Pyetje: Në një hadith është përmendur, se nuk duhet të prihen thonjtë dhe nuk duhet të shkurtohen flokët për atë që do të bëjë kurban derisa ta bëjë kurbanin. Pyetja është: A është kjo detyrë, pra nëse presim thonjtë ose flokët, a kemi marrë gjynah dhe a na vlen kurbani, sepse na qëllon të jemi në punë dhe na duhet të ruajmë pamjen, që na kërkohet në punë?
Përgjigje: Së pari duhet të kemi parasysh, se vetë Kurbani është detyrë te disa dijetarë dhe është sunet te shumica e dijetarëve. Ndërsa për sa i përket çështjes së prerjes së thonjve apo shkurtimit të flokëve për atë që e ka bërë nijetin për të bërë kurban vetëm imam Ahmedi mendon, se ëshë detyrë të mos preken thonjtë dhe qimet në trup deri sa të bëhet kurbani. Të gjithë dijetarët e tjerë mendojnë se nuk është vaxhib, por është sunet dhe pjesë e etikës së riteve të Kurbanit, ku kërkohet nga besimtari, që të tregojë nënshtrim dhe përkushtim për Zotin e tij, mirëpo mendojmë se nëse nuk i përmbahet këtij rregulli ai ka bërë mekruh dhe jo haram sipas pjesës dërrmuese të dijetarëve. Ndërsa hadithi ku Profeti (alejhis-salatu ues-selam) ka thënë: “Kur të futen dhjetë ditët e para të muajit Dhul-Hixheh dhe ndonjëri prej jush ka dëshirë të bëjë kurban mos t’i prekë thonjë dhe qimet e tij!”, e transmeton Muslimi në Sahihun e tij. Në këtë hadith së pari kuptohet, që kurbani nuk është detyrë përderisa e la çështjen në dëshirë dhe nuk mund të jenë mos prekja e thonjve apo qimeve në trup detyrë derisa të bëhet kurbani, kur vetë kurbani nuk është detyrë, aq më tepër që nuk mund të jetë as kusht për vlefshmërinë e kurbanit. Andaj nga kjo kuptojmë, se nëse dikush e ka të nevojshme të presë thonjtë apo të pastrohet nga qimet në trup apo të presë ose rregullojë flokët, mustaqet apo mjekrën e tij mund ta bëjë, mirëpo këshillojmë që sa të jetë e mundur t’i përmbahemi kësaj etike dhe kësaj tradite profetike brenda mundësive.