Mësime dhe përvoja nga ngjarja e Hixhretit

Lidhja e Hoxhallarëve
9 minuta lexim

Pjesa e Parë

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka zot tjetër që meriton adhurimin përveç Allahut, i Vetëm dhe pa ortak; Sunduesi i Vërtetë, i Qartë. Dëshmoj se Pejgamberi ynë, Muhamedi, është robi dhe i Dërguari i Tij, Vula e të gjithë profetëve. Paqja, bekimet dhe përshëndetjet e panumërta të Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnikë dhe mbi të gjithë ata që i pasojnë ata me mirësi deri në Ditën e Gjykimit!

Frikësojuni Allahut – o ju muslimanë! Allahu i Madhëruar thotë në Kuranin Famëlartë:

“O ju që besuat! Frikësojuni Allahut ashtu siç i takon Atij dhe mos vdisni ndryshe, vetëm se duke qenë myslimanë!” (Ali Imran: 102)

Robër të Allahut:

Vërtet, nga ngjarjet më të mëdha që ndryshuan rrjedhën e historisë njerëzore është Hixhreti – Shpërngulja e Bekuar Profetike. Në këtë ngjarje të madhe të Pejgamberit ﷺ, ne kujtojmë vlerat e larta të besimit dhe parimet universale njerëzore që ajo mbart. Hixhreti nuk ishte thjesht një udhëtim gjeografik; ai ishte shpallje dhe jetëshkrim, histori dhe moral, një shkollë e madhe nga e cila mësojmë në çdo kohë mësime të vyera dhe përulësi.

Nga mësimet më të mëdha të kësaj ngjarjeje është që muslimani të rrënjosë lidhjen e tij të ngushtë me Krijuesin, në mënyrë që t’i shtohet përkushtimi ndaj Tij dhe mbështetja e plotë tek Ai. Kur krerët e Kurejshëve u bashkuan për të vrarë të Dërguarin e Allahut ﷺ, duke mobilizuar kalorësit dhe duke shpenzuar pasuritë e tyre për këtë qëllim, Allahu i Madhëruar e shpëtoi Pejgamberin e Tij nga dinakëria dhe intrigat e tyre të zeza. Allahu thotë në Kuran:

وَإِذْ يَمْكُرُ بِكَ الَّذِينَ كَفَرُوا لِيُثْبِتُوكَ أَوْ يَقْتُلُوكَ أَوْ يُخْرِجُوكَ ۚ وَيَمْكُرُونَ وَيَمْكُرُ اللَّهُ ۖ وَاللَّهُ خَيْرُ الْمَاكِرِين

“Kujto kur jobesimtarët thurnin kurthe kundër teje: për të të zënë rob, për të të vrarë ose për të të dëbuar. Ata ngrenë kurthe, por edhe Allahu ngre kurthe ndaj tyre, e Allahu është plotësuesi më i mirë i planeve.” (Enfal: 30)

Mbështetja e sinqertë tek Allahu është kështjella më e fortë kur zbresin fatkeqësitë dhe është dera e vetme e shpëtimit kur këputen shpresat njerëzore.

Të nderuar vëllezër:

Prej plotësimit të mbështetjes tek Allahu është edhe shfrytëzimi i shkaqeve dhe përgatitja e mirë me mjete tokësore për arritjen e qëllimeve të larta. Edhe pse i mbështetur plotësisht te Zoti, Pejgamberi ﷺ e zgjodhi Medinën me urtësi si vendin e hixhretit të tij, përcaktoi me saktësi kohën dhe rrugën e udhëtimit, përgatiti furnizimin, zgjodhi shokun e udhëtimit e udhërrëfyesin, dhe u përgatit për këtë çështje me të gjitha mjetet e mundshme logjistike.

Kur Allahu i Madhëruar i dha leje Pejgamberit të Tij për të dalë nga Meka, ai i dërgoi fjalë shokut të tij besnik dhe mikut të tij më të ngushtë, Ebu Bekër Sidikut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), që ta shoqëronte në këtë rrugëtim historik. E kjo nuk është e çuditshme, sepse miqtë e sinqertë janë mbështetje si në ditë të mira, ashtu edhe në çaste të vështira.

Bindja e patundur tek Allahu dhe mendimi i mirë për Të janë prej tipareve që shfaqin besimin e vërtetë gjatë sprovave. Kur Ebu Bekri ndjeu rrezikun e rrethimit në shpellën Theur, i tha me shqetësim Pejgamberit ﷺ: “Sikur dikush prej tyre të shikonte nën këmbët e veta, do të na shihte.” Atëherë ai ﷺ iu përgjigj me gjuhën e atij që është plotësisht i sigurt në Zotin e vet, i qetë në mëshirën dhe ruajtjen e Tij:

“O Ebu Bekër! Çfarë mendon për dy vetë, ku Allahu është i treti i tyre?” (Buhariu dhe Muslimi)

Allahu e dëshmoi këtë qetësi në Kuran duke thënë:

فَأَنزَلَ اللَّهُ سَكِينَتَهُ عَلَيْهِ وَأَيَّدَهُ بِجُنُودٍ لَّمْ تَرَوْهَا وَجَعَلَ كَلِمَةَ الَّذِينَ كَفَرُوا السُّفْلَىٰ ۗ وَكَلِمَةُ اللَّهِ هِيَ الْعُلْيَا ۗ وَاللَّهُ عَزِيزٌ حَكِيمٌ

“Pas kësaj, Allahu zbriti qetësinë e Tij mbi të, e mbështeti me ushtarë që nuk i shihnit, dhe bëri që fjala e jobesimtarëve të jetë më e ulëta, kurse Fjala e Allahut të jetë më e larta. Allahu është i Plotfuqishëm, i Urtë.” (Teube: 40)

 

Pjesa e Dytë

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve…

O besimtarë të nderuar:

Vërtet, Pejgamberi juaj ﷺ, kur doli nga Meka, qëndroi në skajet e saj; duke u ndarë prej vendlindjes dhe duke iu drejtuar asaj me fjalë malli, në një skenë të ndjeshme që mishëron dashurinë e pastër të Pejgamberit ﷺ për atdheun. Ai tha:

“Pasha Allahun! Ti je toka më e mirë e Allahut dhe më e dashura tek Ai. Sikur populli yt të mos më kishte dëbuar prej teje, nuk do të isha larguar kurrë.” (Tirmidhiu dhe Ahmedi)

Ai u shpërngul prej saj me trup, por nuk e braktisi me zemër. Përkundrazi, mbeti duke e kujtuar dhe duke u lutur për të vazhdimisht derisa u kthye ngadhënjimtar. Kjo tregon qartë se dashuria për atdheun dhe besnikëria ndaj vendit ku lind e rritesh, janë pjesë e moralit profetik.

Sapo mbërriti në Medinën e Ndriçuar, Pejgamberi ﷺ vendosi menjëherë themelet e forta për ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë. Hapi i parë ishte ndërtimi i Xhamisë, sepse xhamia e forcon lidhjen e besimtarit me Zotin, i bashkon myslimanët dhe i mbledh ata rreth mirësisë e devotshmërisë. Më pas, ai ﷺ vëllazëroi Muhaxhirët (të shpërngulurit) dhe Ensarët (vendasit ndihmëtarë). E kështu duhet të jetë myslimani në çdo kohë: kontribuues për fenë e tij, pjesëmarrës aktiv në përparimin e shoqërisë dhe nismëtar për t’u bërë dobi të tjerëve.

Ndër mësimet më të rëndësishme që trashëgojmë nga Hixhreti është edhe vlera e përhapjes së Paqes (Selamit) – kësaj përshëndetjeje të bukur që mbjell siguri në zemra dhe qetësi në shpirtra. Sapo shkeli në Medinë, fjalët e para të ligjërimit të tij para njerëzve ishin:

“O njerëz! Përhapni selamin (paqen), ushqeni të varfrit dhe faluni natën kur njerëzit flenë, që të hyni në Xhenet me shpëtim!” (Tirmidhiu)

Ai gjithashtu rriti solidaritetin dhe vendosi rregullat e bashkëjetesës mes të gjitha shtresave dhe komuniteteve, duke urdhëruar shkrimin e “Kartës së Medinës”. Në këtë kushtetutë të parë u sanksionua parimi i madh:

“Mirësia dhe besnikëria qëndrojnë gjithmonë mbi mëkatin dhe tradhtinë, duke i parandaluar ato.”

O Allah! Pranoji adhurimet tona, përmirësoi veprat tona, na i shlyej gjynahet dhe na i prano pendimet tona! Vërtet, Ti je Pranuesi i madh i pendimeve, Mëshirëploti.

O Allah, fali myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret: të gjallët prej tyre dhe të vdekurit.

O Allah, udhëzoje rininë tonë, përmirësoje gjendjen tonë dhe ruaje kë vend nga çdo intrigë dhe e keqe.

E them këtë fjalë timen dhe kërkoj falje tek Allahu i Madhëruar për vete dhe për ju. Kërkojini falje Atij, sepse vërtet, Ai është Falësi i Madh, Mëshirëploti!