بسم الله الرحمن الرحيم
Pyetje: Kemi dëgjuar dhe hasim shpesh në shkrime, postime deri dhe ligjërata hoxhallarësh përdorimin e termave; reformimi islam, reformimi i fesë, reformimi i leximit apo i mendimit islam, reformimi i ligjërimit ose predikimit islam, reformim i fetvasë islame, ripërtëritje rrënjësore e fesë, reformimi i diskursit islam. Secili jep një këndvështrim të ndryshëm duke pohuar në disa raste nevojën për ndryshim të botëkuptimit fetar ose të shumë normave fetare, për t’ju përgjigjur standardeve të kohës, për t’ju përshtatur kohës ose për t’ju përgjigjur modernizimit dhe se ripërtëritja është pjesë e fesë. Pyetja është: A ka nevojë Islami për reformim?
Përgjigje: Në pyetje janë përmendur shumë gjëra të cilat ndryshojnë dhe dallojnë nga njëra tjera, disa nuk qëndrojnë dhe disa kanë hapësirë interpretimi dhe sqarimi.
Së pari, duke qenë se Islami është feja që Zoti solli për mbarë njerëzimin, ajo nuk mund të reformohet dhe as të rikonceptohet. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” (Surja el-Maide: 3)
Ajo që vjen nga Zoti, në formë të plotë e të përsosur, hyn te pjesa e shenjtërisë, sepse është hyjnore dhe ajo që është hyjnore nuk ka çfarë t’i ndryshojë më njeriu as ta ripërtërijë në kuptimin e reformimit dhe tjetërsimit. Kjo fe e plotësuar dhe e përsosur nga Zoti, duke qenë se është shpallja e fundit hyjnore dhe është udhëzim dhe udhërrëfyes për mbarë njerëzimin deri në Ditën e Kiametit, do të mbetet e tillë, e pandryshuar dhe e ruajtur. Është e palogjikshme dhe jashtë arsyes së shëndoshë të besohet se Zoti sjell një fe të plotë e të përsosur prej Tij, e të ketë nevojë të reformohet nga dora e njeriut, ajo nuk është më hyjnore.
Ndërsa termi ripërtëritje (texhdid) është përmendur në një hadith profetik ku thuhet:“Allahu do të dërgojë në krye të njëqind vjetëve, ata që do ripërtërinë për umetin (islam) fenë.” Transmetoi Ebu Davudi nr 4291.
Ripërtëritja e fesë bëhet në atë që Profeti (alejhissalatu uesselam) shpjegoi dhe sqaroi dhe askush tjetër nuk ka të drejtë të sqarojë Kuranin dhe fenë pa dijen profetike. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Ndërsa ty (o Muhamed) të zbritëm Përkujtesën (Kuranin), me qëllim që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur dhe që ata të mendojnë.” (Surja en-Nahl: 44)
Në këtë kontekst, ripërtëritja (texhdidi) i përmendur në hadith nënkupton ringjalljen e frymës fetare në kohën kur njerëzit janë larguar nga dituria, janë shfaqur risitë dhe janë përhapur keqkuptimet dhe interpretimet e pabazuara, pra ringjallje dhe përtëritje e asaj që njerëzit neglizhuan, harruan, braktisën, ose injoruan dhe jo me kuptimin e ndryshimit nga një trajtë në një trajtë tjetër të re apo të modifikimit dhe tjetërsimit.
Pra siç shihet, dituria është ajo që ka sjellë Zoti në Kuran dhe ka sqaruar Profeti (alejhissalatu uesselam) në hadithet profetike nga ku dhe janë përcaktuar rregullat dhe normat fetare. Për Kuranin famëlartë Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe Ne do ta ruajmë atë me siguri.” (Surja el-Hixhr: 9)
Kurse Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: “Vërtet mua më është dhënë Kurani dhe diçka tjetër e ngjashme me të.” (Transmetoi Ahmedi nr. 17174)
Duke qenë se Profeti (alejhissalatu uesselam) me hadithet e tij profetike sqaron dhe shpjegon në formë më të detajuar fjalën e Zotit, Kuranin, suneti i tij profetik do të jetë i ruajtur gjithashtu nga ndryshimet dhe tjetërsimet bashkë me Kuranin.
