Vërtet, falënderimi i takon Allahut. Atë lavdërojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë dhe vetëm tek Ai kthehemi me pendim. Atë që Allahu e udhëzon, nuk ka kush që e lajthit, dhe atë që Ai e lë në humbje, nuk ka kush që e udhëzon. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër që meriton adhurimin përveç Allahut, i Vetëm dhe pa ortak, dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij.
Ju porosis juve dhe veten time me devotshmëri ndaj Allahut. Kini frikë Allahun që Ai t’ju ruajë; përmendeni Atë që t’ju përmendë dhe falënderojeni Atë që t’ju shtojë mirësitë.
“Dhe kijeni frikë Allahun e ta dini se Allahu është ndëshkues i rreptë.” (El-Bekare: 196).
Robër të Allahut! Allahu i Lartësuar e zbriti Kuranin si përkujtues dhe udhëzues për mbarë njerëzimin. Suret dhe ajetet e tij janë udhërrëfyes drejt kënaqësisë së Tij; përmes tyre, Allahu udhëzon të humburin, i hap sytë të verbrit dhe ndriçon shpirtin që ka mbetur në errësirë.
Në këtë hytbe, do të jemi në shoqërinë e një sureje të shkurtër, e cila i zbriti Profetit ﷺ në Meke. Allahu thotë:
“El-Kariah, mel-Kariah!” > “Gjëmimi i tmerrshëm! Ç’është Gjëmimi i tmerrshëm?”
Vërtet, kjo është një hyrje drithëruese! Një fillim kumbues që trondit ndërgjegjen dhe nxit kureshtjen për të njohur atë që po lajmërohet. Ky lajm i madh hapet me termin “El-Kariah” – Gjëmimi!
Pse është quajtur ” Gjëmimi “?
“El-Kariah, Gjëmimi ” është një nga emrat e Ditës së Kiametit. Është quajtur kështu sepse ajo i godet zemrat me tmerrin e saj të papritur. Allahu e lartësoi dhe e madhëroi çështjen e kësaj dite duke e nisur suren me këtë emër goditës.
Imam Taberiu ka thënë: “El-Kariah është Ora, tmerri i së cilës godet zemrat e njerëzve, ashtu siç i godet ata madhështia e sprovave që do të zbresin në atë kohë; ai është një mëngjes që nuk ka më natë pas tij!”
Allahu i Lartësuar e shfaqi tmerrin e kësaj çështjeje duke pyetur: “Ç’është El-Kariah?”. Kjo do të thotë: sa e madhe, sa e llahtarshme dhe sa tmerruese është ajo ditë! Më pas, Ai e shtoi drithërimin duke thënë:
“E çfarë të bëri ty të mësosh se ç’është El-Kariah?” (El-Kariah: 3).
Kjo pyetje vjen në formë madhërimi dhe lartësimi për rëndësinë e asaj dite; ajo i shkund zemrat pasi ka shkundur dëgjimet!
“Dhe (përkujto) ditën kur i fryhet Surit (Bririt), e do të tmerrohet kushdo që është në qiej dhe kushdo që është në tokë.” (En-Neml: 87).
Allahu e përshkruan gjendjen e asaj dite: “Ditën kur njerëzit do të jenë si flutura të shpërndara”. Kjo do të thotë se njerëzit do të jenë si ato fluturat e përhapura që lëvizin si valë, pa drejtim, të humbura dhe të shastisura në çdo anë.
Allahu ka zgjedhur fluturat për këtë krahasim, pasi ato janë insekte të vogla e të dobëta që bien verbërisht në zjarr, duke sulmuar llambën derisa digjen. Prej këtu buron edhe thënia e mrekullueshme e Profetit ﷺ:
“Shembulli im dhe shembulli juaj është si shembulli i një njeriu që ka ndezur një zjarr, e insektet dhe fluturat filluan të bien në të, ndërsa ai i dëbon që të mos digjen; unë po ju kap juve për rrobash që të mos bini në zjarr, ndërsa ju po më ikni nga dora.”
Imam Neveviu shpjegon: “Qëllimi i hadithit është se ai ﷺ ka krahasuar rënien e të paditurve dhe mëkatarëve në Zjarrin e Ahiretit —për shkak të epsheve të tyre— me rënien e fluturave në zjarrin e kësaj bote. Të dyja palët, prej padijes dhe dobësisë së gjykimit, vrapojnë drejt shkatërrimit të vetvetes.”
Allahu i ka krahasuar njerëzit me fluturat për shkak të numrit të tyre të madh, shpërndarjes së tyre të çrregullt dhe nënshtrimit të plotë, ose për shkak të rënies së tyre në Xhehenem, ashtu siç bien fluturat verbërisht në zjarr. Disa dijetarë kanë shpjeguar: “Njerëzit, në çastin e ringjalljes nga varret, janë si flutura të shpërndara sepse lëvizin pa asnjë rregull, derisa t’i thërrasë Thirrësi e të drejtohen të gjithë drejt vendtubimit (Mahsherit).”
Kjo do të jetë gjendja e njerëzve. Sa i përket maleve të palëkundura e të forta, ato do të shndërrohen “si leshi i shprishtë”. Ato shkrepa të fortë e krenarë do të bëhen si pambuku i krehur, të cilin e bën të fluturojë edhe era më e lehtë. Allahu i Lartësuar thotë:
“Dhe të pyesin ty për malet, thuaj: ‘Zoti im do t’i bëjë ato thërrime e pluhur, dhe do ta lërë tokën rrafsh e të zhveshur, ku nuk do të shohësh as lugina e as kodra’.” (Ta-Ha: 105-107).
Malet që sot të duken të palëvizshme, atë ditë do të kalojnë si retë; do të bëhen pluhur që e fshijnë erërat, derisa të asgjësohen plotësisht.
Në atë ditë madhështore do të vendosen peshoret e drejtësisë, ku njerëzit do të ndahen në të lumtur dhe të mjerë.
“Sa i përket atij që i rëndojnë peshoret e tij…”
Kjo do të thotë se punët e tij të mira peshojnë më rëndë se ato të këqijat. Për këtë njeri, Allahu premton: “ai është në një jetë të këndshme”. Kjo është një jetë me të cilën pronari i saj ndihet plotësisht i kënaqur; një gjendje e përsosur, e vazhdueshme dhe plot dëfrim në Xhenet.
“Aty nuk i prek ata asnjë lodhje dhe ata nuk do të nxirren prej andej.” (El-Hixhr: 48).
HUTBEJA E DYTË
Robër të Allahut, Allahu i Lartësuar në vazhdim të sures El-Karia thotë:
“Sa i përket atij që i lehtohet peshorja e tij…”
Ky është ai njeri që nuk ka punë të mira që t’i bëjnë ballë veprave të tij të këqija. Për të, Allahu thotë: “Ai do të ketë si strehim Humnerën.” Vendbanimi i tij do të jetë Zjarri, emri i të cilit është “El-Hauije”. Allahu e quajti atë “strehë”, sepse ashtu siç fëmija gjen strehë te nëna e tij, mohuesi do të hidhet në këtë Zjarr si në vendin e vetëm që i ka mbetur. Por, ndryshe nga nëna që ofron ngrohtësi, kjo strehë ofron vetëm shkatërrim dhe ndëshkim të pafund.
Ky Zjarr quhet “Humnerë” sepse njeriu bie në të dhe flaket në një thellësi të llahtarshme. Profeti ﷺ ka paralajmëruar:
“Vërtet, robi mund të thotë një fjalë, për të cilën nuk i peshon pasojat, e për shkak të saj bie në Zjarr më për shtatëdhjetë vite.”
Pyetja “E çfarë të bëri ty të mësosh se ç’është ajo?” shërben për të treguar se tmerri i këtij Zjarri tejkalon çdo gjë që njeh mendja njerëzore. Allahu e shpjegon atë si: “Zjarr përvëlues” – një nxehtësi që ka arritur kulmin.
Ai e tejkalon nxehtësinë e zjarrit të kësaj bote me shtatëdhjetë fish. Profeti ﷺ ka thënë: “Ky zjarri juaj që ndez njeriu, është vetëm një pjesë nga shtatëdhjetë pjesët e nxehtësisë së Xhehenemit.” Shokët e tij thanë: “Pasha Allahun, edhe kjo nxehtësi do të mjaftonte!” Por ai ﷺ u përgjigj: “Vërtet, zjarri i Xhehenemit është gjashtëdhjetë e nëntë herë më i fortë se ky i dynjasë.”
O Allah, dërgo salavate dhe selame mbi Pejgamberin Tënd, Muhamedin ﷺ. O Allah, na ringjall në grupin e tij, na mundëso ndërmjetësimin e tij dhe na bëj të jetojmë e të vdesim sipas Sunetit të tij. Na jep të pimë nga burimi i tij, një gllënjkë pas së cilës nuk do të etemi kurrë, dhe na mundëso shoqërimin me të në Firdevsin e Lartë.
O Allah, mos e bëj dynjanë brengën tonë më të madhe, as kulmin e dijes sonë dhe as Zjarrin përfundim tonë. O Allah, mbuloji të metat tona, qetësoi frikërat tona dhe përmbylli veprat tona me të mira.
Robër të Allahut: “Vërtet, Allahu urdhëron drejtësinë, bamirësinë, ndihmën e të afërmve dhe ndalon nga imoraliteti, vepra e shëmtuar dhe dhuna.” Përmendeni Allahun që t’ju përmendë dhe falënderojeni Atë që t’ju shtojë mirësitë. Përmendja e Allahut është vepra më e madhe, dhe Allahu e di mirë atë që ju punoni.
