A mund të agjërojë haxhiu në Arafat?

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 5 minuta lexim

بسم الله الرحمن الرحيم

Pyetje: Jam në haxh dhe a më lejohet të agjëroj ditën e Arafatit që të arrij shpërblimet e mëdha që janë përmendur për këtë ditë?

Përgjigje: Agjërimi i ditës së Arafatit është sunet për ata që nuk janë në Haxh. Kjo praktikë profetike është përcjell ndër breza bazuar në hadithin profetik ku tregohet se kur është pyetur Profeti (alejhissalatu uesselam) për agjërimin në këtë ditë ka thënë: “Ai është agjërim nëpërmjet të cilit Allahu shlyen gjynahet e vitit të kaluar dhe atij që do vijë.” (Transmeton Muslimi nr. 1162)

Ndërsa për sa i përket agjërimit në ditën e Arafatit për haxhilerët, përcillet se vetë Profeti (alejhi salatu ue selam) ka pirë në sytë e haxhilerëve nga një enë me qumësht, pasi njerëzit iu ankuan në Arafat për agjërimin e asaj dite. (Buhariu nr. 1989)

Kur Abdullah ibn Umeri është pyetur për këtë ai është përgjigjur duke thënë:

“Kam bërë haxhin me Profetin (alejhissalatu uesselam), por ai nuk e ka agjëruar ditën e Arafatit. Kam bërë haxhin më pas me Ebu Bekrin dhe ai nuk e ka agjëruar atë ditë. Kam bërë haxhin me Umerin, por as ai nuk e ka agjëruar atë ditë. Kam bërë haxhin edhe me Uthmanin dhe as ai nuk e ka agjëruar atë ditë. Kështu që unë vetë nuk e agjëroj atë ditë. Nuk urdhëroj askënd ta agjërojë, por nuk ndaloj askënd të agjërojë.” (Transmeton Ahmedi nr. 5080 dhe Tirmidhiu nr. 750)

Për ta kuptuar më mirë këtë hadith vetë imam Tirmidhiu menjëherë pas transmetimit të hadithit shprehet: “Me këtë hadith kanë punuar shumica e dijetarëve të hershëm, duke e parë të pëlqyer të mos agjërohet dita e Arafatit në haxh, që të jenë më të fortë (qëndrueshëm) për të bërë lutje në ditën e Arafatit edhe pse disa prej dijetarëve kanë agjëruar në ditën e Arafatit në Arafat.”

Siç shikojmë agjërimi në ditën e Arafatit për haxhilerët nuk është i pëlqyer, duke qenë se vetë Profeti (alejhissalatu uesselam), Ebu Bekri pas tij, Umeri dhe Uthmani nuk kanë agjëruar. Mirëpo siç shihet nga fjala e Ibn Umerit nuk është e ndaluar të agjërohet, pra nuk është e preferuar, por në të njëjtën kohë nuk është e ndaluar. Ndërsa për sa i përket hadithit ku tregohet se Profeti (alejhissalatu uesselam) e ka ndaluar për haxhilerët të agjërojnë në ditën e Arafatit, e transmetojnë Ebu Davudi nr .2440 dhe Ibn Maxhe nr. 1732 dhe zinxhiri i transmetuesve është i dobët, që do të thotë se hadithi nuk vlen për t’u argumentuar në normat fetare. Për këtë arsye shikojmë se shkollat juridike kanë dhënë këto mendime:

Medh’hebi hanefi shprehet se haxhiu e ka të pëlqyer të agjërojë në ditën e Arafatit nëse kjo gjë nuk e dobëson atë për qëndrimin e tij përgjatë gjithë ditës në Arafat për të bërë dua, për të arritur të dyja mirësitë bashkë. A nëse kjo gjë e dobëson atë atëherë agjërimi është i papëlqyer. (Bedai es-Sanai 2/79)

Medh’hebi Maliki mendon se agjërimi në ditën e Arafatit për haxhilerët është i papëlqyer (mekruh). (Meuahib el-Xhelil 2/401)

Medh’hebi Shafi dhe medhhebi hanbeli mendojnë se është më e preferueshme për haxhilerët të mos agjërojnë në ditën e Arafatit. (el-Mexhmu” 6/380, el-Mugni 3/179)

 

Nga sa thamë më sipër, mendojmë se nuk ka ndalesë të drejpërdrejtë për agjërimin e haxhilerëve në ditën e Arafatit, mirëpo më e preferueshme është të zbatohet ajo që ka vepruar Profeti (alejhissalatu uesselam), Ebu Bekri, Umeri dhe Uthmani të cilët nuk e kanë agjëruar atë ditë në kohë haxhi.

Allahu e di më së miri!

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH

Etiketat