Përfundimi u takon të sinqertëve

Lidhja e Hoxhallarëve
7 minuta lexim

Falënderimi i takon Allahut, salavate dhe selame për të Dërguarin e Allahut, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij me pastërti e devotshmëri deri në Ditën e Gjykimit.

Të nderuar besimtarë!

Sot jemi në ditën e tretë të Kurban Bajramit, në këto ditë të mëdha të gëzimit, sakrificës dhe reflektimit të thellë. Por, cili është thelbi i çdo kurbani, i çdo ibadeti dhe i çdo lëvizjeje që bëjmë në jetë?  Është zhveshja e plotë e shpirtit nga interesat e kësaj bote, pastrimi i qëllimit dhe shkëputja e brendshme nga çdo gjë tjetër përveç Allahut të Madhërishëm. Allahu i Madhërishëm thotë në Kuranin Famëlartë:

“E njerëzit nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij…” (Bejineh: 5)

Zhveshja nga interesat e botës në peshoren e besimit nuk do të thotë thjesht braktisje fizike e jetës tokësore, as vetëm një asketizëm i jashtëm ndaj dukjes. Ajo është diçka shumë më e thellë:

  • Ajo është të punosh dhe të mos e shohësh veten me vetëpëlqim apo mendjemadhësi.
  • Ajo është të japësh e të mos presësh asnjë kthim apo shpërblim nga krijesat.
  • Ajo është të ecësh në rrugën e Zotit pa kërkuar famë, dhe të jesh i sinqertë pa pasur nevojë për një imazh apo pozicion publik.
  • Ajo është ta adhurosh Allahun pa asnjë lloj idhujtarie të fshehur, pa qëllime të dyfishta dhe pa nijet të përzier me interesat e kësaj bote.

Vëllezër të dashur!

Përfundimi dhe e ardhmja e vërtetë u takon të zhveshurve nga këto interesa, sepse ata nuk e adhuruan Allahun për veten e tyre, por e adhuruan Atë për Hir të Tij. Ata nuk punuan për këtë dynja kalimtare, por për Ahiretin e amshueshëm. Ata nuk lëvizën për sy e faqe të njerëzve, por vetëm për hir të Krijuesit. Prandaj, veprat e tyre mund të duken të lehta apo të papërfillshme në sytë e krijesave, por ato janë madhështore e të rënda në peshoren e Qiellit! Ato mbeten të heshtura në këtë botë, por do të jenë kumbuese dhe të zëshme në Ditën e Gjykimit. Ato janë të fshehura në tokë, por janë të dëshmuara dhe të njohura lart në qiej.

Besimtari që e ka arritur këtë gradë të pastërtisë nuk konkurron për poste, nuk garon për dritat e vëmendjes, nuk turret pas mirënjohjes njerëzore dhe nuk ushqehet me duartrokitjet e njerëzve. Ai është çliruar plotësisht nga robëria ndaj krijesave, është çliruar nga prangat e vlerësimit njerëzor, nga iluzioni i pozitës dhe nga burgu i imazhit. Përfundimi u takon atyre sepse hapat, rruga dhe gëzimi i tyre i fundit ishte vetëm Allahu. Kështu që, atyre nuk u bën dëm fshehja, nuk u shkakton ankth harresa dhe nuk u dhemb shpërfillja i njerëzve, sepse ata punojnë për Një Sy që nuk fle, për Një Dëgjues që nuk harron dhe për Një të Gjithëditur që nuk përgjumet kurrë.

Të nderuar besimtarë, xhemat i nderuar!

Historia e Islamit na mëson:  Sa e sa robër u treguan të sinqertë dhe Allahu i lartësoi!

Sa e sa zemra u kulluan dhe Allahu i afroi pranë Vetes!

Sa e sa shpirtra u zhveshën nga interesat dhe Allahu i përfshiu në mëshirën dhe mbrojtjen e Tij të veçantë!

Kjo ndodh sepse sinqeriteti (Ihlasi) nuk kthehet kurrë mbrapsht, zhveshja nga interesat nuk neglizhohet nga Zoti dhe vërtetësia nuk harrohet.

Kjo e ndërton përfundimin e mirë, sepse Allahu nuk shikon formën apo pamjen tonë të jashtme, por shikon atë që kemi në zemër;

Ai nuk shpërblen sipas formës, por sipas qëllimit; nuk lartëson sipas të jashtmes, por sipas të brendshmes.

Ai që përmirëson botën e tij të fshehtë, Allahu ia përmirëson atë të jashtme, dhe ai që e kullon zemrën e tij për Zotin, Allahu e çliron atë nga çdo lodhje dhe brengë.

Nëse ndonjëherë në rrugën e të mirës e gjen veten vetëm, të panjohur mes njerëzve dhe larg dritave të vëmendjes, qetësohu dhe kujto fjalën e Zotit tënd. Është sikur Allahu të thotë personalisht në shpirtin tënd:

Nuk ka rëndësi se kush të pa, e rëndësishme është që të shoh Unë.

Nuk ka rëndësi kush të vlerësoi, e rëndësishme është që Unë të jem i kënaqur me ty.

Nuk ka rëndësi kush të përmendi apo të harroi në tokë, e rëndësishme është që të të përmend Unë në lartësi.

Nuk ka rëndësi pozita jote në dynja, e rëndësishme është grada jote tek Unë.

Prandaj, o besimtarë, qetësohuni dhe ndihuni të sigurt. Sepse kjo zhveshje nga interesat është lartësim, sinqeriteti është shpëtim, vërtetësia është jetë dhe nijeti i pastër është vetë rruga. Përfundimi u takon të sinqertëve, fundi njerëzve të kulluar dhe triumfi atyre me zemra të vërteta.

Kush zhvishet nga çdo gjë për Allahun, Allahu kujdeset ekskluzivisht për të; kush është i sinqertë ndaj Tij, Ai e zgjedh për Veten e Tij; dhe kujt i kullohet zemra, atij i lehtësohet rruga dhe do të ketë afrimin, kënaqësinë dhe Vetë Allahun…  Cili përfundim është më i madh sesa të kesh Allahun me vete?

O Allah, në këto ditë të bekuara të Bajramit, na i pastro zemrat tona nga syefaqësia dhe hipokrizia. Na i bëj veprat tona të sinqerta vetëm për Hirin Tënd të Madhërishëm. Na mundëso një përfundim të mirë, na dhuro afrimin dhe kënaqësinë Tënde, dhe na bëj prej atyre që fitojnë me zemra të pastra e të vërteta. Amin.

 

Ulvi Fejzullahu