Përgjigjja për historinë që përcillet rreth Utbiut dhe që ka lidhje me lutjen (teuessul-in) nëpërmjet Profetit (alejhis-selam)

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 29 minuta lexim

Përgjigjja në historinë që përcillet rreth Utbiut dhe që ka lidhje me lutjen (teuessul-in) nëpërmjet Profetit (alejhis-selam)

 

Pyetje:

Kam lexuar një artikull që lidhet me tevessul-in dhe me sa duket artikullshkruesi ka sjellë argumente dhe referenca të vërteta, por unë kam nevojë për dikë që ka dituri, që të më tregojë se sa i saktë është ky shkrim dhe argumentet që gjenden në të. Teksti i artikullit është:

Me emrin e Allahut të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.

Besimi në lidhje me tevessul-in nën dritën e kuranit të nderuar.

Allahu thotë: { Ne i kemi nisur të dërguarit vetëm me qëllimin që njerëzit, me lejen e Allahut, t’u binden atyre. Dhe në qoftë se ata, kurdo që ta ngarkonin veten (me gjynahe), të vinin te ti për t’i kërkuar falje Allahut dhe i Dërguari t’i lutej Allahut për shfajësimin e tyre, do ta vërenin, se Allahu, me të vërtetë, është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.}. Ibn Kethiri e konfirmon këtë besim (akide), në tefsirin e tij duke thënë: një grup e ka përmendur këtë, ku prej tyre është ebu Mensur es-Sebbag që në librin e vet esh-Shamil, e sjell tregimin e njohur nga Utbiu, që thotë: “Isha ulur pranë varrit të profetit dhe vjen një beduin dhe thotë: Es-Selamu alejke o i Dërguari i Allahut! Kam dëgjuar Allahun të thotë: { Dhe në qoftë se ata, kurdo që ta ngarkonin veten (me gjynahe), të vinin te ti për t’i kërkuar falje Allahut dhe i Dërguari t’i lutej Allahut për shfajësimin e tyre, do ta vërenin, se Allahu, me të vërtetë, është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.}. Kam ardhur tek ti për të kërkuar falje për gjynahet dhe gabimet e mia, si dhe duke të kërkuar ty që të ndërmjetësosh për mua te Zoti yt.

Pastaj beduini, pasi recitoi një vjershë, shkoi dhe mua më zuri gjumi e në ëndërr pashë të Dërguarin e Allahut që më tha: o Utbi! Ndiqe beduinin dhe përgëzoje se Allahu e ka falur atë.”

Ibn Kethiri ka thënë për këtë transmetim se vjen nga një grup njerëzish dhe është transmetim i njohur, ndërkohë që të gjithë e njohim besimin (akiden) e pastër të ibn Kethirit dhe ai e ka sjellë këtë me qëllim që të argumentohet për saktësinë e tevessul-it nëpërmjet Profetit. Këtu mbaron artikulli.

Cili është opinioni juaj për këtë që thuhet këtu?

Përgjigjja:

Lavdet dhe falënderimet janë për Allahun!

