]Përgatiti: Bledar Haxhiu