Rreziku i Madh dhe Pasojat Shkatërruese të Zullumit

Lidhja e Hoxhallarëve
12 minuta lexim

 

Nderimi dhe falënderimi i takojnë Allahut, Zotit të botërave, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit, Sunduesit të Ditës së Gjykimit! Nuk ka krenari veçse në bindjen ndaj Tij, nuk ka lumturi veçse në kënaqësinë e Tij dhe nuk ka mirësi të vërtetë veçse në përkujtimin e Tij; Atij i Cili, kur i bindesh, të shpërblen e të falënderon; kur i bën mëkat, ta pranon pendimin dhe të fal; kur i lutesh, të përgjigjet; e kur kërkon mbrojtje tek Ai, të mbron.

Dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij të nderuar, mbi shokët e tij besnikë dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Xhabir ibn Abdullahi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: Kur grupi i muhaxhirëve që kishin emigruar në Abisini u kthye tek i Dërguari i Allahut ﷺ, ai u tha: “A nuk do të më tregoni për gjërat më të çuditshme që keni parë në tokën e Abisinisë?”

Disa të rinj prej tyre u përgjigjën: “Po, o i Dërguari i Allahut! Ndërsa ishim ulur, pranë nesh kaloi një grua e moshuar nga murgeshat e tyre, e cila mbante mbi kokë një qyp me ujë. Aty pranë kaloi një djalë i ri prej tyre, i cili vendosi njërën dorë ndërmjet shpatullave të saj dhe e shtyu me forcë. Ajo ra në gjunjë dhe qypi iu thye. Kur u ngrit, u kthye nga ai djalë dhe i tha:

“Do ta marrësh vesh, o i pabesë, atëherë kur Allahu të vendosë Fronin, t’i tubojë të parët dhe të fundit, e kur duart dhe këmbët të dëshmojnë për atë që kanë punuar! Atëherë do ta marrësh vesh se si do të jetë çështja ime dhe e jotja nesër para Tij!”

Xhabiri tha: Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “E ka thënë të vërtetën! E ka thënë të vërtetën! Si mund ta bekojë Allahu një popull, kur të dobëtit e tyre nuk e marrin dot të drejtën e tyre nga të fortët e tyre?!” (Transmeton Ibn Maxheh)

O robër të Allahut!

Padrejtësia është një e metë e madhe dhe një krim i rëndë që i shkatërron veprat e mira, sjell fatkeqësi, mbjell armiqësi e përçarje, shkakton shkëputjen e lidhjeve farefisnore dhe mosbindjen ndaj prindërve, si dhe e shndërron jetën e njerëzve në ferr, mjerim, turbullirë e sprovë.

Padrejtësia do të thotë tejkalim i kufijve që ka caktuar Allahu i Madhëruar. Ajo është cenimi i ligjeve të Allahut dhe të Dërguarit të Tij ﷺ, si dhe cenimi i të drejtave të të tjerëve.

Për shkak të dëmeve të shumta të padrejtësisë, rrezikut të saj të madh dhe pasojave të saj shkatërruese, Allahu e ka bërë atë të ndaluar mes robërve të Tij, ashtu siç e ka ndaluar për Veten e Tij. Ka thënë i Lartësuari në hadithin kudsij:

“O robërit e Mi! Unë e kam bërë padrejtësinë të ndaluar për Veten Time dhe e kam bërë atë të ndaluar edhe mes jush, prandaj mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit!” (Transmeton Muslimi)

E gjithë kjo është për shkak të pasojave të saj shkatërruese mbi popujt dhe ndikimit të saj rrënues mbi shoqëritë. Nuk është përhapur padrejtësia te një popull veçse ka qenë shkak për shkatërrimin e tyre dhe përshpejtimin e ndëshkimit mbi ta:

“I këtillë është ndëshkimi i Zotit tënd kur ndëshkon qytetet dhe vendbanimet që bëjnë padrejtësi. Vërtet, ndëshkimi i Tij është i dhimbshëm dhe i ashpër!” (Hud: 102)

Zullumqarin nuk e do Allahu dhe nuk e udhëzon — përveç nëse dëshiron Zoti me Begatinë e Tij-. Përkundrazi, ai është i privuar nga shpëtimi dhe suksesi si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër.

Meditoni fjalën e Allahut të Lartësuar: “Dhe Allahu nuk i do zullumqarët!”
(Ali Imran: 57)

Dhe fjalën e Tij: “Ata që nuk besuan dhe bënë padrejtësi, Allahu nuk ka për t’i falur dhe as për t’i udhëzuar në ndonjë rrugë, përveçse në rrugën e Xhehenemit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Dhe kjo për Allahun është shumë e lehtë.” (En-Nisa: 168–169)

O besimtarë!

Të mos mendojë askush se padrejtësia e tij ndaj robërve të Allahut — qoftë përmes goditjes, ofendimit, sharjes, mashtrimit, ngrënies së pasurisë me të padrejtë, cenimit të nderit, derdhjes së gjakut, përgojimit, bartjes së fjalëve, talljes, përqeshjes, lëndimit të dinjitetit apo vonesës së qëllimshme në shlyerjen e borxheve dhe të ngjashme me këto — do të humbasë e do të kalojë pa llogari e pa ndëshkim.

Kurrë, pasha Allahun, kurrë!

Përkundrazi, patjetër që zullumqari dhe ai që i është bërë padrejtësi do të qëndrojnë para Allahut të Plotfuqishëm në Gjyqin e Drejtësisë Hyjnore, që Ai të gjykojë mes tyre me drejtësi të plotë. Në atë Ditë nuk do të ketë padrejtësi, nuk do të ketë ndërmjetësim nga miqësia, nuk do të ketë post, ryshfet e as dëshmi të rreme.

“Allahu do të gjykojë mes jush në Ditën e Gjykimit për ato gjëra rreth të cilave kundërshtoheshit.” (El-Haxh: 69)

Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Me të vërtetë, të drejtat do t’u kthehen zotëruesve të tyre në Ditën e Gjykimit, aq sa do të merret hak edhe për delen pa brirë ndaj deles me brirë që e ka goditur.” (Transmeton Muslimi)

O ju myslimanë!

Vërtet, padrejtësia është e ndaluar në çdo gjë dhe ndaj çdo njeriu. Ka thënë Shejhul Islam Ibn Tejmije:

“Drejtësia është një detyrim në çdo çështje dhe ndaj çdokujt, ndërsa padrejtësia është e ndaluar në çdo çështje dhe ndaj çdokujt. Prandaj nuk lejohet t’i bëhet padrejtësi askujt në asnjë rast, qoftë ai mysliman apo jomysliman, madje edhe nëse ai vetë është zullumqar.”

Prandaj kini frikë Allahun, o robër të Allahut, dhe kujtoni fjalën e Tij:

“O ju që keni besuar! Jini të vendosur për Allahun, dëshmitarë me drejtësi, dhe të mos ju shtyjë urrejtja ndaj një populli që të mos veproni me drejtësi. Bëhuni të drejtë, sepse kjo është më afër devotshmërisë.” (El-Maide: 8)

Gjithashtu, mos e harroni kërcënimin e Allahut të Lartësuar:

“E ti kurrsesi mos e mendo Allahun si të pakujdesshëm ndaj asaj që bëjnë zullumqarët! Ai vetëm po u jep afat deri në Ditën kur sytë e tyre do të mbeten të zgurdulluar nga tmerri.” (Ibrahim: 42)

O robër të Allahut!

Vërtet, Allahu i Madhëruar i ka kërcënuar zullumqarët me një ndëshkim të dhimbshëm në të dyja botët, dhe kjo është ngushëllim për ata që u është bërë padrejtësi.

Ndër pasojat e padrejtësisë është se zullumqari nuk gëzon një jetë të qetë. Ai jeton me një ndjenjë të vazhdueshme frike dhe ankthi, duke u frikësuar nga hakmarrja e të dëmtuarve dhe nga lutjet e tyre, të cilat nuk refuzohen.

Po ashtu, ndër pasojat e padrejtësisë janë sprovat që e godasin atë si pasojë e lutjeve të të dëmtuarve dhe përgjërimit të tyre para Allahut. Sa e sa herë këto lutje ua kanë turbulluar jetën zullumqarëve! Sa e sa herë u kanë sjellë atyre dhimbje, sëmundje, humbje të fëmijëve e të pasurisë, vrasje, tortura dhe fatkeqësi të tjera!

I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Tri lutje nuk refuzohen… ndër to është lutja e atij që i është bërë padrejtësi. Ajo ngrihet mbi re, për të hapen dyert e qiellit dhe Allahu i Lartësuar thotë: ‘Për Krenarinë dhe Madhështinë Time, do të të ndihmoj, qoftë edhe pas një kohe!’”

Ndërsa në botën tjetër, gjëja e parë që e godet zullumqarin është mallkimi: “Ditën kur zullumqarëve nuk do t’u bëjë dobi arsyetimi i tyre; për ta është mallkimi dhe për ta është vendbanimi më i keq.” (Gafir: 52)

Meditoni kur zullumqari të rrethohet nga paditësit e tij në Ditën e Gjykimit, ku secili kërkon të marrë të drejtën e vet prej tij. Ky i kap dorën, ai tjetri i kapet për fyti; njëri thotë: “Më bëri padrejtësi duke më mashtruar!”; tjetri thotë: “Më bëri padrejtësi dhe ma hëngri pasurinë!”; i treti thotë: “Më bëri padrejtësi dhe më përgojoi!”; një tjetër thotë: “Shpifi dhe gënjeu për mua!”; kjo është bashkëshortja që thotë: “Më bëri padrejtësi!”; ndërsa një tjetër thotë: “Më hëngri trashëgiminë!”… dhe kështu me radhë.

O çfarë fatkeqësie dhe çfarë dëshpërimi i madh, kur Zoti i Lartësuar të vijë për të gjykuar mes robërve të Tij me Gjykimin e Tij të Drejtë! Kur zullumqari të kuptojë se është i falimentuar, i varfër, i pafuqishëm dhe i poshtëruar, pa mundur të kthejë asnjë të drejtë dhe pa mundur të paraqesë asnjë arsyetim.

Pas gjithë kësaj, zullumqarët do të qëndrojnë në Zjarrin e Xhehenemit për aq kohë sa të dojë Allahu. Ky do të jetë përfundimi i tyre — e sa përfundim i keq dhe sa fund i mjerë!

“Dhe do t’u thuhet atyre që bënë padrejtësi: ‘Shijoni dënimin e Zjarrit, të cilin e përgënjeshtronit!’” (Sebe’: 42)