Agjërimi – një formë e lartë e falënderimit ndaj Zotit

Lidhja e Hoxhallarëve
5 minuta lexim

Falënderimi për Zotin nuk kufizohet vetëm në fjalën e njohur “Elhamdulilah”, as në shprehje të tjera të bukura që dalin nga gjuha. Ai është më i thellë se kaq. Falënderimi i vërtetë është gjendje e zemrës, dritë e mendjes dhe drejtim i veprës.

Allahu thotë në Kuran:

“Punoni, o familja e Davudit, në shenjë falënderimi! E pak janë nga robërit e Mi ata që falënderojnë.” (Sureja Sebe’, 13)

Pjesa e fundit e ajetit na vendos përballë një realiteti të qartë: shumica e njerëzve falënderojnë pak, ose rrallë; e nëse falënderojnë, shpesh mendojnë se e kanë përmbushur detyrën vetëm me disa fjalë. Ndërsa janë të paktë ata që e kuptojnë thelbin e falënderimit – ata që falënderojnë me tërë qenien e tyre.

Njeriu është krijesë e përsosur në strukturë dhe në aftësi. Mirësitë që i janë dhënë janë të panumërta. Si mund të jetë atëherë falënderimi i plotë vetëm me disa fjalë, sado të bukura e të fuqishme të jenë? Falënderimi i plotë përmban tre përbërës themelorë:

Njohja e mirësisë me zemër – ta pranosh thellësisht se çdo e mirë vjen prej Zotit.

Lavdërimi me gjuhë – ta shprehësh me fjalë mirënjohjen dhe madhërimin.

Përdorimi i mirësisë me vepër dhe bindje ndaj Zotit – ta përdorësh atë që të është dhënë në rrugë të drejtë.

Komponenti i tretë është prova e sinqeritetit. Nuk ka kuptim që njeriu të falënderojë me gjuhë, ndërkohë që i përdor mirësitë e Zotit për ta kundërshtuar Atë. Çdo gjynah është, në thelb, një keqpërdorim i mirësisë. Dhe aty ku ka keqpërdorim, falënderimi ose mungon, ose është i cunguar.

Sa herë kemi thënë “faleminderit”, por me veprimet tona kemi treguar të kundërtën? Sa herë kemi qenë kontradiktorë në mirënjohjen tonë ndaj Zotit Fuqiplotë?

Për ta udhëzuar njeriun drejt falënderimit të vërtetë, Allahu ka vendosur pesë shtyllat e Islamit: shehadetin, namazin, zekatin, agjërimin dhe haxhin. Përmes tyre ne jo vetëm që shprehim besimin (imanin), por edhe e praktikojmë falënderimin në formën më të plotë.

Ndër këto forma, agjërimi zë një vend të veçantë. Ai është një nga mënyrat më të bukura dhe më të larta të falënderimit, sepse lidhet drejtpërdrejt me botën e brendshme të njeriut.

Kur agjëron, njeriu ndien urinë, etjen, dobësinë. Në ato çaste ndërgjegjja zgjohet:

“Sa e madhe është mirësia e Allahut mbi mua!”

Edhe kur uria nuk është e fortë, ai ndien oreksin dëshirën, epshin, – por ndalet, përmbahet, duron. Dhe kjo përmbajtje është falënderim në veprim.

Agjërimi e çon njeriun të reflektojë mbi mirësitë e brendshme që i janë dhënë: nga organet që funksionojnë në harmoni, deri tek qelizat më të imëta që punojnë pa pushim. Përballë kësaj mrekullie, fjalët nuk mjaftojnë. Duhet edhe një përgjigje praktike – dhe agjërimi është një prej tyre.

Ky është një falënderim i heshtur, i padukshëm, i brendshëm. Një adhurim që lidhet me sekretin mes robit dhe Zotit të tij. Është falënderim që përfshin trupin, biologjinë, ndjenjat – dhe depërton deri në thellësinë e shpirtit.

Ne përmbahemi nga ushqimi, pija dhe marrëdhëniet bashkëshortore, gjëra që në thelb janë të lejuara, për të dëshmuar se kemi vullnet të përmbahemi edhe nga të ndaluarat. Ne uritemi për të ushqyer shpirtin. Dhe kur arrijmë ta kuptojmë këtë dimension, kemi hyrë në thelbin e falënderimit të vërtetë.

Kur njeriu ngjitet në këtë shkallë të ndërgjegjësimit dhe mirënjohjes, ai bëhet më i qetë në shpirt, më i kthjellët në mendim, më i drejtë në fjalë, më i saktë në veprime. Ai pajtohet me veten dhe bëhet më i dobishëm për shoqërinë.

Sepse agjërimi nuk është vetëm përmbajtje nga ushqimi – është edukim i zemrës dhe i shpirtit.

Dhe falënderimi i vërtetë nuk është vetëm një fjalë – është një mënyrë jetese.

Hoxhë Mustafa Terniqi