Prej mrekullive të fjalës profetike është thënia e të Dërguarit të Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të): “Ujku ha atë dele që ndahet nga kopeja.”
Një fjalë e shkurtër, por që përmbledh filozofinë e shoqërisë, ligjet e qëndrueshmërisë e të mbijetesës, si dhe thellësitë e shpirtit njerëzor. Kjo shprehje nuk është thjesht një përshkrim i një ngjarjeje natyrore midis ujkut dhe deles, por është një ligj jete që përsëritet në çdo kohë dhe që vlen për individët, shoqëritë dhe idetë.
Të gjithë e kuptojnë se qenia e vetmuar është e dobët, pa marrë parasysh se sa e madhe është jeta apo forca e saj individuale.
Individi i vetëm ka aftësi të kufizuara, e ka shpinën e zbuluar, rreziqet e sulmojnë nga të gjitha anët dhe fatkeqësitë e veçojnë për ta goditur. Ndërkaq, bashkësia (xhemati) përbën një kështjellë të pandashme, ku rolet ndahen dhe radhët shtrëngohen, duke bërë që armiku të tërhiqet dhe ai që rri në pritë të ketë frikë.
Njeriu nuk plotësohet i vetëm. Ai që largohet nga mjedisi i tij i besimit dhe nga shoqëria e tij e mirë, ka thyer mburojën e mbrojtjes dhe ka hapur derën e shqyerjes (gjahut).
“Ujku” mund të jetë një kryelartësi në shpirt, një njollë epshi apo një synim për famë. Mund të jetë një dyshim i paketuar bukur, vetëpëlqim ose fryrje e “Egos”. Dhe sa i rrezikshëm është dëshira për udhëheqje pas një arritjeje, kur “Uni” rritet dhe madhështohet!
“Ujku” mund të jetë edhe një pëshpëritje e fshehtë e shpirtit, një epsh i rrëmbyeshëm apo një ide e prishur që depërton në mendje atëherë kur ithtarët e saj veçohen nga mjedisi këshillues dhe kalojnë në një mjedis hipokrit e miklues.
Armiku në jetë nuk vjen haptazi; ai pret që ti të largohesh, të dobësohesh, të braktisësh mbështetjen tënde, e pastaj sulmon.
Prej këtu shfaqet madhështia e hadithit: ai është një paralajmërim ndaj ujkut që rri në pritë, por në thelbin e tij është një paralajmërim ndaj izolimit që i hap derën ujkut.
Ujku e kupton se ideja e mirë nuk zgjat nëse ithtarët e saj e braktisin atë; ajo bëhet e cenueshme ndaj shtypjes dhe shpërfytyrimit. Po ashtu, nëse bashkësia e mirë përçahet, ajo bëhet e lejueshme për ujqërit e epsheve dhe të interesave.
Dhe radhët përçahen…
Ky hadith, në thellësinë e tij, është një thirrje për të mençurit: që të kapen pas mjedisit të qetësisë intelektuale, metodologjike dhe të besimit (akides), sepse aty qëndron forca, bekimi dhe bindja jote e palëkundur.
Nëse je i mençur, vështro dhe mendo: Ku qëndron ti në raport me bashkësinë tënde që të mbron? Dhe bëja një diagnozë gjendjes tënde: cili ujk po rri në pritë për ty?
Allahu ka urtësinë mahnitëse në krijesat e Tij.
Hasen Abas
