بسم الله الرحمن الرحيم
Pyetje: Kam lexuar një hadith në internet, që nuk e kisha dëgjuar më parë, dhe shënohej se e kishte transmetuar Muslimi. Më erdhi çudi rreth tij dhe doja të dija më shumë rreth këtij hadithi.
Pejgamberi (alejhisselam) ka thënë: “Kushdo që bën istigfar (kërkim faljeje), Allahu do t’i gjejë një rrugëdalje nga çdo ngushtim i tij, do t’ia zgjidhë të gjitha brengat dhe do t’i japë furnizim nga vendi ku nuk e pret.” (Muslimi)
Përgjigje: Ky hadith nuk gjendet në Sahihun e Muslimit, por e transmetojnë Imam Ahmedi në El-Musned, nr. 2234, Ebu Davudi, nr. 1518, dhe Ibn Maxheh, nr. 3819. Në zinxhirin e transmetimit (sened) gjendet El-Hakem ibn Mus’abi, i cili konsiderohet transmetues i panjohur (mexhhul). Për këtë arsye, transmetime të tilla konsiderohen të dobëta, pasi autenticiteti i tyre nuk është vërtetuar.
Ndërkohë, ka hadithe të tjera të sakta që flasin për istigfarin dhe vlerën e tij. Prej tyre mund të përmendim hadithin që e përcjell Bilal ibn Jesar ibn Zejdi nga Profeti (alejhissalatu uesselam), i cili thotë: “Kush thotë: ‘Kërkoj falje prej Allahut të Madhërishëm, përveç të Cilit nuk ka hyjni tjetër që meriton të adhurohet, të Gjallit të Amshuar, Vetëqëndrueshmit që mban dhe përkujdeset për gjithçka, dhe tek Ai pendohem’, Allahu do ta falë, edhe nëse ka ikur nga fusha e betejës.” (Transmetuan Ebu Davudi, nr. 1517, dhe Tirmidhiu, nr. 3577).
Gjithashtu, rreth ndikimit të istigfarit (kërkimit të faljes nga Allahu) flet vetë Zoti në Kuran, ku thotë: “Dhe u thashë: Kërkoni falje prej Zotit tuaj, sepse Ai është Falës i madh. Ai do t’ju dërgojë shi të bollshëm nga qielli, do t’ju shtojë pasuri dhe fëmijë, do t’ju japë kopshte dhe do të bëjë që për ju të rrjedhin lumenj.” (Nuh, 10–12)
Në fund, këshillojmë që çdokush që bën ndonjë postim me tekste fetare, duhet të bëjë kujdes dhe ta verifikojë mirë para se ta postojë. Por edhe lexuesi të pyesë për çdo dyshim që mund të hasë.
Allahu e di më së miri!
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH
