Analizë kritike dhe reagim ndaj përmbajtjes me të cilën trajnohen mësuesit e shkollave publike, në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm
Me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 737, datë 13.12.2017 është krijuar Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (QKEDH). Një nga aktivitet trajnuese që ka organizuar kjo qendër, këto ditë dhe në vazhdim, është ajo me shkollat publike të arsimit para-universitar me temën “Me shkollat për Komunitete më të Sigurta. Guidë Referuese”.
Ky trajnim është shoqëruar me leximin dhe interpretimin e një materiali prej njëmbëdhjetë faqesh, përgatitur nga kjo qendër shto këtu edhe një anketim që e pasonte atë. Natyrisht që ky aktivitet është pasqyruar nëpërmjet mediave dhe rrjeteve sociale dhe gjykimi për të do të bazohet kryesisht mbi materialin e shkruar që është publikuar në to, pa tentuar të spekulohet rreth asaj që mund të jetë interpretuar me gojë; pra do të merrmi vetëm me atë që është fakt, e zeza mbi të bardhë.
Qarkullojnë online të paktën dy materiale mbi të cilat është ngritur analiza dhe reagimi, i pari në PDF i publikuar nga “Qendra Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm në Shqipëri” dhe i dyti në power point, që duket të jetë përgatitur nga trajnues të MASH-it, bazuar mbi materialin e mësipërm, duke qenë se në të thuhet: “Qeveria shqiptare, përmes Ministrisë së Arsimit, ka zhvilluar këtë modul që të kuptojmë se si mund të minimizojmë dhe adresojmë sjelljet anti-sociale dhe ekstremiste në shkollat tona”
Së pari, parimisht duhet thënë se, një nismë e tillë është për tu lavdëruar, sepse shkollat tona jo në pak raste janë bërë vende ku shfaqen skenat e dhunës dhe të sjelljeve aspak sociale, mes të rinjve që janë pjesë e këtyre institucioneve arsimore. Sado të kufizuara që janë disa sjellje të dhunshme dhe anti-sociale në shkollat tona, ato në disa raste bëhen një shqetësim i madh për vetë komunitetin e shkollës dhe mbi të gjitha mbi vetë nxënësit që i përjetojnë ato. P.sh. bullizmi, është një fenomen tejet i përhapur, që në mjaft raste provokon edhe dhunë, dhe është ndoshta fenomeni numër një në këtë drejtim. Veç bullizmit ka edhe shkaqe të tjera të një përhapje më të vogël, por që gjithsesi shqetësuese, siç është p.sh. pasojat që krijohen nga përdorimi i lëndëve narkotike, xhelozia, për shkak të marrëdhënieve sentimentale që krijohen mes të rinjve, dëshira për krijimin e një identiteti autoritar dhe imponues, fanatizmi sportiv, huliganizmi, vandalizmi, diskriminimi…etj. Praktikisht këto janë disa prej arsyeve apo shkaqeve më të përhapura që mund të shkaktojnë veprime të dhunshme dhe sjellje anti-sociale në mesin e të rinjve, por natyrisht që nuk janë të vetmet dhe lista nuk mbyllet vetëm me këto shembuj që u dhanë këtu.
Kështu që nisur nga ky realitet që përshkruam më lartë, duhet të prisnim që ky trajnim të fokusohej dhe përfshinte pikërisht këto probleme më së shumti dhe jo të fokusohej, madje në boshtin e tij kryesor të kishte dhunën që prodhohet nga burimet ideologjike dhe fetare, me theks tek ato muslimane. Edhe pse materiali në mjaft vende përdor fjalë përgjithësuese, por ai aspak nuk të lë të hamendësosh në këtë drejtim, se bëhet fjalë pikërisht për ekstremizmin e dhunshëm, që prodhohet kryesisht nga besimi fetar islam.
Që në fillim të tij, materiali shprehet se nuk bëhet fjalë për të evidentuar dhunën që prodhohet nga shkaqet që përmendëm më sipër, pasi ajo nuk kufizohet vetëm te to, por edhe te dhuna që vjen si pasojë e narracionit ekstremist që vjen nga jashtë shkollës. Po cili është ky ‘narracion ekstremist’ sipas materialit? Përgjigjen e jep vetë ai me shembujt që jep, ku ai me burim musliman është kryesori në fokus.
Më pas teksti bën disa përkufizime rreth ekstremizmit, ekstremizmit të dhunshëm, nacionalizmit, sektarianizmit, terrorizmit dhe radikalizmit.
Pas kësaj hyrje materiali në fjalë kalon direkt tek shembujt e ekstremizmit të dhunshëm në botë dhe në Shqipëri. Ajo që të bën përshtypje këtu është se, për dhjetëra rreshta është trajtuar si shembull konkretizues i ekstremizmit të dhunshëm vetëm ajo që ka ndodhur në Siri, duke përfshirë rekrutimet nga bota, rajoni dhe Shqipëria si dhe të dhëna për ISIS-in dhe Xhebhatu Nusre-n, si dhe çfarë quhen luftëtarë të huaj dhe çfarë rreziku ata paraqesin. Këtij shembulli i janë shtuar edhe 7 rreshta të tjerë për grupimin iranian anëtarë të të cilëve strehohen edhe në Shqipëri (Muxhahidin Khalk, shkurt MEK). Ndërkohë që në materialin në power point ky trajtim merr 5 slajde. Pra shembuj konkret me fokus vetëm nga bota islame dhe muslimanët!
Ndërsa shembulli i dytë që jepet, është terrorizmi ekstremist i djathtë, i cili merr vetëm 5 rreshta dhe vetëm një slajd të dyzuar. Të vjen habi sesi tek ekstremizmi politik nuk është përfshirë ai i majtë, me ideologji anarkiste, komuniste dhe neo-marksiste, ndërkohë që përfshin tek i djathti edhe anti-komunizmin. Ndërkohë nuk duhet të harrojmë se Shqipëria për 45 vjet vuajti pikërisht nga ekstremizmi marksist dhe terrorizmi komunist dhe rreziku i rigjallërimit të kësaj pikëpamje nuk është diçka e pamundur, për më tepër kur shohim akoma në mesin e shqiptarëve parti dhe organizata, të vjetra dhe të reja, të cilat evokojnë epokën e diktaturës komuniste ose të pikëpamjeve radikale neo-marksiste.
Çfarë të bie në sy gjithashtu nga shembulli me muslimanët janë detajet fetare islame, ndonjë edhe e pasaktë, në dukje krejt të panevojshme që jepen, ndërkohë që flitet për ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin, si p.sh. përdorimi i termit shtet islam, i cili dhe pse është përmendur në faqen 3 ku thuhet se ISIS shpalli kalifatin islamik, këtë e përsërit në faqen 4 duke dhënë detaje të tjera dhe duke thënë se kalifati është “një shtet që qeveriset në përputhje me ligjin Islam, ose Sheriatin dhe drejtohet nga zëvendësi (!!) i Perëndisë në Tokë ose kalif.” Përtej pasaktësive banale që përmban ky formulim, pyetja që ngrehet këtu është se pse duhet sqaruar në një kontekst ku flitet për terrorizmin dhe një organizatë konkrete të tillë, se çfarë është kalifati apo shteti islamik? Brenda tri faqeve fjala ‘shteti islamik’ është përmendur 6 herë, dhe kalifati dhe derivatet e tij 3 herë. E gjitha kjo, ndërkohë që nuk ka asnjë sqarim tjetër, të krijon përshtypjen se termat ‘shtet islamik’, ‘kalifat’, ‘sheriat’ dhe ‘ligj islamik’ janë të lidhura ngushtë me terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm. Nëse i shtojmë këtu edhe sqarimin që jepet për termin xhihad, dhe sqarimin -në dukje krejt pa lidhje- për fillimin e kalendarit islam dhe ‘epokës islame’ që nisi me emigrimin[1] e Profetit, atëherë kur t’i lidhim të tre këta elementë së bashku, plotësohet kuadri i mesazhit të nëntekstit që përcillet në nënvetëdijen e mësuesve që trajnohen.
Është pra qartësisht i kuptueshëm se, terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm kanë lidhje të pandarë me formimin e kalifatit ose shtetit islamik, i cili arrihet nëpërmjet xhihadit dhe që të gjitha këto e kanë burimin që nga fillimi i epokës islame, që nis me zhvendosjen e Profetit nga Meka në Medinë. Në materialin në power point shtohet edhe një element tjetër që të bind se ky është mesazhi, duke thënë se: “Grupi bazohet në ligjin e sharias i cili ka si synim krijimin e një shoqërie sipas modelit të vjetër të asaj zone.” Dhe modeli vjetër nuk është vetëm se epoka islame që nisi me hixhretin (emigrimin) e Profetit.
Edhe pse autorët e hartimit të këtij materiali, duken që e kanë strukturuar atë në formën e një konspekti, me pika dhe paragrafë, për trajnuesit dhe jo si tekst leximi, shpesh të shkëputur dhe pa lidhje të qartë logjike mes tyre, mesazhi që nënkuptohet dhe i lihet edhe ligjërimit verbal interpretues të trajnuesit, është ai negativ karshi Islamit si fe dhe disa prej koncepteve të tij fetare. Kjo provohet nga denduria e përdorimit të termave, që cituam, në një hapësirë të ngushtë dhe nga kufizimi i shembullit dhe hapësira e madhe që ai zë në veshin e të trajnuarit. Nuk dua të zgjatem në këtë pikë, por ata që merren me median dhe teoritë e analizës së teksteve dhe ligjërimit, e kanë të qartë sesi përçohet nëpërmjet kësaj metode një mesazh i caktuar edhe pse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë. E them këtë, për ndonjë naiv, që kërkon si provë një tekst të fjalëpërfjalshëm, se ku thuhet kjo gjë, edhe pse materiali që po marrim në analizë duket hapur që në tërësinë e tij është tendencioz dhe diskriminon muslimanët qartazi, duke e sjellë shembullin e ekstremizmit të dhunshëm kryesisht vetëm prej tyre.
Materialet japin disa shifra anketimesh, që i quajnë fakte, për përshtypjet e mësuesve rreth elementëve të ekstremizmit në radhët e nxënësve dhe mësuesve madje, pa specifikuar se për çfarë ekstremizmi dhe ideologjie ekstremiste bëhet fjalë, por që padyshim konteksti i përgjithshëm i frymës që mbart trajnimi duket qartë se atakon me këto shifra muslimanët edhe pse në realitet, nëse i besojmë atyre shifrave, jemi të bindur se ato nuk kanë të bëjnë me ta, përndryshe trajnuesit nuk do të ishin rezervuar për ta paraqitur atë qartësisht të specifikuar, por të lëna kështu të nënkuptuara detyrimisht do të keqkuptohen, duke i dhënë përmasa ekstremizmit me burim musliman, përmasa aspak reale.
Një fokus të veçantë materiali e vendos edhe mbi problemin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në konfliktin sirian, duke e dhënë atë si shembull par exellence të ekstremizmit të dhunshëm. Edhe pse shembulli i sjellë, për shkak të kompleksitetit të faktorëve, individëve, motiveve dhe realitetit ha debat, në thelb tregon se fokusi qëndron pikërisht këtu, dhe nga ky rast e merr frymëzimin i gjithë materiali për luftën kudra ekstremizmit të dhunshëm. Mirëpo në analizë të fundit sado që ky problem është rrahur dhe trajtuar gjerësisht, rasti ngelet shumë i kufizuar në krahasim me arsyet e tjera që motivojnë më së shumti dhunën në shoqërinë shqiptare. Ajo që të bën përshtypje këtu është theksi që vendoset te roli i hoxhallarëve, xhamive, imamët e vetëshpallur dhe jashtë kontrollit të KMSH.
Edhe pse ky imazh, për arsye të qarta politike është theksuar së tepërmi, e vërteta është se janë pikërisht hoxhallarët ata që kanë frenuar fenomenin për të mos u bërë masiv. Një apo dy raste, që mund të provohet se është bërë nxitje apo rekrutim nga hoxhallarët, i përgjigjen raste me shumicë ku hoxhallarët, si ata që janë pjesë e strukturave të KMSH si ata jashtë saj, kanë bërë të kundërtën. Dhe kjo konstatohet lehtë, si nga publikimet e ndryshme me frymë anti-rekrutim dhe anti-ISIS, që hoxhallarë të ndryshëm kanë bërë online, debatet dhe kritikat që ata kanë zhvilluar kundër kësaj fryme, por edhe nga dëshmitë e mjaft besimtarëve, të cilët i kanë përjetuar këto drejtpërdrejtë në xhamitë e tyre. Të mos jesh pjesë e strukturave të KMSH nuk të bën automatikisht një njeri potencial për të qenë ekstremist dhe rekrutues lufte, ashtu siç vlen edhe anasjelltas. E vërteta në rastin konkret është se pikërisht disa prej hoxhallarëve, që nuk jashtë pjesë e organikës së KMSH, janë ata që e kanë luftuar më së shumti problemin, madje që para se kryesia e KMSH të nxirrte qarkore për këtë çështje, në disa raste duke u përballur edhe me mesazhe kërcënuese nga të prekurit. Kështu që atakimi në këtë mënyrë i statusit të imamit dhe xhamisë, qoftë edhe ato jashtë KMSH, ndërkohë që realiteti është krejt ndryshe, vjen ose nga padija me çfarë ka ngjarë në Shqipëri për këtë gjë, ose është i qëllimshëm. Ashtu siç materiali e vë në krye, është pikërisht interneti dhe faqet sociale në të, që kanë mundësuar më së shumti rekrutimin, në dallim me tre rastet e tjera, të cilat janë shumë shumë herë më të kufizuara, ndonjë edhe e paqenë (p.sh. “takime të mëdha të organizuara”!!). Dhe kjo është argument pikërisht për atë se propaganda e rekrutimit nuk ka mundur dot të bëhet brenda xhamive, edhe pse diçka e tillë do të kishte rezultuar më produktive në këtë drejtim, por padyshim që këtu është roli vendimtar i imamëve dhe hoxhallarëve, që nuk kanë lejuar që diçka e tillë të ndodh. Dhe natyrisht që janë po ata që duhet të shihen me përparësi për tu mbështetur në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm me burim musliman.
Më pas materiali merret me vunerabilitetin e të rinjve, se çfarë duhet të bëj shkolla kundra ekstremizmit, ekstremizmi i dhunshëm online etj.
Materiali jep një sërë sugjerimesh dhe udhëzimesh sesi duhen raportuar, trajtuar rastet dhe parandaluar që në shfaqjen e tyre të hershme dhe natyrisht shembulli që mund tu vijë më së pari në mendje këtyre mësuesve, që po trajnohen për tu përballuar me ekstremizmin e dhunshëm, është ai që buron nga feja islame dhe besimtarët muslimanë. Shkurt, nxënësit besimtarë praktikantë, djem apo vajza, duhet tani këtej e tutje të jenë nën vëzhgimin e shkollës, për të frenuar faktin që ata të mos ata islamizohen, ose islamizohen “së tepërmi”, perceptime këto krejt subjektive, nën pretekstin e luftës dhe parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm. Në mos qofsha edhe unë ekstremist, në këtë konstatim (sipas ndonjërit), atëherë ndoshta nuk është çudi që një formë e hapjes së “dosjeve” për besimtarët muslimanë praktikantë, të jetë forma e re e luftës kundra “ekstremizmit të dhunshëm”. Uroj ta kem gabim, përndryshe do të futeshim në një hulli pakrye.
Pjesë e këtij trajnimi është edhe një anketim që e shoqëron atë më pas. Pasi mësuesve u është dhënë një leksion i bazuar në materialin problematik që kritikuam deri tani, prej tyre kërkohet të shprehin ‘konstatimet’ e tyre, nisur pikërisht nga referimi islamik që iu bë problemit të ekstremizmit të dhunshëm. Termat radikal, terrorizëm, ekstremizëm, sjellje jo-sociale, etj. dhe shprehjet e përdorura në anketim, janë të zhveshura nga etiketimi si islame, por i gjithë konteksti i trajnimit ia krijon këtë ngarkesë termit në vetëdijen e të anketuarit. Kështu që atij nën këtë frymë i kërkohet të përgjigjet, madje edhe të shpjegohet me detaje, nëse ka vënë re diçka të tillë. Më konkretisht kjo del në pah në pyetjen 9, siç shihet në figurë:
Shihet qartë se katër prej pyetjeve, kanë lidhje vetëm me muslimanët. A thua mbi gjysma e burimit të gjasave, të cilësuara, për tu bërë ekstremist i dhunshëm apo terrorist në Shqipëri, ardhka nga burime muslimane?! E gjitha kjo shkon në frymën e trajnimit dhe vërteton atë që thashë më sipër, se trajnimi i diskriminon dhe atakon muslimanët dhe fenë e tyre kryesisht, për të mos thënë që vetëm ata ka në fokus.
Për tu bërë ekstremistë i dhunshëm në Shqipëri, shanset që të ndikohesh nga grupime të tilla ekstremiste, janë shumë herë më pak sesa hapësira që u jepet atyre në anketim. Kështu që kjo do të thotë të manipulosh qëllimisht rezultatin e anketimit, duke e diktuar atë me anë të rritjes së probabilitetit, ku nga 6 opsionet e cilësuara 4 prej tyre do të marrin se s’bën një numër pohimesh, pra më të shumta se çfarë janë në realitet. Kush e njeh mënyrën sesi luhet me anketimet e di mirë sesi funksionon kjo gjë. Dhe kjo do të mjaftonte për të treguar anën tendencioze të anketimit, e jo më nëse i shtojmë këtu edhe trajnimin, që është bërë pikërisht me këtë frymë që shpreh dhe flet-anketa.
Shoqëria shqiptare është e vërtetë se nuk është e mbrojtur nga ekstremizmi i dhunshëm, qoftë ky me burim fetar, ideologjik, politik, social, racor etj. Dhuna mes nesh është pjesë në mjaft raste e familjes, e gjuhës së përditshme të komunikimit, e problemeve fisnore, shoqërisë, rrugës, shkollës, sportit, politikës, biznesit, kriminalitetit, trafikut të paligjshëm etj. Por mos harrojmë këtu se kjo dhunë ushqehet jo vetëm nga kjo klimë dhune që shfaqet tek të gjitha këto hapësira që përmenda, por edhe nga media, jo vetëm nga lajmet që përçojnë atë që ndodh, por edhe nga arti i dhunshëm që induktohet te brezi i ri nga filmat, letërsia, muzika, nga rrjetet sociale, gjuha banale e përdorur në to, teknologjia dhe lojërat elektronike etj. Të gjithë këta faktorë, të marrë së bashku, e edukojnë dhunën te brezi i ri, ndërkohë që indoktrinimi ideologjik apo fetar vetëm sa gjejnë një terren pjellor të vetëkuptueshëm, se dhuna është mjeti i zgjidhjes më efikas. Pra, pikëpamjet ekstremiste të dhunshme, edukohen praktikisht në mjedisin tonë social që na rrethon dhe nuk janë pasojë e drejtpërdrejtë e besimit fetar islam, apo qoftë edhe pikëpamjeve ekstreme fetare, të një ideologjie të caktuar që na vijnë nga jashtë. Kështu që, dikush që falet rregullisht në xhami, mban mjekër apo vendos shami, për shkak të besimit islam, edhe nëse qëllon të shfaq sjellje të dhunshme dhe këtë ta justifikojë në vetvete me pikëpamje fetare, kjo është kryesish pasojë e ndikimit të mjedisit social-kulturor ku ai gjendet, sesa e vetë ndikimit të ardhur nga ideologjitë ekstremiste fetare që përçohen nga interneti, e jo më nga mësimet fetare që ai mund të marrë në xhami. Një tjetër faktor i rëndësishëm që provokon dhe ushqen ekstremizmin e dhunshëm, është edhe islamofobia. Kur njerëzit shohin se si shahet e fyhet feja islame dhe shenjtërit e saj, ditën për diell nëpër media, nga persona publik dhe asnjë masë nuk merret kundra tyre, dhe në anën tjetër shteti ndalon me dhjetëra besimtarë muslimanë, pa asnjë mandat ligjor, vetëm për shkak të një ndeshje futbolli, dhe mban nën arrest për një vit disa të tjerë, që në fund dalin të pafajshëm, e të tjera raste, e kur pjesë të shoqërisë shqiptare jomuslimane vjellin vrer ndaj tyre, në media dhe online, kjo nuk bën gjë tjetër vetëm se u mbush mendjen një pjesë të besimtarëve se si shteti ashtu dhe shoqëria, ku ata jetojnë, nuk i duan dhe punojnë kundra tyre. Ky perceptim padyshim se do t’i hapë rrugën ekstremizmit, e më pas ndoshta edhe atij të dhunshëm. Edhe pse këtu duhet ta theksojmë se besimtarët në përgjithësi janë pjesa më e shëndetshme dhe humane e kësaj shoqërie dhe larg dhunës. Gjithsesi, si pjesë e kësaj shoqërie ne do të kërkonim nga instancat shtetërore që në hartimin e projekteve të tilla të rëndësishme, por delikate, të ishin pjesë edhe klerikët dhe intelektualët muslimanë, që janë faktorë në terren, dhe jo vetëm ana formale e përfaqësimit të tyre institucional, shpesh e paaftë të menaxhojë dhe adresojë problemet aty ku duhet.
[1] Në material shkruhet: “Hijra i referohet fluturimit (!!) të Muhammedit nga Meka në Medinë…” Hartuesit ose janë të paditur dhe ngatërrojnë gjërat ose e duan të japin mesazhe negative duke shkruar fjalë qëllimisht të pasakta, që të lënë një ndjesi aspak të mirë.