Dhe në rastet kur në çështje të ndryshme muslimanët nuk ndajnë mendime të njëjta, për të unifikuar mendimin sa të jetë e mundur dhe për të mos u përçarë, Allahu në Kuran urdhëron e thotë: “Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë, kthejeni çështjen tek Allahu dhe tek i Dërguari, nëse besoni Allahun dhe Ditën e Kiametit.” (Surja en-Nisa: 59)
Në një ajet tjetër thotë: “Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty si gjykues për kundërshtitë mes tyre; e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht.“ (Surja en-Nisa: 65)
Ndërsa Profeti (alejhisselatu uesselam) ka thënë: “Ju lë porosi të jeni të devotshëm, ta dëgjoni e t’i bindeni prijësit dhe nëse do ishte një rob nga Etiopia, sepse ata që do jetojnë pas meje do të shohin shumë kontradikta dhe mospajtime (mendimesh). Andaj kapuni fort pas sunetit tim dhe sunetit që ndoqën kalifët e drejtë e orientues (për te e drejta). Kapuni fort pas saj dhe shtrëngojeni me dhëmballët tuaja. Kujdes nga risitë dhe gjërat e reja (që nuk janë prej fesë), sepse çdo gjë e re është risi (bidat) dhe çdo risi (bidat) shpie në humbje.” (Transmetuan Tirmidhi nr. 2676, Ebu Daudi nr.4607)
Siç shihet, feja në tërësinë e saj është e ruajtur dhe e garantuar nga ndryshimet dhe modifikimet dhe në çdo rast ajo është pika e referimit. Kurse ripërtëritja në të ekziston, por ajo përfshin vetëdijesimin te besimtarët dhe ringjalljen e jetës shoqërore fetare, ringjalljen e diturisë fetare, duke e pastruar atë nga hadithet e sajuara, besëtytnitë e kota, risitë e ndryshme dhe interpretimet pa bazë, që i janë veshur fesë. Ajo përfshin gjithashtu ngritjen e njërit prej institucioneve më të rëndësishme të Islamit, urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja, funksionimin e etikës dhe edukatës islame dhe ripërtëritjen e metodave efikase kundrejt denigrimit dhe degradimit moral dhe shoqëror.
Kurse doktrina bazë, parimet fetare, principet e besimit (imanit), praktikat në formën e adhurimit të Islamit, normat, rregullat dhe vendimet e prera tekstuale (ndalesat dhe lejimet nëpërmjet ajeteve ose haditheve) duke përfshirë dhe pjesën e legjislacionit në tërësinë e vet që bazohet gjithashtu në tekstet sheriatike, këto nuk pranojnë kurrsesi reformim.
Gjithashtu, për sa i përket pjesës që përmendet në pyetje, ndryshimit të botëkuptimit dhe reformimit të diskursit fetar për t’ju përshtatur kohës e për t’ju përgjigjur modernizimit, ka njerëz që besojnë gjëra më të rënda se kjo. Prej tyre ka që thonë dhe pretendojnë se feja islame, me metodat e saj klasike do të mbetet gjithnjë e më shumë e izoluar nga realiteti dhe standardet e reja të shoqërive dhe nëse nuk reformohet sipas standardeve të kohës do të zbehet e do shpërbëhet. Këto mendime zakonisht vinë ose nga dashakeqtë, ose nga misionarët që kanë synime të caktuara, ose nga të paditur, të cilët nuk e kanë kuptuar siç duhet fenë dhe nuk janë të formuar me njohuritë dhe konceptet bazike të fesë.
Për sa i përket ndryshimit të botëkuptimit fetar dhe ndoshta ndryshimit të normave fetare për t’ju përgjigjur modernizimit të shoqërisë, nëse do të analizojmë në thelb siç duhet, shikojmë se feja islame nuk e ka aspak të nevojshme këtë. Modernizmi është shfaqur në shek. XIX dhe në fillimet e shek. XX duke pasqyruar një formë të re të organizimit shoqëror, duke pretenduar -mes të tjerave- se më e mira për njerëzimin nuk arrihet nga traditat e trashëguara, vlerat morale dhe kulturore dhe nga besimi në Zot. Ndryshoi me kalimin e kohës arti tradicional në atë abstrakt, ndryshoi mënyra e të menduarit, rendi shoqëror e bashkë me të dhe forma e jetesës, duke besuar se bashkë me zhvillimin e shkencës, modernizmi po sjell të vërteta të mëdha. Ndërsa sot nuk është më ky problemi kryesor, ngaqë vendin e ka zënë periudha postmoderne, e cila hedh poshtë supozimet themelore të modernizmit, sepse nuk ka më të vërtetë që mund të unifikojë, çdo gjë është relative. Nëse modernizmi pretendonte të vërteta, postmodernizmi nuk ka më të vërteta. Secili ka të drejtë dhe askush nuk përfaqëson të vërtetën, sepse e vërteta është relativja dhe skepticizmi. Ndikimi i periudhës postmoderne bashkë me avancimin e shpejtë të teknologjisë është i prekshëm dhe jeta sociale po pëson ndryshim për çdo ditë që kalon. Mirëpo nëse feja do reformohej dhe do e kishte të nevojshme ndryshimin e shumë normave fetare për t’ju përgjigjur modernizmit, çfarë do ndryshonte më shumë dhe si do ishte reformimi në periudhën e tanishme postmoderne? Cila do jetë lëvizja filozofike e radhës që do zëvendësonte postmodernizmin?
E pra, në kohën e krizës morale, krizës identitare, në kohën kur njerëzit do fillojnë të kërkojnë të vërtetën, Islami është aty, i pandryshuar dhe stoik. Jo vetëm që nuk ka pasur nevojë për t’u reformuar dhe për t’u ndryshuar, me pretendimin për t’ju përgjigjur ndryshimeve të kohës, por i ka rezistuar ndryshimeve ideologjike për të qenë udhëzim dhe shpëtim për njerëzimin. Njerëzimi sot ka nevojë më shumë se kurrë për besimin, për fenë, për lidhjen me Zotin, me Krijuesin dhe Islami, si feja e vetme qiellore e pa ndryshuar, është shpëtimi dhe alternativa e vetme për njerëzimin. Madje këtu qëndron dhe mrekullia e Kuranit si libër hyjnor dhe i fesë islame, fe e cila nuk pësoi ndryshime si fetë e tjera, i rezistoi dhe po i reziston kohëve të ndryshme, është përballur me rryma, sfida, mendime, ideologji, regjime etj. dhe mbetet sërish rrugë shpëtimi për njerëzimin.
Kësisoj edhe fetvaja islame nuk ka nevojë për reformim. Ka nevojë për studime të reja, për t’u qartësuar me shumë me modelet e larmishme të jetesës, konceptet e reja shoqërore, dinamikën institucionale, ekonomike, politike, kulturore etj, por në thelb fetvaja dhe procesi i tij nuk ndryshon, sepse në bazë të rregullave të vendosura herët, burimi i të cilave janë Kurani dhe hadithet profetike është gjetur gjithnjë zgjidhje për kërkesat e shumta. Institucionet serioze fetare të fetvasë, nëpërmjet komisioneve të posaçme për hulumtime kanë funksionuar shumë mirë për t’i dhënë përgjigje çdo dileme dhe çdo çështjeje të re. Kur është dashur konsultimi me specialistët e fushave të ndryshme, me mjekë, ekonomistë, juristë, etj., është bërë, dhe pas studimit të çështjes, komisionet e njohura botërore islame kanë dalë në përfundime konkrete duke përmendur verdiktet fetare apo orientimet përkatëse, sepse feja islame e përfshin mirë gjetjen zgjidhje bashkë me përgjigjet përkatëse për çështjet e reja në çdo kohë dhe shoqëri, nëpërmjet analogjisë (kijasit) dhe rregullave të tjera të sanksionuara në shkencën e Usuli Fikhut. Andaj nuk mund të pretendohet lejimi i shumë ndalesave tekstuale, të përcaktuara nga vetë Zoti dhe Profeti (alejhissalatu uesselam) me fetva të reja me arsyen se iu ka ikur koha dhe nuk vlejnë më për realitetin bashkëkohor, duke iu përgjigjur kështu kërkesave dhe kushteve të reja të kohës. Kjo jo vetëm që nuk është e nevojshme, por tregon njëkohësisht se Islami nuk do jetë më alternativë, por do i nënshtrohet procesit të ndryshimit njerëzor dhe nuk ka si të jetë më hyjnore.
Ndërsa për sa i përket termit, “Mendimi islam” është e nevojshme të kuptohet çfarë kanë njerëzit për qëllim me këtë, duke qenë se mendimi, sidomos sot në periudhën postmoderne është relativ. Islami si fe nuk është mendim, por një tërësi normash dhe rregullash besimore dhe praktike sociale-shoqërore të përcaktuara nga vetë Zoti, është sistem i mirëfilltë dhe i kompletuar jete.
A nëse bëhet fjalë për mendimin e një njeriu apo një grupi njerëzish dhe qëllimi është forma e tyre e të kuptuarit, apo forma e tyre e qasjes në ato gjëra ku plot të tjerë ndajnë qasje të ndryshme, atëherë kjo nuk është vetë feja, por pikëpamja ose përpjekja njerëzore për të kuptuar diçka që Zoti e la të përgjithshme, e duke qenë e përgjithshme ka lënë hapësirë interpretimi. Kurse në çështjet e përcaktuara qartë në tekstet sheriatike nuk ka hapësirë për mendim. Bie fjala, nëse Zoti ka urdhëruar t’i falemi Atij nëpërmjet pesë namazeve ditore, nuk lë hapësirë që ky urdhër hyjnor t’i nënshtrohet mendimit njerëzor se është më e mirë të jenë dy namaze dhe jo pesë, apo mos të ketë më namaz fare.
Ndërsa në aspektin e mendimit si koncept filozofik, politik, kulturor etj, Islami nuk paraqitet thjesht si mendim që mund të pësojë ndryshime për të qenë i pranuar në mesin e mendimeve bashkëkohore, por prezantohet si doktrinë e plotë në tërësinë e tij dhe si alternativë siç u theksua më lart. Kjo mund të kërkojë dhe diskutime ose debate dhe Allahu në Kuran na ka dhënë plot shembuj që tregojnë në parim se muslimani duhet të jetë i gatshëm të debatojë për ta prezantuar fenë e tij si rrugë shpëtimi dhe jo të pranojë kompromise në doktrinën që prezanton. Pra fillohet me diskutimet dhe debatet për të pranuar fillimisht konceptin e besimit në Zot e në vijim konceptin e adhurimit të Zotit. Debate të tilla janë bërë përherë me jo muslimanët, kryesisht perëndimorët dhe sot Islami njeh përhapjen më të shpejtë dhe më të madhe në raport me fetë e tjera, pa pasur nevojë rinovimi dhe reformimi.
Kurse te reformimi i ligjërimit dhe i predikimit islam, nëse është për qëllim ndërhyrja dhe ndryshimi që u përmendën më lart që feja të shfaqet si mendim prej mendimeve filozofike etj dhe jo si doktrinë e plotë në tërësinë e vet, e cila karakterizohet nga tekstet specifike të sheriatit, jo vetëm nuk është e nevojshme por është e dëmshme. A nëse është për qëllim gjetja e mekanizmave ose përmirësimi i tyre për ta bërë fenë më të prekshme në jetën reale më efektive, për ta prezantuar atë në formën më të mirë, apo për ta paraqitur më të thjeshtë, më të kuptueshme, më të qartë, atëherë nuk ka asnjë problem përderisa këtë na e mëson vetë Zoti në plot ajete kuranore dhe kjo ka qenë rruga që ka ndjekur vetë Profeti Muhamed (alejhissalatu uesselam). Madje kjo është detyrë në shumë raste. Këtu futet dhe vizioni, performanca, përgatitja e mirë dhe dalja nga forma e predikimit brenda llojit, sepse në shumicën e rasteve ligjërimi islam është konsum i brendshëm ose ligjërim periferik dhe jo predikim në hapësirat institucionale dhe ato publike ku njerëzit gëlojnë. Profeti (alejhissalatu uesselam) i ka ftuar të gjithë njerëzit, që nga njerëzit më të thjeshtë e deri te elita e kohës së tij. Andaj predikimi dhe ligjërimi fetar islam në çdo vend dhe në çdo kohë ka nevojë për ndryshime dhe përmirësime që lidhen me anën teknike dhe metodike në varësi të rrethanave duke ruajtur substancën doktrinare të pa prekur.
Allahu i Lartësuar e di më së miri.
Komision i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH