Pyetje: A lejohet të nxirret jashtë xhamisë një person i prekur me Covid-19, nëse ai këmbëngul për t’u falur në xhami?
Përgjigje: Për sa i përket distancimit, që duhet bërë nga personat, të cilët janë të infektuar me sëmundje ngjitëse, ose të prekur nga epidemi të caktuara janë transmetuar hadithe të ndryshme. Në fetva të kaluara kemi përmendur hadithin profetik nga Shurejd ibn Suvejdi, i cili na tregon, se në mesin e delegacionit të fisit Thekif, të cilët kishin ardhur te Profeti (për t’i dhënë besën për Islamin e tyre ishte dhe një njeri me lebrozë, prandaj Profeti (alejhis-salatu ues-selam) dërgoi dikë t’i thoshte: “Ta kemi marrë besën tënde andaj mund të kthehesh (pra pa shtrënguar duart).” Transmetoi Muslimi.
Ndërsa për sa i përket rastit, kur dikush i infektuar futet në xhami, dhe përbën rrezik për shendetin ose jetën e të tjerëve ai duhet të dale, dhe mos të prezentojë aty. Edhe në rastin kur i kërkohet një gjë e tillë dhe ai nuk del dhe këmbëngul, atëherë lejohet që autoritetet e myftinisë të gjejnë mënyrën për ta nxjerrë jashtë qoftë edhe pa dëshirën e tij, mirëpo jo nëpërmjet formave të dhunës, të cilat janë të ndaluara. Për këtë gjë Omeri r.a. na tregon, se në kohën e Profetit (alejhis-salatu ues-selam), kur dikush hante hudhër ose qepë dhe era e tij kundërmonte në xhami jepej urdhër, dhe kapej prej dore, dhe nxirrej prej xhamisë. Transmetoi Ahmedi në Musnedin e tij nr. 89. Kjo gjë bëhej, që të mos mundoheshin të tjerët nga era e tij dhe jo sepse kishte ndonjë gjë shëndetësore serioze. Kurse në rastin konkret, kur bëhet fjalë për dëme shëndetësore të mirëfillta, apo në rastin më të keq për sigurinë e jetës së njerëzve, atëherë është akoma më parësore, që njerëz të tillë duhet të dalin nga xhamia, dhe mos të qëndrojnë në asnjë vend tjetër publik, por të ndjekin masat konkrete, që vendosen në raste të tilla.