A JE VËRTET AGJËRUES?!

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 9 minuta lexim

H. Uthman Agolli

Allahu i lartesuar ne perfundim te ajeteve te agjerimit thote: “Mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar. Mos ndërhyni te gjykatësit me rryshfete, për të grabitur në mënyrë të padrejtë një pjesë të pasurisë së njerëzve të tjerë, kur ju e dini.” (Bekare 188)

 

Shpjegimi i ajetit

– “Mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar.” – Kuptimi: Mos i merrni pasuritë tuaja me padrejtësi. Fjala e përdorur është “emuâlekum” – “pasuritë tuaja”, edhe pse qëllimi është “pasuritë e të tjerëve”. Kështu, Allahu i Lartësuar na udhëzon që ne ta konsiderojmë shoqërinë si një bashkësi të vetme, ku nuk ka “ne” dhe “të tjerë”.

Pasuria e vëllait konsiderohet si pasuria ime. Ashtu sikurse nuk duam që të na i marrin pasurinë tonë pa të drejtë, po të njëjtën gjë duhet të dëshirojmë edhe për vëllain musliman. Nëse do t’ia lejonim vetes që të merrnim pasurinë e vëllait pa të drejtë, po kështu duhet të pranonim që edhe të tjerët të na merrnin pasurinë tonë pa të drejtë.

Duke qenë se fitimi dhe marja e pasurisë prej tjetrit është dy llojesh: e drejtë dhe e padrejtë, Allahu i Lartësuar përcaktoi si të ndaluar vetëm përfitimin me padrejtësi. Ka shumë forma përfitimi të padrejta, prej të cilave mund të përmendim:

1. Marrja e pasurisë nëpërmjet grabitjes, vjedhjes, mashtrimit, shkeljes së amanetit e të tjera si këto.

2. Kërkimi dhe pranimi i rryshfeteve, përfitimi nga fajdet, kumari e të tjera të ngjashme. Të gjitha këto mënyra fitimi janë të padrejta dhe nuk janë të lejuara nga Sheriati.

3. Marrja e pasurisë së njerëzve duke ngrënë në peshë, duke mashtruar në shitblerje, qiradhënie etj.

4. Të marrësh tjetrin në punë dhe të mos i japësh hakun që i takon (sipas marrëveshjes).

5. Fitimi që merr njeriu për një punë, së cilës nuk ia bën hyzmetin ashtu siç duhet.

6. Fitimi që merret për adhurime, të cilat nuk mund të jenë të sakta nëse me to synohet shpërblimi material, e jo kënaqësia e Allahut.

7. Përfitimi prej zekatit dhe sadakasë, nëse nuk hyn në kategorinë e njerëzve që përfitojnë prej tyre. E tillë është edhe marrja prej kësaj pasurie më tepër sesa është e përcaktuar nga Sheriati, ose më tepër sesa është e nevojshme. Të gjitha këto që u përmendën janë mënyra të ndaluara të përfitimit të pasurisë së njerëzve. Këto mënyra janë të palejueshme, edhe sikur të arrihen nëpërmjet gjykatësve, të cilëve u është dhënë rryshfet.

Ali Ibn Ebu Talhate përcjell nga Ibn Abasi, që, duke shpjeguar ajetin, ka thënë se: ky ajet flet për atë njeri i cili ka detyrime financiare kundrejt një pale të dytë, por që nuk ekziston ndonjë provë për këtë detyrim dhe ai e refuzon dhe mohon se e ka një detyrim të tillë, ndaj ai e ngre çështjen tek një gjyqtar, edhe pse e di mirë se nuk ka të drejtë dhe e di mirë se po e merr atë pasuri padrejtësisht. Disa selefë kanë thënë: “Mos polemizo për një çështje për të cilën e di mirë se nuk ke të drejtë.”

Në dy Sahih-ët shënohet prej Umi Selemete se Profeti i Allahut ka thënë: “Unë jam veçse një njeri dhe para meje vijnë njerëz që kërkojnë gjykimin tim. Por ndodh që dikush të jetë më i aftë për të kërkuar dhe parashtruar argumentet e veta, se kundërshtari i vet. Dhe mund të ndodhë që unë të gjykoj në favor të tij, në lidhje me ndonjë të drejtë të muslimanit. E pra, le ta dijë ky njeri se ajo është një copë nga zjarri (i Xhehenemit). Le ta marrë ose le ta lerë (nëse nuk ka të drejtë)!”

Ajeti dhe hadithet e Profetit na tregojnë se gjykimi dhe verdiktet që jep gjyqtari nuk ndryshojnë gjë nga realiteti dhe e vërteta. Kështu, ato nuk mund të bëjnë hallall diçka që në të vërtetë është haram dhe nuk mund të bëjnë haram diçka që në të vërtetë është hallall. Ky lloj gjykimi thjesht bëhet i detyrueshëm për t’u zbatuar në ligjet e kësaj dynjaje. Nëse i qëllohet të vërtetës, kjo është mirësi. Por nëse gjykatësi nuk ia qëllon, ai merr vetëm një shpërblim, pra, shpërblimin për gjykimin sipas provave të ofruara, ndërsa ai që ka bërë hile merr gjynahun. Prandaj i Lartësuari tha:

– “Mos ndërhyni te gjykatësit me rryshfete, për të grabitur në mënyrë të padrejtë një pjesë të pasurisë së njerëzve të tjerë, kur ju e dini.” – Pra, kur e dini mirë se kjo që po kërkoni padrejtësisht është e gabuar dhe përpiqeni ta paraqesni si të pranueshme dhe të drejtë përmes fjalëve tuaja. Shpesh, ndodh që njerëz të padrejtë, me mundësitë dhe argumentimin e tyre, i bindin gjykatësit që t’i lejojnë të përfitojnë padrejtësisht nga pasuritë e të tjerëve. Por, sido që të jetë, gjykimi i një gjykatësi nuk e bën të lejuar tek Allahu atë që është haram dhe nuk e bën haram atë që është e lejuar.

Tek Allahu i Lartësuar çështjet mbeten gjithnjë ashtu sikurse janë në të vërtetë. Pra, njeriu i padrejtë të mos mendojë kurrë që vendimi i gjykatësit në favor të tij është i pranueshëm tek Allahu, sepse Allahu i Lartësuar i njeh fshehtësitë deri në imtësi. Atëherë, nëse dikush fiton padrejtësisht një pasuri, në bazë të një vendimi gjykate, e ka përsëri haram që ta marrë atë pasuri.

Nëse ai e merr, konsiderohet prej atyre që hanë pasurinë e njerëzve pa të drejtë, prandaj meriton ndëshkimin e Allahut të Lartësuar. Ndëshkimi i tij është i meritueshëm, sepse ai e ka grabitur pasurinë e tjetrit me vetëdije dhe me mashtrim. Po kështu edhe avokati i çështjes së këtij të padrejti duhet të mos bëhet palë me padrejtësinë.

Pra, nëse ai sigurohet që klienti i tij nuk ka të drejtë në pretendimet e veta, atëherë nuk i lejohet që ta mbrojë, sikurse thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “Ne të kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin (Kur’anin) me të vërtetën, që të gjykosh mes njerëzve me atë që të mësoi Allahu. Mos u dil kurrë në krah tradhtarëve! Kërkoji falje Allahut, sepse Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. Mos polemizo në emër të atyre që tradhtojnë vetveten! Allahu nuk i do ata që janë tradhtarë e gjynahqarë.” [Nisa, 105 – 107].