Pyetje: Çfarë gjykimi ka heqja e rrudhave të fytyrës për zbukurim?
Përgjigje: Gjykimi i heqjes së rrudhave ndryshon në varësi të rrethanave dhe të qëllimit. Kur heqja bëhet për shkak të një defekti jo të zakonshëm dhe për arsye shëndetësore, si sëmundja, aksidenti apo djegia, në këtë rast ajo konsiderohet mjekim, i cili bëhet me qëllim kthimin e fytyrës në gjendjen e saj të natyrshme. Ky rast lejohet, sepse ndërhyrja bëhet që fytyra të rikthehet në gjendjen e saj të mëparshme.
Ndërsa, kur heqja e rrudhave bëhet me qëllim zbukurimin dhe jo për ndonjë arsye tjetër, në këtë rast ndërhyrja dhe heqja e rrudhave nuk është e lejuar.
Akademia Ndërkombëtare e Fikhut Islam (pjesë e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik), gjatë sesionit të saj të tetëmbëdhjetë, me vendimin nr. 173 (11/18), lidhur me kirurgjinë plastike dhe rregullat e saj, ka dhënë gjykimin e mëposhtëm:
Së pari: Lejohet sipas Sheriatit kryerja e kirurgjisë plastike të domosdoshme dhe asaj të nevojshme, e cila ka për qëllim:
(a) Kthimin e formës së gjymtyrëve të trupit në gjendjen në të cilën është krijuar njeriu, bazuar në fjalën e të Madhëruarit: “Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur” (Et-Tin: 4).
(b) Rikthimin e funksionit të zakonshëm të gjymtyrëve të trupit.
(c) Korrigjimin e defekteve të lindura, si: buzë e çarë (buzëlepuri), devijimi i rëndë i hundës, nishanet e mëdha, gishtat ose dhëmbët e tepërt dhe ngjitja e gishtave, nëse prania e këtyre defekteve shkakton dëm fizik ose psikologjik.
(d) Korrigjimin e defekteve aksidentale si pasojë e djegieve, aksidenteve, sëmundjeve etj., si p.sh.: mbjellja dhe transplantimi i lëkurës, rindërtimi i plotë i gjirit në rastet e heqjes, ose rindërtimi i pjesshëm, nëse madhësia e tij (shumë i madh ose shumë i vogël) çon në gjendje patologjike, si dhe mbjellja e flokëve në rastet e rënies së tyre, veçanërisht te gratë.
(e) Largimin e një shëmtie që i shkakton personit dëm psikologjik ose organik. (Vendimi i Akademisë 26 (1/4)).
Së dyti: Nuk lejohet kryerja e kirurgjisë plastike thjesht për estetikë, pra ajo që nuk klasifikohet si trajtim mjekësor dhe që ka për qëllim ndryshimin e krijimit normal të njeriut sipas tekave dhe dëshirave, apo imitimin e të tjerëve. Këtu përfshihen operacionet për ndryshimin e formës së fytyrës për t’u dukur në një mënyrë të caktuar, me qëllim mashtrimi ose shmangieje të drejtësisë, ndryshimi i formës së hundës, zmadhimi apo zvogëlimi i buzëve, ndryshimi i formës së syve dhe zmadhimi i mollëzave.
Së treti: Lejohet rënia në peshë (dobësimi) përmes metodave shkencore të miratuara, përfshirë kirurgjinë (si heqja e yndyrës/liposuksioni), nëse pesha përbën një gjendje sëmundjeje dhe nuk ka rrugë tjetër përveç kirurgjisë, me kusht që të garantohet mungesa e dëmit.
Së katërti: Nuk lejohet largimi i rrudhave përmes kirurgjisë ose injeksioneve, përveç rasteve kur ato përbëjnë gjendje sëmundjeje, me kusht që të garantohet mungesa e dëmit.
Vendimin e plotë të këtij vendimi mund ta gjeni në linkun e mëposhtëm:
https://lidhjaehoxhallareve.com/kirurgjia-kozmetike/
Konkluzioni: Ndërhyrja kirurgjikale për largimin e një defekti është e lejuar, ndërsa ndërhyrja për rritjen e bukurisë (estetikë) nuk është e lejuar.
Allahu e di më së miri!
Komisioni i Pyetjeve & Përgjigjeve pranë LHSH-së.
