بسم الله الرحمن الرحيم
Pyetje: A lejohet dhënia e selamit në formë të shkurtuar “Selam!” dhe shqiptimi i tij me o, “Selom!”? Është një formë që e kam dëgjuar shpesh te muslimanët dhe nuk më duket normale.
Përgjigje: Për sa i përket formës së shkurtuar, ajo nuk është e ndaluar, madje është përdorur edhe në gjeneratat e para, kur ata shkëmbenin letra me njëri-tjetrin dhe në fund shënonin “Uesselam!”, mirëpo kuptimin e plotë e merr kur i shtohet nyja shquese el, pra, Esselam dhe jo Selam.
Ndërsa shndërrimi i fjalës Selam gjatë shqiptimit në Selom, është problematike kur ajo bëhet me qëllim, sepse në këtë formë jo vetëm që nuk i jep seriozitetin e duhur termave fetarë, por mund të kalojë në tallje dhe përçmim. Kurse në rastin e përdorimit pa pasur qëllim, por thjesht është mësuar ashtu nga përdorimi i të tjerëve, nuk është etike dhe e drejtë. Selami nuk është thjesht një përshëndetje e formuluar nga disa fjalë me kuptim gjuhësor të caktuar, por është lutje që muslimanët ia bëjnë njëri-tjetrit sa herë që takohen dhe ndahen, dhe mbi të gjitha, është një nga emrat e Allahut. Në një hadith profetik që e përcjell Enes ibn Maliku, Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: “Selami është një prej emrave të Allahut, që e ka zbritur në tokë, andaj përhapeni atë mes jush.” (Transmetoi Buhariu në Edeb el-Mufred, nr. 989)
Theksojmë gjithashtu se Selami, duke qenë njëri prej emrave të përveçëm të Allahut, duhet përdorur me nyjën shquese “Esselamu”. Pra, dhënia e selamit nuk është vetëm një traditë profetike kur e përdorim sa herë që takohemi dhe ndahemi nga njëri-tjetri, por ka me tepër vlerë, më shumë bekim dhe më shumë sevape, kur kemi për qëllim përhapjen mes nesh të njërit prej emrave të Allahut. Kësisoj, këshillojmë që të jemi më korrektë, më të saktë dhe më seriozë në shqiptimin e selamit.
Gjithashtu, këshillojmë të jepet selami siç është përcjellë në hadithet profetike, për të arritur shpërblimet maksimale: Esselamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!
Në një hadith profetik është përmendur se dhjetë sevape muslimani i fiton me pjesën e parë të selamit “Esselamu alejkum, dhjetë i fiton me “Ue rahmetullah” dhe dhjetë të tjera me “Ue berekatuhu”, pra, 30 sevape të plota. (Transmetuan Ebu Davudi, nr. 5195 dhe Tirmidhiu, nr. 2689)
Allahu e di më së miri!
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH-së