Eklipsi – mes frikësimit dhe spektaklit

Lidhja e Hoxhallarëve
3 minuta lexim

Nga Ebu Bekrete transmetohet se Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: “Dielli dhe hëna janë dy prej shenjave të Allahut. Ato nuk eklipsohen për shkak të vdekjes apo jetës së askujt, por Allahu i Madhëruar, përmes tyre, i frikëson robërit e Tij.” (Buhariu nr 1048 dhe Muslimi nr 912 nga Ebu Musa)
Në disa versione të tjera të transmetuara nga Buhariu dhe Muslimi nga sahabë të tjerë thuhet: “Kur ta shihni eklipsin, ngrihuni dhe faluni!”
Gjithashtu: “Lutjuni Allahut, madhërojeni Atë (thoni tekbir), faluni dhe jepni sadaka!” Dhe:
“Kur ta shihni këtë, përmendeni Allahun!”

Siç shihet në këto hadithe profetike, eklipsi nuk është thjesht një dukuri që ndodh në qiell, por një prej shenjave me të cilat Allahu i Madhëruar i frikëson robërit e Tij, që ata të kthehen tek Ai me namaz, madhërim, përmendje dhe sadaka.
Ndërkohë, në ditët e sotme eklipsi përmendet shpesh si një “spektakël astronomik” që nuk duhet humbur. Në media përshkruhet zakonisht si një dukuri qiellore e bukur dhe interesante për t’u vëzhguar.
Sigurisht, astronomia na shpjegon si ndodh eklipsi: si lëvizin Dielli, Hëna dhe Toka dhe si krijohet kjo dukuri. Por njeriu me logjikë të shëndoshë ndalet dhe pyet:
Kush i krijoi këta trupa qiellorë? Kush i vendosi në këtë rend dhe u dha këtë lëvizje kaq të saktë e të përpiktë?
Kush është Krijuesi i qiellit dhe i tokës, i Diellit dhe i Hënës dhe i gjithë universit?A erdhën të gjitha këto vetvetiu, rastësisht, dhe vazhdojnë të lëvizin me kaq përpikëri e precizitet pa i krijuar dhe pa i drejtuar askush?
Ai që i krijoi, krijoi edhe ligjet e universit. Çdo lëvizje dhe çdo dukuri në këtë univers na çon tek Ai, i Madhërishmi: për ta falënderuar, për ta madhëruar dhe për t’u kujtuar për dobësinë tonë, gabimet dhe mëkatet tona.
Prandaj, ajo që për dikë është thjesht një spektakël për t’u parë, për besimtarin është një shenjë për t’u reflektuar.
Një shenjë që na zgjon zemrën, na kujton Krijuesin tonë dhe na fton të kthehemi tek Ai përmes namazit, lutjes, përmendjes së Allahut, kërkimit të faljes dhe sadakasë (lëmoshës për nevojtarët).
Sepse eklipsi nuk është vetëm diçka që duhet ta shohim me sytë tanë, por një shenjë që duhet ta shohim edhe me zemrat tona.

Hoxhë Mustafa Terniqi