بسم الله الرحمن الرحيم
Pyetje: A mund të bëhet kurban dashi i tredhur, apo konsiderohet kjo një e metë që e pengon vlefshmërinë e kurbanit?
Përgjigje: Dashi i tredhur nuk konsiderohet i ndaluar për kurban, sepse tredhja në vetvete nuk hyn te të metat fizike apo sëmundjet që e bëjnë kafshën të pavlefshme për kurban. Prandaj, lejohet që kurbani të bëhet me dash të tredhur.
Madje, në një hadith të transmetuar nga Xhabir ibn Abdullahu, si dhe nga Aishja sipas një versioni tjetër, thuhet:
“I Dërguari i Allahut (alejhissalatu uesselam) solli dy deshë me brirë, me ngjyrë të bardhë të përzier me të zezë, të mëdhenj dhe të tredhur. Pastaj i bëri kurban: njërin për veten dhe familjen e tij, ndërsa tjetrin për umetin e tij.” (Musned Ebu Ja’la nr. 1792 dhe Sunen Ibn Maxheh nr. 3122
Edhe pse dijetarët kanë diskutuar rreth forcës së zinxhirit të transmetimit (senedit) të këtij hadithi, shkollat juridike islame e kanë pranuar kuptimin dhe praktikën e tij si argument për lejueshmërinë e kurbanit me dash të tredhur.
Madje, Imam Ibn Kudame el-Makdisi ka thënë: “Nuk kam parë ndonjë mospajtim mes dijetarëve rreth kësaj çështjeje.”
Për më tepër mund të shikohen këto referenca: el-Mebsut 4/142, el-Mukaddimat el-Mumehhidat 3/472, Esna el-Metalib 1/536, el-Mugni 3/476.
Allahu e di më së miri!
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH
