Pyetje: Këtë vit dita e Ashurasë qëllon ditë e shtunë dhe nëse zbatojmë sunetin për të agjëruar një ditë përpara që është dita e premte për të cilën ka ndalesë, si duhet t’ia bëjmë dhe a mund të agjërojmë një ditë më pas?
Përgjigje: Po është e vërtetë që sipas sunetik profetik Dita e Ashurasë duhet agjëruar e shoqëruar me një ditë para. Profeti (alejhis-salatu ues-selam) ka thënë: “Nëse do të jetoja vitin e ardhshëm do të agjëroja dhe ditën e nëntë (të Muharremit).” Transmetoi Muslimi. Pra, një ditë para ditës së Ashurasë, e cila është dita e dhjetë e Muajit Muharrem. Kurse ndalesa që ka ardhur për agjërimin e ditës së xhuma është ndalesë, që lidhet me këtë ditë kur e veçojmë nga ditët e tjera, duke i dhënë rëndësi të veçantë pa argumentin përkatës, ndërsa kur agjërohet e shoqëruar me ditë të tjera, ose përkon me ndonjë ditë agjërimi sunet, siç është Dita e Arafatit, apo dita e Ashurasë nuk ka asnjë ndalesë për këtë, pra në rastin konkret mund të agjërohet dita e xhuma dhe dita e shtunë. Ndërkohë ka hapësirë, që të agjërohet dita e shtunë dhe dita e djelë, edhe pse më e preferueshme është që dita e shoqërimit të jetë një ditë para.
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH.