A mund të na tregoni disa forma të sadakasë rrjedhëse

Lidhja e Hoxhallarëve
6 minuta lexim

 

بسم الله الرحمن الرحيم

Pyetje: Dua të jap sadaka rrjedhëse për të vdekurit e mi. Mund të më tregoni disa forma se si të jap sadaka rrjedhëse?

Përgjigje: Sadakaja rrjedhëse për të vdekurin musliman është pjesë e punëve të mira të përmendura në hadithet profetike. Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: “Kur njeriu vdes, i ndërpriten punët e mira përveç tri lloj punësh: Sadakaja (lëmosha) rrjedhëse, dituria nga e cila njerëzit përfitojnë dhe fëmija i mirë që lutet për të.” (Muslimi nr. 1631)

Ky hadith profetik tregon se punët që njeriu ka bërë sa ishte gjallë nuk mund të sjellin më sevape pasi ai vdes, përveç nëse këto punë vazhdojnë të jenë efektive dhe të dobishme për të tjerët, e për këtë arsye sevapet nuk ndërpriten me vdekjen e njeriut, por mund të vazhdojnë të jenë të vlefshme edhe pas vdekjes.

Dituria është përmendur dhe specifikuar më vete, sepse ndër punët e dobishme në shoqëri dituria është shumë e rëndësishme. Prandaj, këshillohet që njeriu të investojë në gjithçka që lidhet me dijen, qoftë në burimet njerëzore, qoftë në mjetet dhe teknikat që ndihmojnë në këtë aspekt. Këtu futen ndërtimi i institucioneve arsimore apo qendrave edukative, investimi i drejtpërdrejtë në burimet njerëzore në ato shkenca apo lëmi që sjellin dobi njerëzve dhe shoqërisë, e deri te botimi i librave ose krijimi i bibliotekave. Të gjitha këto mund të arrihen përmes sistemit të vakëfit, i cili ndërtohet për të përfituar drejtpërdrejt prej tij ose prej të ardhurave të tij, duke e lënë atë si pronë të paluajtshme apo sistem të vazhdueshëm, pa të drejtë shitjeje apo tjetërsimi.

Në pamundësi për të bërë vepra të mëdha me kosto të larta monetare, mund të jetë donator në projekte më të vogla. Për shembull, mund të japë të holla aq sa të botohen pesë apo dhjetë abetare për leximin e Kuranit, pesë apo dhjetë libra që përmbajnë lutje ose udhëzime fetare. Njeriu që mëson të lexojë Kuranin, për aq vite sa do lexojë Kuranin, aq kohë sevapet do t’i shkojnë të vdekurit nëse ajo vepër është lënë sadaka rrjedhëse për të. E njëjta gjë ndodh me ata njerëz që luten me lutjet që kanë mësuar nga ato libra apo kanë mësuar ose janë orientuar prej tyre. Një sadaka shumë e mirë është në botimet e Kuranit gjithashtu, duke ndjekur të njëjtën logjikë që përmendëm.

Përtej aspektit arsimor dhe përhapjes së dijes ka shumë hapësira të tjera të dobishme për shoqërinë. Në një hadith që përcjell Sa’d ibn Ubadeh tregohet se kur atij i vdiq nëna, ai erdhi te Profeti (alejhissalatu uesselam) dhe i tha: “Më ka vdekur nëna dhe a mund të jap sadaka për të (për t’i shkuar sevapet asaj)?” Përgjigja ishte: “Po.” Sa’di e pyeti: “Cila sadaka është më e vlefshme?” Profeti (alejhissalatu uesselam) tha: “Dhënia e ujit.” (Ahmedi nr. 22459, Ebu Davudi nr. 1680, Nesaiu 6/255)

Nga kjo kuptojmë se puna më e mirë varet nga rrethanat. Kur uji është i domosdoshëm në një fshat, qytet apo krahinë, atëherë sadakaja më e mirë për bamirësit e atij vendi është të sigurojnë ujin. Kur kanë nevojë për diçka tjetër, bamirësia duhet të bëhet sipas nevojës së njerëzve.

Llojet dhe hapësirat për sadaka rrjedhëse janë të shumta. Prej tyre mund të përmendim:

Ndërtimi i xhamive ose riparimi i tyre

Ndërtimi i spitaleve ose klinikave

Ndërtimi i shtëpive për nevojtarët

Hapja e puseve ose çezmave

Ndërtimi i sistemeve të ujit dhe vaditjes

Mbjellja e pemëve

Mbështetja e thirrjes islame dhe aktiviteteve në shërbim të saj

Bërja e haxhit ose umres në emër të të vdekurit, etj.

Gjithashtu, mos harrojmë atë që është përmendur më lart në hadithin profetik. Nëse njeriu gjen vështirësi për të lënë vakëf, ose për të dhënë sadaka rrjedhëse, apo nuk ka mundësi të bëjë për të haxh ose umre, mund të bëjë dua të vazhdueshme për prindërit e tij. Kjo është forma më e lehtë dhe mund ta bëjnë të gjithë njerëzit, sepse nuk ka kosto, ndërsa i vdekuri përfiton nga lutja që bëhet për të. Gjithashtu, duaja e vazhdueshme për prindërit është shenjë se ky njeri është i mirë. Sa më shumë lutesh për prindërit aq më tepër dëshmon mirësinë tënde.

Allahu e di më së miri!

Komisioni i Pyetjeve dhe Përgjigjeve pranë LHSH