A agjërohen ditët e Shevalit pa bërë nijetin natën?

Lidhja e Hoxhallarëve
3 minuta lexim

بسم الله الرحمن الرحيم

Pyetje: Kam dëgjuar që ditët e Shevalit mund të agjërohen pa e bërë nijetin natën, a është e vërtetë?

Përgjigje: Shumica e dijetarëve mendojnë se agjërimi i ditëve të pëlqyera përtej Ramazanit nuk është detyrë të bëhet nijeti për to gjatë natës, por mund të agjërohet dhe nëse nijeti bëhet pas sabahut. Në një hadith profetik që e tranmetojnë Ebu Davudi nr 2454 dhe Tirmidhiu nr 730 përcaktohet koha kur bëhet nijeti. Profeti (alejhissalatu uesselam) thotë: “Kush nuk e bën nijetin për agjërim gjatë natës, për të nuk ka agjërim.” Ky hadith vlen për agjërimin farz dhe jo për agjërimin vullnetaf (nafile). Ky dallim mes farzit dhe agjërimit vullnetar argumentohet me hadithin tjetër ku Aishja r.a, tregon se Profeti (alejhisssalatu uesselam) një ditë kishte kërkuar diçka për të ngrënë dhe ajo kish thënë: “Nuk kemi asgjë.” Në këtë rast Profeti (alejhissalatu uesselam) tha: “Atëherë unë po agjëroj.” Transmetoi Muslimi nr 1154. Në një rast tjetër, në ditën e Ashurasë, Profeti (alejhissalatu uesselam) dërgoi një njeri tu thërrasë njerëzve: “Ata që kanë ngrënë ta plotësojnë pjesën e mbetur të ditës (me agjërim), kurse ata që nuk kanë ngrënë gjë le të agjërojnë.” Transmetoi Buhariu nr 1924. Pra vlen të niset agjërimi duke e bërë nijetin gjatë ditës, me kusht që të mos kenë ngrënë gjë prej agimit, në mënyrë që t’i vleja dita e agjërimit e plotë.

Sipas medh’hebit Hanefi dhe Shafi nijeti për agjërim vullnetar ka kohë deri pa u futur namazi i drekës. (Kenz ed-Dekaik 1/219 dhe el-Mexhmu 6/292. Ndërsa sipas medh’hebit Hanbeli mund të bëhet nijeti për agjërim vullnetar përgjatë gjithë ditës. (el-Kafi 1/440). Kurse sipas medh’hebit Maliki nuk lejohet të bëhet nijeti gjatë ditës, por duhet bërë njëjtë sikur agjërimi farz. (el-Kafi fi fikhi ehli el-Medine 1/335).

Përtej argumenteve që përmendëm, mendimi i shumicës së juristëve islamë të medh’hebeve mbështetet dhe te thënia e Ibn Umerit i cili pasi përcjell hadithin e sipër përmendur: “Kush nuk e bën nijetin për agjërim gjatë natës, për të nuk ka agjërim”, ai sqaron: “Kjo vlen për agjërimin farz”, (transmetoi ed-Darimi nr 1740), pra duke lënë të kuptohet se për agjërimin vullnetar mundet të bëhet nijeti gjatë ditës.

Allahu e di më së miri!

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH