AIITC dhuron botimet e fundit për bibliotekën e LHSH

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 2 minuta lexim

 

Bashkëpunimi dhe ndërveprimi duhet të jenë themeli i marrëdhënieve tona të përbashkëta, ishte konkluzioni në fund të takimit midis drejtorit të AIITC Ardian Muhaj dhe hoxhë Sokol Kondakçiut. Në një takim miqësor midis dy drejtuesve të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam dr. Ardian Muhaj dhe kryetarit të LHSH hoxhë Sokol Kondakçiut u bisedua dhe u rrahën mendimet mbi gjendjen aktuale të bashkësisë muslimane për të kaluar më pas te marrëdhëniet midis këtyre dy institucioneve. Një vëmendje e veçantë iu kushtua botimeve të fundit të AIITC, ku drejtori Ardian Muhaj bëri një ekspoze të kësaj punë tepër të vyer nga ana e Institutit. Njëkohësisht ai shenjoi disa piketa për nevojat e librit dhe të leximit për të cilat ka një nevojë të ndjeshme publiku musliman sot. Ndërsa kryetari i LHSH h. Sokol Kondakçiu e vuri në dijeni për punën e bërë në drejtim të botimit, si dhe veçanërisht mbi botimin e tefsirit të fundit “Shpjegim i Përmbledhur i Kuranit”, dhe punën e bërë për ta sjellë në shqip, si dhe për dashamirësinë me të cilën e ka pritur publiku musliman këtë botim.

Në fund të bisedës dr. Ardian Muhaj i dhuroi bibliotekës së LHSH botimet më të fundit të AIITC, ku spikat “Fjalori i Orientalizmave” i autorit të shquar Tahir Dizdari, si dhe “Historia e shtetit, shoqërisë dhe qytetërimit osman- grup autorësh”, gjithashtu edhe numri i fundit i revistës Univers. Kështu 16 tituj të rinj do t’i shtohen bibliotekës së LHSH. H. Sokol Kondakçiu e falënderoi përzemërsisht dr. Ardian Muhajn dhe njëkohësisht i dhuroi një abonim të plotë të revistës Kibla, si dhe “Kurani i Mahnitshëm” i Gary Miller.