Vlera e madhe e muajit Dhul-Hixhe

Lidhja e Hoxhallarëve
5 minuta lexim

Sapo kemi hyrë në muajin e Dhul-Hixhes, i cili është edhe muaji i fundit i kalendarit hënor për vitin 1447 h.

 

Allahu i Madhëruar në suren el-Fexhr, betohet: “Pasha Agimin! Pasha dhjetë netët! Pasha çiftin dhe pasha tekun!”. (el-Fexhr 1-3)

 

Në komentimin e këtyre ajeteve, Ibn Abasi shpjegon: “Netët e përmendura në ajet janë netët e dhjetë ditëve të para të muajit Dhul-Hixhe, ndërsa çifti është dita e dhjetë, që është dita e Kurban Bajramit, kurse teku është dita e nëntë, pra dita e Arafatit.”

 

Siç shihet, Allahu i Madhëruar është betuar në netët e dhjetë ditëve të Dhul-Hixhes, ku më pas ka veçuar ditën e Arafatit dhe ditën e Bajramit, e cila përkon me ditën kur haxhilerët, pas lindjes së diellit, nisen për në Mina, hedhin guralecët në Akabenë e Madhe, bëjnë kurbanin dhe qethin ose rruajnë kokat e tyre.

 

Duke treguar për vlerën e madhe të këtyre dhjetë ditëve, Profeti Muhamed (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Ditët në të cilat puna e mirë është më e dashur tek Allahu janë dhjetë ditët e Dhul-Hixhes.” Të pranishmit e pyetën: “Puna në këto ditë është më e mirë sesa vetë xhihadi (lufta) në rrugë të Allahut?” Profeti (alejhi salatu ue selam) u përgjigj: “Po! Vetëm nëse njeriu del me veten dhe pasurinë e tij në rrugë të Allahut dhe nuk kthehet më.” (Transmetoi Buhariu)

 

Ndërsa Ibn Umeri, në shpjegim të këtij hadithi, thotë: “Nuk ka ditë më madhështore tek Allahu sesa dita e xhumasë, përveç dhjetë ditëve të Dhul-Hixhes, sepse punët e mira në këto ditë janë të barabarta me punët e mira të gjithë vitit.”

 

Ndërkohë, dijetarët islamë kanë shpjeguar edhe pyetjen nëse këto dhjetë ditë janë më të mira sesa dhjetëditëshi i fundit i Ramazanit, dhe kanë thënë: “Ramazani veçohet me dhjetë netët e fundit, ku ndodhet edhe Nata e Kadrit, kurse Dhul-Hixhja veçohet me dhjetë ditët e para të saj.” Pra, Ramazani ka më të mira netët e fundit, ndërsa Dhul-Hixhja ka më të mira ditët e para të saj.

 

E pra, ky është rasti më i volitshëm që besimtari të shtojë sa më shumë punët e mira. Prej tyre janë: namazi nafile, sadakaja, agjërimi, leximi i Kuranit, përmendja e Allahut (dhikri), lutjet e ndryshme etj.

 

Për sa i përket agjërimit, edhe pse Aishja thotë se Profeti (alejhi salatu ue selam) nuk i ka agjëruar dhjetë ditët e Dhul-Hixhes, kjo nuk do të thotë se agjërimi është i ndaluar. Imam Ibn Rexhebi, në komentimin e hadithit, shpjegon: “Thënia e Aishes tregon se Profeti (alejhi salatu ue selam) nuk i ka agjëruar të gjitha ditët e Dhul-Hixhes së bashku, mirëpo kjo nuk mohon që ai të ketë agjëruar disa prej këtyre ditëve.” Kjo gjë ka qenë e njohur te selefët. Madje, Ibn Umeri i agjëronte të gjitha ditët e Dhul-Hixhes, përveç ditës së dhjetë, sepse ajo është ditë Bajrami.

 

Përveç kësaj, duhet theksuar rëndësia e madhe që ka agjërimi i ditës së Arafatit, e cila është dita e nëntë e Dhul-Hixhes. Profeti Muhamedi (alejhi salatu ue selam), kur u pyet për agjërimin në këtë ditë, tha: “Agjërimi në ditën e Arafatit shlyen gjynahet e vitit që ka kaluar dhe të vitit që do të vijë.” (Transmeto Muslimi)

 

Hoxhë Mustafa Terniqi