Pyetje: Në këto ditë që jemi të izoluar dhe nuk kemi aktivitete jashtë e kemi më të lehtë për të agjëruar. Kam dëgjuar që mund ta fillosh agjërimin edhe gjatë ditës pa u çuar për syfyr, a është e vërtetë?
Përgjigje: Për sa i përket agjërimit vullnetar ndryshon nga agjërimi i detyruar në çështjen e nijetit. Pra ka tolerancë për bërjen e nijetit më shumë tek agjërimi vullnetar. Për agjërimin e Ramazanit për shembull nijeti për ditën e nesërme duhet të bëhet patjetër brenda natës deri para se të agojë, kur mbyllet koha e syfyrit. Kurse për agjërimin vullnetar mund ta bëjë nijetin edhe më pas. Për shembull nëse çohet nga gjumi dhe e shikon të arsyeshme të agjërojë mund ta bëjë nijetin, që në atë moment dhe e nis agjërimin, me kusht që të mos ketë ngrënë asgjë dhe mos të jetë futur koha e namazit të drekës. Pra afati për të bërë nijetin ditën për të agjëruar një ditë vullnetarisht është deri pa u futur koha e namazit të drekës. Të këtij mendimi janë medh’hebi hanefi, shafi dhe hanbeli dhe pjesa dërrmuese e dijetarëve. Kjo është përcjellë edhe nga shumë sahabë si Aliu, Abdullah ibn Mesudi, Abdullah ibn Abasi, Hudhejfeja, Enesi etj. Kurse medh’hebi maliki dhe ai dhahiri e ndalojnë një gjë të tillë dhe mendojnë, se nijeti duhet bërë para agimit.
Argumenti që e lejon këtë gjë është hadithi i Aishes, bashkëshortes së Profetit (alejhis-salatu ues-selam), e cila tregon se një ditë Profeti e kish pyetur: “A ka diçka për të ngrënë?” Pasi Aishja i kish thënë, se nuk kishte gjë për të ngrënë atëherë Profeti (alejhis-salatu ues-selam) tha: “Unë po agjëroj.” Transmetoi Muslimi.
Sidoqoftë e këshillojmë, që agjërimi më i mirë është kur njeriu çohet për syfyr dhe ka mundësi qoftë për nijetin gjatë natës, por dhe për të ngrënë apo për të pirë diçka, sepse koha e syfyrit dhe e ushqimit në të është e bekuar, siç na tregon vetë Profeti (alejhis-salatu ues-selam).
Komisioni Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH