A lejohet shprehja: Zoti para dhe ne pas

Lidhja e Hoxhallarëve
3 minuta lexim

بسم الله الرحمن الرحيم

Pyetje: A lejohet të përdoret shprehja: “Zoti para dhe ne pas”?

Përgjigje: Sa i përket kësaj shprehjeje dhe të ngjashmeve me të, fillimisht duhet të kuptojmë kontekstin kuptimor në të cilin përdoren.

Zakonisht, në praktikë, njerëzit i përdorin këto shprehje në situata pasigurie apo rreziku: kur përballen me sfida të vështira, kriza familjare, ndërhyrje mjekësore apo operacione. Gjithashtu përdoren kur nisin një punë ose një rrugëtim të ri. Në këtë kuptim, në kulturën tonë, “Zoti para e ne pas” përdoret më shumë si një lutje e thjeshtë dhe e sinqertë, e shprehur jo me formulime fetare të transmetuara, por me gjuhë popullore.

Për shembull: “Po e hap këtë biznes, Zoti para e ne pas”, që nënkupton: shpresoj te Zoti dhe, njëkohësisht, do të bëj përpjekjen time. Ose: “Zoti para e mjeku pas”, duke nënkuptuar se shpresa dhe mbështetja janë te Zoti, ndërsa më pas vjen ndërhyrja njerëzore me ndihmën e Zotit.

Baza fetare e këtij kuptimi në akide (shkencën e besimit) lidhet me hadithin e Profetit Muhamed (alejhissalatu uesselam): “Mos thoni: ‘Ashtu deshi Allahu dhe filani’, por thoni: ‘Ashtu deshi Allahu, pastaj deshi filani.” (Ebu Davudi nr. 4980, Ibn Maxheh nr. 2118).

Ky hadith na mëson se duhet pasur kujdes në formulim. Përdorimi i lidhëzës “dhe” mund të japë përshtypjen e barazimit mes vullnetit të Allahut dhe atij të njeriut, ndërsa përdorimi i “pastaj” tregon rend dhe vartësi: së pari vullneti i Allahut, pastaj vullneti i njeriut, i cili është i varur prej Tij.

Për këtë, Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Ju nuk mund të dëshironi (asgjë), përveç nëse dëshiron Allahu.” (Surja El-Insan 30). Nga ky koncept besimor kuptojmë edhe domethënien e fjalës së Profetit Ibrahim, të cilën na e përcjell Allahu në Kuran: “Kur sëmurem, Ai më shëron.” (Surja Esh-Shuara 80). Ndërkohë, feja porosit që njeriu duhet të kurohet e të gjejë shërim, por shërimi i atribuohet drejtpërdrejt Allahut, ndërsa mjeku dhe mjekësia janë vetëm shkak.

Sidoqoftë, shprehjet popullore janë të shumta dhe gjykimi për to varet nga kuptimi që japin në përdorim. Nëse ato nënkuptojnë dhënie të atributeve hyjnore krijesave, atëherë janë të ndaluara, sepse bien ndesh me teuhidin (njëshmërinë e Allahut) dhe e cenojnë atë.

Prandaj, është e rëndësishme që shprehjet të formulohen qartë dhe në përputhje me parimet e besimit, ngase jo vetëm qëllimi, por edhe formulimi i fjalës ka rëndësi në ruajtjen e akides.

Allahu e di më së miri!

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH