Në mbrëmjen e ditës së martës, më datë 11 mars 2025, Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë organizoi iftarin e saj tradicional, një ngjarje e rëndësishme dhe e veçantë që mblodhi së bashku figura të ndryshme, ndër ta: Myftiu i Tiranës, H. Bilal Teqja, anëtarë të trupit diplomatik të disa shteteve, hoxhallarë, biznesmenë dhe miq të Lidhjes.
Ky event i kthyer tashmë në një traditë të përvitshëme konsiderohet si një ngjarje e veçantë që bën bashkë aktor të ndryshëm të fesë Islame ne vend dhe që synon të nxisë bashkëpunimin dhe të forcojë lidhjet mes tyre sidomos për çështjet që janë me interes të përbashkët.
Ceremonia u çel me thirrjen e Ezanit, më pas fjalën përshëndetëse e mbajti zëvendëskryetari i Lidhjes, H. Irfan Tota, i cili shprehu mirënjohjen e tij të sinqertë për të pranishmit si dhe falënderoi të gjithë ata që mbështesin veprimtarinë e Lidhjes.
Në fjalën e tij ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit mes aktorëve që janë të angazhuar në fushën e davetit dhe çështjeve që prekin myslimanët në Shqipëri.
Iftari u karakterizua nga një atmosferë e ngrohtë vëllazërore dhe respekt të ndërsjellë mes të pranishmëve ku u realizuan njohje të reja dhe shkëmbime përvojash të ndryshme.