Akademia e Fikhut Islam me qendër në Mekë
Subjekti: Transplantimi i organeve të trupit
Lavdërimi i takon vetëm Allahut, paqja dhe bekimi i Tij qoftë për Profetin tonë, pas të cilit nuk vjen profet tjetër.
Asambleja e Akademisë që Fikhut Islam në sesionin e saj të tetë të zhvilluar në Mekën e nderuar në qendrën e Ligës së Botës Islame, nga data 28 Rebiul Ahar 1405 h – 7 Xhumadil Ula 1405 h. / 19-28 Janar 1985 e.s. mori në shqyrtim çështjen e transplantimit të disa prej organeve të trupit të marra nga një njeri për te një tjetër, ku ky i fundit ka nevojë të domosdoshme për të për të zëvendësuar atë që tek ai ka dalë jashtë funksionit. Padyshim që transplantimi i organeve është një nga sukseset e rëndësishme të mjekësisë bashkëkohore si dhe të avancimit të mjeteve të përdorura. Akademia e Fikhut Islam në këtë rast i përgjigjet pyetjes që i është drejtuar asaj nga zyra e Ligës së Botës Islame në SHBA.
Akademia mori në shqyrtim studimin e paraqitur nga Prof. Shejh Abdullah ibn Abdurrhman Al-Basam rreth kësaj teme, në të cilin ai sqaronte mospajtimin që ekziston në mes dijetarëve të sotëm për këtë çështje, nëse lejohet transplantimi apo jo, si dhe argumentet fetare të secilit grup. Pas një diskutimi të gjerë ndërmjet anëtarëve të Asamblesë së Akademisë, Asambleja është e mendimit se argumentet e atyre që lejojnë transplantimin janë më të pranueshme, kështu që ajo vendosi si më poshtë:
Së pari: Marrja e një organi nga një njeri i gjallë dhe vendosja në trupin e një njeriu tjetër, i cili gjendet në një situatë domosdoshmërie dhe i shpëton atij jetën apo i kthen atij një nga funksionet bazë të saj, është një vepër e lejuar dhe nuk bie ndesh me fisnikërinë e njeriut që i është marrë kjo pjesë. Kjo vepër gjithashtu ka një dobi të madhe dhe një përfitim të pallogaritshëm për njeriun që përfiton nga ky transplantim dhe si e tillë ajo është një vepër e lejuar dhe e lavdëruar nëse përmbushen kushtet e mëposhtme:
1. Duhet që organi që merret nga dhuruesi të mos i shkaktojë atij dëm të atillë që i prish normalitetin e jetës, sepse një nga rregullat e Sheriatit thotë “Nuk lejohet që dëmi të largohet me një dëm të ngjashëm apo më të madh se ai”. Në këtë rast një dhurim i tillë do të ishte një vetëvrasje, gjë që nuk lejohet nga feja.
2. Duhet që dhurimi të jetë i lirë nga njeriu që e dhuron dhe jo i imponuar.
3. Duhet në këtë rast që transplantimi i këtij organi të jetë i vetmi mjet mjekësor i mundshëm, që kuron të sëmurin në gjendjen e jashtëzakonshme ku ai ndodhet.
4. Duhet që operacioni i marrjes dhe i transplantimit të ketë garanci të plotë apo të madhe se është i suksesshëm.
Së dyti: Rastet e mëposhtme janë të lejuara nga ana fetare:
1. Lejohet marrja e një organi nga një njeri i vdekur për të shpëtuar një njeri tjetër i cili ka nevojë të domosdoshme për të, me kusht që njeriu nga i cili merret ky organ të jetë i përgjegjshëm dhe ta ketë lejuar këtë gjë gjatë kohës që ai ishte akoma gjallë.
2. Lejohet marrja e organit nga çdo kafshë që theret dhe lejohet ngrënia e saj, ose edhe të tjera në raste domosdoshmërie, për tu transplantuar te njeriu që ndodhet në gjendje domosdoshmërie.
3. Lejohet marrja e një pjesë nga trupi i vetë personit për të riparuar një pjesë tjetër të tij, si p.sh. marrja e një pjese të lëkurës apo kockës së tij, nëse diçka e tillë është e nevojshme.
4. Lejohet të vendosen në trupin e njeriut pjesë të prodhuara artificialisht qofshin këto metale apo diçka tjetër, për ta kuruar atë nga sëmundja apo defektet, si p.sh. në nyjat e kockave, valvulin e zëmrës etj.
Në të katër këto raste Asambleja është e mendimit se lejohet fetarisht transplantimi duke iu përmbajtur kushteve të përmendura më sipër.
Gjatë diskutimit të kësaj çështje morën pjesë edhe këta mjekë:
1. Dr. Sejid Muhamed Ali El-Bar
2. Dr. Abdullah Baselameh
3. Dr. Halid Emin Muhamed Hasan
4. Dr. AbdulMabud Amareh Es-sejid
5. Dr. Abdullah Xhumah
6. Dr. Gazi El-haxhim
Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë për Profetin tonë Muhamed, familjen dhe shokët e tij. Lavdërimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve.
Burimi: http://www.themwl.org/Fatwa/default.aspx?d=1&cidi=99&l=AR&cid=12