Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi

Lidhja e Hoxhallarëve
9 minuta lexim

Hoxhë. Mustafa Terniqi

Është rikthyer edhe një herë në fokus propozimi dhe mundësia për formimin e mikroshtetit bektashian që do promovojë tolerancë fetare në Shqipëri. Nëse do analizojmë thellë do kuptojmë se nëse synohet toleranca fetare brenda Shqipërisë nuk do të funksionojë sepse nuk është aspak e nevojshme. Toleranca fetare ka funksionuar aq mirë dhe natyrshëm sa do të cënohej nëse do formohej ky shtet sepse do prishen shumë ekuilibra shekullorë të trashëguar dhe për rrjedhojë do kemi intolerancë që nuk i shërben më shqiptarëve. A nëse ky shtet synohet të jetë model për botën, përsëri nuk do të funksionojë, sepse bota nuk e ka të nevojshme këtë model, madje nuk do ta konsideronte model të mirëqënë.

 

Nga ana tjetër, nuk janë bektashitë me 2.5% të popullsisë faktori kryesor i tolerancës fetare në Shqipëri. Toleranca fetare është vullnet i shumicës pa përmendur faktin që në shumë raste bektashitë në origjinë prononcohen si muslimanë dhe është kontradiktore dhe e palogjikshme që kjo pakicë të ketë një shtet më vete brenda shtetit ku bashkjetojnë komunitetet e tjera më të mëdha.

 

Baba Mondi në një intervistë në RTV KLAN shprehet natyrshëm se ne dikur ishim të krishterë por tani jemi myslimanë. Pra duke nënkuptuar se bektashizmi lidhet me Islamin si fe. Mirëpo në të njëjtën kohë e pranon ofertën joshëse edhe pse në fillim ishte krejtësisht i papërgatitur dhe i pa informuar, gjë që tregon se projekti vjen nga jashtë Kryegjyshatës e ndoshta vjen nga jashtë Shqipërisë. Ndërkohë kryeministri e shikon këtë projekt detyrim për bektashizmin që të mos vdesë pasi është fe në zhdukje, por Baba Mondi thotë të kundërtën. Ai në të njëjtin emision në RTV KLAN pretendon se bektashitë janë 50% e popullsisë. Pra është një projekt që vjen jo vetëm nga jashtë mureve të Kryegjyshatës por duket se vetë Kryegjyshata po përdoret.

 

Kryeministri nuk mund të jetë bindës kur citon Naimin për ti dhënë sfond artistik nga një anë dhe duke përdorur një poet të madh kombëtar nga ana tjetër. Naim Frashëri në “Fletoren e Bektashive” nuk fton në shtet bektashi, por në një Shqipëri të lirë për ta gëzuar së bashku. Naimi duke u lutur për Shqipërinë shprehet :

 

Po falni Shqipërisë,

Fatbardhësinë e lirinë,

Gaz në vend të zisë,

Edhe gjithë mirësinë.

 

Jepi shqiptarit dritë,

Zot i vërtetë të shohë,

Të marrë vesh mirësinë,

të vërtetën ta njohë.

 

Të jetë i papenguar,

Me nder në jetë të rrojë,

Po si zot i zotëruar,

Vet ai të mbretërojë.

 

Ndërsa Kryegjyshi bektashian Baba Mondi citon shpesh fjalët që ai i pretendon si hadithe Profetike : “Pa atdhe nuk ka fe” dhe “Duaje dheun më shumë se Perëndinë”, pastaj duke i shpjeguar këto fjalë thotë: “Atdheu është mbi gjithcka”, duke nënkuptuar atë që Naimi shkruan në vargje, pra një atdhe për të gjithë dhe një atdhe të lirë. Mirëpo me formimin e këtij shteti që do ketë kushtetutë dhe flamur të veçantë cili do të ishte më i rëndësishëm për Kryegjyshatën shteti i ri apo Shqipëria? Nëse do ishte shteti i ri më i rëndësishëm atëherë bie poshtë çdo pretendim se bektashitë kanë qenë në shërbim të atdheut. A nëse do të jetë Shqipëria më e rëndësishme, atëherë nuk do ketë nevojë për shtet të ri brenda shtetit.

 

Gjithashtu fakti se bektashitë janë komunitet drejt shuarjes (sipas kryeministrit) tregon se nuk meriton të bëhet shtet. Një komunitet në zhdukje nuk ka kapacitete për të qenë shtet më vete. Pra ka nevojë për përkujdesje dhe jo për shtet, sepse “Shteti Bektashian” që të funksionojë me kapacitete të huaja (jo bektashiane) nuk ka si të quhet më “Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi.” Në këto kushte dhe rrethana kur shteti i ri do t’i duhet të formohet e të mbahet nga tjetër kush është tregues se dikush fshihet pas krijimit të këtij shteti në kurriz të Shqipërisë. Po ashtu, shteti laik nuk ka pse shqetësohet shumë se po vdes një komunitet fetar, që në të vërtetë nuk po vdes, por nëse do ta ruajë si vlerë ka plot mekanizma dhe hapësira. Është paradoksale që shteti shekullarist të formojë një shtet fetar për ta ruajtur nga zhdukja.

 

Këtu fillon dhe prishja e ekulibrave, sepse bektashitë janë komuniteti më i ri nga komunitetet tradicionale fetare dhe më i privilegjuari për të qenë shtet brenda shtetit. Kaq mjafton për të bërë dallimin mes shtetit bektashian dhe Vatikanit që ka peshën dhe ndikimin e vet historik krejtësisht ndryshe. Çfarë do të thotë nëse komunitetet e tjera kërkojnë privilegje dhe nuk u jepen, ndërkohë u jepen bektashive pa e kërkuar fare? Privilegji për një komunitet është diskriminim për komunitetet e tjera, në veçanti muslimanëve. Ndërkohë dhe pse në pamje kemi të bëjmë me privilegj, duket më shumë se Kryegjyshata po përdoret se sa do shërbejë për të promovuar tolerancën fetare.

 

Vetë shqetësimi jo vetëm i Komunitetit Musliman të Shqipërisë por edhe i Bashkësisë Islame të Kosovës, Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë e deri në Bosnje, si dhe shqetësimi gjithashtu i komuniteteve të tjera fetare, përfshi analistët, historianët, politikanët, etj, tregon se nje akt i tillë ka filluar të prishë jo vetëm ekuilibrat dhe harmoninë fetare por dhe interesat kombëtare.

 

Pra nuk po flasim për të dhënë një opinion fetar, por në realitet ky projekt përbën një problem kombëtar. Nuk marim të zgjidhim problemet e shumta që kemi por shpikim zgjidhje për një problem që nuk e kemi. Shteti i ri përderisa do ketë pasaportën e vet do ti duhet njohja nga shtetet e tjera. Energjitë që do shpenzohen për këtë do ishte më e mira të shpenzoheshin për njohjen e Kosovës te më shumë shtete gjë e cila ndihmon më shumë në sigurinë dhe interesat kombëtare. Përndryshe shteti i ri bektashian mund të krijojë precedent për pakicat serbe në veri të Kosovës për të kërkuar shtet më vete, ose autonomi. Kjo mund të ndodhë nesër dhe në Shqipëri kur Himara -bie fjala- të kërkojë autonomi.

 

Sa më sipër, nëse shtrojmë pyetjen: Kujt do ti shërbejë shteti bektashian? Përgjigja është: Shumë kujt përveç shqiptarëve. Për këtë arsye shikojmë politikanë të ndryshëm, historianë e analistë të pohojnë se krijimi i shtetit bektashian është antikushtetues, projekt antishqiptar, cënues i sovranitetit territorial, potencial për prishjen e harmonisë fetare, precedent për shfaqjen e problemeve dhe pretendimeve teritoriale duke çuar në konflikte të paparashikuara, apo një projekt eksperimental në dëm të Shqipërisë.