Jemi futur në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit, kohë e bekuar që çdo besimtar musliman e pret me shpresë dhe devotshmëri. Në këto netë, zemrat kthehen në kërkim të Natës së Kadrit, për t’u lutur dhe për të kërkuar që Allahu t’ia pranojë lutjet.
Por, ndalemi për një moment dhe pyesim veten:
Çfarë kërkon vërtet agjëruesi nga Zoti gjatë Ramazanit, dhe sidomos në Natën e Kadrit? Dhe çfarë kërkon Zoti prej agjëruesit?
Shumë shpesh, lutjet tona lidhen me nevojat personale: zgjidhjen e halleve, shtimin e rizkut, begatinë dhe mirëqenien. Një kërkesë që nganjëherë bazohet vetëm mbi interesin tonë, pa analizuar nëse e meritojmë apo jo.
Besimtari i vërtetë është ai që synon t’i kthehet Zotit, të ruajë dhe të forcojë besimin e tij, të kërkojë falje dhe mëshirë për gabimet e bëra, të kërkojë bekim dhe mbrojtje nga Zoti, dhe mbi të gjitha, të arrijë kënaqësinë e Zotit të Plotfuqishëm.
Kjo është dhurata më e madhe që Zoti i jep njeriut; gjithçka tjetër renditet pas kësaj.
Prandaj, qëllimi në këto ditë dhe netë të bekuara është të forcohet marrëdhënia me Zotin, duke thelluar privatësinë dhe intimitetin me Krijuesin. Kjo do të thotë të krijohet një lidhje dhe afërsi e veçantë shpirtërore, të përkushtohemi me sinqeritet në vetmi, të kërkojmë falje dhe pendim për gabimet dhe gjynahet, të madhërojmë dhe të përmendim Zotin vazhdimisht (dhikr), të lexojmë Kur’anin me meditim dhe përkujtim, të falenderojmë për mirësitë dhe begatitë e shumta që Ai na ka dhënë, dhe më pas të lutemi për nevojat dhe hallet tona.
Por lutja nuk ndalet te vetja: ajo shtrihet edhe për vëllezërit dhe motrat muslimane, duke kërkuar nga Zoti mëshirë, bekim dhe drejtësi për të gjithë shoqërinë.
Për të arritur këtë gjendje shpirtërore, besimtari largohet nga ata njerëz dhe nga ato gjëra që i marin kohën, energjitë dhe vëmendjen, tregohet i kujdesshëm për të qenë më afër porosive të Zotit dhe me larg cytjeve të shejtanit.
Profeti (alejhissalatu uesselam), gjatë dhjetëditëshit të fundit, shtonte adhurimet e tij dhe përpiqej më shumë se në netët e tjera, duke zgjuar edhe familjen për të adhuruar dhe afruar zemrat më shumë tek Allahu. Kjo kuptohet edhe nga ajeti kuranor për Natën e Kadrit:
“Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj.”
Surja el-Kadr 3
Ky shumëfishim i sevapeve dhe kjo vlerë e madhe nuk arrihet me veprime mekanike, apo me shpresën e thjeshtë; ato kërkojnë përkushtim, sinqeritet dhe afrimin tek Zoti.
Profeti (alejhissalatu uesselam) paralajmëron:
“Kush privohet nga mirësitë e Natës së Kadrit, vërtet ai meriton të jetë i privuar.”(Ahmedi nr. 7148, Nesaiu nr. 2106)
Pra, dhjetë ditët e fundit të Ramazanit dhe Nata e Kadrit janë një mundësi e veçantë për të rindërtuar shpirtin, për të pasuruar besimin, për të rregulluar shoqërinë dhe për të arritur lumturinë më të madhe: kënaqësinë e Zotit. Andaj Le ta kërkojmë së pari Natën e Kadrit brenda vetes sonë, për të qenë besimtarë të vërtetë, të pranuar dhe të merituar nga Zoti.
Hoxhë Mustafa Terniqi
