Lidhja e kontratave përmes mjeteve bashkëkohore të komunikimit

Lidhja e Hoxhallarëve
4 minuta lexim

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, paqja e bekimet qofshin mbi zotërinë tonë, Muhamedin, vulën e profetëve, si dhe mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij.

Vendimi Nr.: 52 (6/3)

Lidhur me dispozitën e lidhjes së kontratave përmes mjeteve bashkëkohore të komunikimit

Këshilli i Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam, i mbledhur në sesionin e Konferencës së tij të Gjashtë në Xhide, Mbretëria e Arabisë Saudite, nga data 17 deri më 23 Shaban 1410 H, që përkon me datat 14–20 Mars 1990, pasi shqyrtoi studimet e paraqitura pranë Akademisë lidhur me temën e lidhjes së kontratave përmes mjeteve bashkëkohore të komunikimit, duke marrë parasysh zhvillimin e hovshëm të mjeteve të komunikimit dhe përdorimin e tyre të gjerë në lidhjen e kontratave për shkak të shpejtësisë në kryerjen e transaksioneve financiare dhe veprimeve juridike, si dhe duke evokuar trajtesat e juristëve islamë lidhur me lidhjen e kontratave me anë të fjalës, shkrimit, shenjës apo lajmëtarit, dhe duke u nisur nga parimi i konsoliduar juridik se kontraktimi ndërmjet palëve të pranishme, duhet të jetë në të njëjtin kuvend dhe mjedis të kontraktimit -me përjashtim të testamentit, emërimit të kujdestarit dhe autorizimit-  përputhjen mes ofertës dhe pranimit, mungesën e çdo veprimi që dëshmon heqjen dorë të njërës palë nga kontraktimi, si dhe vijueshmërinë e menjëhershme mes ofertës dhe pranimit sipas normave të zakonit tregtar,

Vendosi sa vijon:

  • Së pari: Nëse kontraktimi kryhet ndërmjet dy palëve që nuk janë të pranishme në të njëjtin vend, ku asnjëra palë nuk e sheh drejtpërdrejt tjetrën dhe nuk ia dëgjon zërin, ndërsa mjeti i komunikimit mes tyre është shkrimi, letra ose ndërmjetësi apo i dërguari -dispozitë kjo që zbatohet edhe për telegramin, telegrafin, faksin dhe ekranet e kompjuterit-, në këtë rast kontrata konsiderohet e lidhur në momentin kur oferta mbërrin te pala të cilës i drejtohet dhe ajo e pranon atë.
  • Së dyti: Nëse kontraktimi lidhet ndërmjet dy palëve në kohë reale (njëkohësisht), ndonëse ndodhen në vende të ndryshme gjeografike -siç është rasti i komunikimit përmes telefonit dhe celularit- , ky veprim konsiderohet si kontraktim ndërmjet të personave të pranishëm, dhe mbi këtë rast zbatohen dispozitat themelore të përcaktuara nga juristët islamë, të përmendura në hyrje të këtij materiali.
  • Së treti: Nëse personi që jep ofertën, përmes këtyre mjeteve, jep një ofertë me afat të përcaktuar kohor, ai është i detyruar juridikisht t’i qëndrojë asaj gjatë gjithë asaj periudhe dhe nuk ka të drejtë ta revokojë atë para përfundimit të afatit.
  • Së katërti: Rregullat e sipërpërmendura nuk përfshijnë aktin e martesës, për shkak të kushtit të pranisë së dëshmitarëve në të, as këmbimin valutor, për shkak të kushtit të marrjes në dorëzim reciprok të menjëhershëm dhe as shitjen me paradhënie, për shkak të kushtit të dorëzimit të menjëhershëm të kapitalit/pagesës.
  • Së pesti: Çdo çështje që lidhet me mundësinë e falsifikimit, manipulimit apo gabimit, i nënshtrohet rregullave të përgjithshme juridike të provës dhe vërtetimit.

Allahu e di më së miri!

 

Burimi: https://iifa-aifi.org/ar/1789.html