Përmbledhje e koncepteve të Akides së Ehli Sunetit (3)

Lidhja e Hoxhallarëve
5 minuta lexim

8: Mësimi i akides dhe edukimi mbi të

Mësimi i akides (besimit) nuk është thjesht furnizim i nxënësve me informacione teorike, të cilat mësohen përmendësh për t’u shkruar në fletët e provimeve e pastaj harrohen, pa pasur asnjë ndikim real në jetën e tyre. Një qasje e tillë ndaj besimit nuk kërkon më shumë se disa muaj, gjatë të cilëve mbushet mendja me njohuri dhe çështja mbyllet me aq.

Por, mësimi i vërtetë i akides duhet të jetë rrënjosje e besimit në zemra, në mënyrë që njeriu të edukohet mbi të, veprat dhe qëndrimet e tij të udhëhiqen prej saj, si dhe të përpiqet në rrugën e saj, derisa të ndryshojnë shpirtrat dhe feja të jetë plotësisht për Allahun.

Një proces i tillë kërkon kohë të gjatë dhe durim të madh. Kjo është pikërisht ajo që bënë profetët dhe të dërguarit (paqja qoftë mbi ta), ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar:

“Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): ‘Adhuroni Allahun dhe shmangni idhujt!’” (En-Nahl: 36)

Kështu, ata janë shembulli më i mirë për ne, sepse e nisnin thirrjen e tyre me akiden, duke u përpjekur ta ngulisnin atë thellë në zemrat e njerëzve. Kur ato mbusheshin me dashurinë dhe madhështinë e Allahut, me frikën dhe nderimin ndaj Tij, atëherë vinin urdhrat dhe ndalesat, hallalli dhe harami, të cilat gjenin shpirtra të gatshëm për t’u nënshtruar dhe bindur.

 

9: Lidhja midis sjelljes dhe moralit me akiden

Kur njeriu edukohet mbi akiden (besimin), sjellja e tij në jetën e kësaj bote lidhet drejtpërdrejt me këtë akide me të cilën është rritur dhe formuar, sepse:

  • Njësimi i Allahut në adhurim dhe marrja e udhëzimit vetëm prej Tij çojnë natyrshëm në mirësjellje ndaj njerëzve, duke synuar Fytyrën e Allahut dhe kënaqësinë e Tij, duke u mbështetur në shpërblimin e botës tjetër, si dhe duke ditur se robi nuk merr asgjë përveç asaj që i jep Allahu e nuk jep asgjë përveçse nga ajo me të cilën Allahu e ka furnizuar.
  • Mosbesimi në Allahun dhe në Ditën e Fundit, ndërkaq, sjell me vete krenari të kotë, mburrje, koprraci dhe lakmi, si dhe fshehje të mirësive të Allahut e mohim të begative të Tij. Kështu, nuk shfaqet asnjë shenjë e mirësisë, dhënies apo bujarisë, sepse ai nuk shpreson tek Allahu dhe as në shpërblimin e jetës tjetër.

Kështu pra, akidja përcakton moralin e besimit dhe moralin e mosbesimit.

Një shembull i qartë praktik për lidhjen mes sjelljes së besimtarëve dhe akides është ajo që Allahu ka përmendur për pasuesit e profetit Davud (a.s.) dhe mbretit Talut, në fjalët e Tij:

“Por ata që ishin të bindur se do të takoheshin me Allahun, thanë: ‘Sa herë, me ndihmën e Allahut, një ushtri e vogël ka ngadhënjyer mbi një ushtri të madhe! Allahu është metë durueshmit’. Dhe kur u përballën me Xhalutin dhe ushtrinë e tij, thanë: ‘Zoti ynë! Na pajis me durim, na forco këmbët tona dhe na ndihmo kundër këtij populli jobesimtar!’” (El-Bekare: 249–250)

Kështu, ata në mes të fushëbetejës po e shpjegonin me vepra vetë përmbajtjen e akides, duke treguar se si lidhet zemra me Allahun, si i drejtohet Atij në lutje dhe si mbështetet tek Ai. Prandaj, Allahu ua begatoi fjalët dhe ua bekoi sjelljen.

 

10 – Koncepti i dhjetë: Përqendrimi në akide nuk do të thotë neglizhencë ndaj pjesëve të tjera të fesë

Të thuash se është e domosdoshme të përqendrohemi tek akidja, nuk do të thotë të neglizhohen aspektet e tjera të fesë. Përkundrazi, edhe ato duhet të marrin pjesën e tyre të rëndësishme të kujdesit, mësimit dhe edukimit. Duhet patjetër të ketë urdhërim për të mirën dhe ndalim nga e keqja; gjithashtu, është e nevojshme t’u mësohen njerëzve dispozitat e fesë së tyre në adhurime e marrëdhënie shoqërore, t’u tërhiqet vëmendja ndaj moralit të prishur dhe sjelljeve të këqija, si dhe të nxiten drejt virtyteve të larta. E gjithë kjo duhet të ecë paralelisht me mësimin dhe edukimin mbi akiden.

 

Vijon