  • Në përgjigjen e pyetjes nr. (3297) Kemi sqaruar më parë llojet e teuessul-it të lejuar, i cili në mënyrë të përgjithshme është:  lutja dhe kërkimi i ndihmës prej Allahut nëpërmjet emrave dhe cilësive të Tij, gjithashtu nëpërmjet besimit dhe njësimit të Allahut, nëpërmjet veprave të mira, sikurse prej llojeve të tij është gjithashtu edhe teuessuli nëpërmjet lutjes që një njeri i mirë besimtar bën për dikë tjetër.
  • Argumentimi që disa autorë librash i bëjnë teuessul-it me ajetin kuranor: { Dhe në qoftë se ata, kurdo që ta ngarkonin veten (me gjynahe), të vinin te ti për t’i kërkuar falje Allahut dhe i Dërguari t’i lutej Allahut për shfajësimin e tyre, do ta vërenin, se Allahu, me të vërtetë, është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.}( EN-NISÂ’ 64), si edhe përmendja e historisë së beduinit që e sjellin për këtë rast, është argumentim i pasaktë dhe i papranueshëm për arsyet e mëposhtme:
  • Ajeti kuranor { Dhe në qoftë se ata, kurdo që ta ngarkonin veten (me gjynahe), të vinin te ti} është i specifikuar për kohën që Profeti (alejhissalatu uesselam) ka qenë gjallë dhe jo pas vdekjes së tij, këtë e tregon vazhdimi i ajetit: {… për t’i kërkuar falje Allahut dhe i Dërguari t’i lutej Allahut}. Ata që i shkojnë Profetit te varri, ku e gjejnë mbështetjen që kur t’i kërkojnë Allahut falje, Profeti lutet për ta në varrin e vet dhe ata të fitojnë nga bujaria që përmendet në pjesën tjetër të ajetit {… do ta vërenin, se Allahu, me të vërtetë, është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.}?     Përkundrazi, ardhja e tyre për këtë qëllim te varri i Profetit, pas vdekjes së tij, është shkak për t’i hapur rrugën kërkimit të ndihmës dhe mbrojtjes nga vetë Profeti (alejhissalatu uesselam) si dhe kërkimi lutje nga Ai dhe jo nga Allahu – siç veprojnë shumë njerëz sot – e kjo do të thotë t’i bësh Allahut shok në adhurim.

Ibn Abdil-Hadij (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Askush nga gjenerata e parë e muslimanëve, selefët e as nga të mëvonshmit, nuk e ka kuptuar këtë ajet ndryshe, përveçse me ardhjen te i Dërguari i Allahut(alejhissalatu uesselam ) gjatë jetës së tij, që ai t’i kërkonte Allahut falje për ta. Allahu e qorton atë të cilin ka bërë gjynah dhe pastaj nuk ka shkuar te Profeti (në kohën që ai ishte gjallë), si edhe na njofton se ai është nga hipokritët. Allahu i Lartësuar thotë: {Kur u thuhet atyre: “Ejani, se i Dërguari i Allahut do të kërkojë falje për ju”, ata tundin kokat e tyre dhe i sheh ata të kthehen me mendjemadhësi.} ( EL-MUNÂFIKÛN 5). Gjithashtu, ky ajet ka lidhje me ata hipokritë që pëlqenin gjykimin e Ka’b bin Eshrefit dhe të tjerë prej tagutëve[1] të cilët lenin mënjanë gjykimin e Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Me këtë gjë, ata kanë vepruar padrejtësinë më të madhe. Pastaj, ata nuk erdhën te i Dërguari i Allahut që ai të kërkonte falje për ta, sepse ardhja te i Dërguari ishte pendim dhe distancim nga gabimi. Ky ishte zakoni i shokëve të Profetit me të, që kur ndonjëri kryente ndonjë vepër për të cilën duhej bërë pendesë, ai vinte te Profeti (alejissalatu uesselam) dhe i thoshte: O i Dërguar! Unë kam bërë këtë e këtë vepër, kërko falje për mua; e ky ishte dallimi ndërmjet tyre dhe hipokritëve. Pastaj, kur Allahu e mori Profetin nëpërmjet vdekjes dhe e kaloi nga mesi i tyre për te mirësia dhe mëshira e Vet, asnjëri prej tyre nuk shkoi kurrë te varri i Profetit (alejhissalatu uesselam) dhe të thoshte: O Profet! Unë kam bërë këtë e këtë gjynah, prandaj kërko falje për mua, e kush transmeton për ndonjërin nga shokët e Profetit se ka vepruar kështu, ai ka gënjyer dhe ka shpifur haptas. A mund të mendohet se po të kishte qenë kjo një detyrë edhe pas vdekjes së Profetit, shokët e tij dhe pasuesit e tyre (tabiinët) që janë pa diskutim gjeneratat më të mira të njerëzimit, do ta nënvleftësonin këtë detyrë për të cilën Allahu i ka qortuar ata që nuk e zbatojnë, kurse nënvleftësimin e saj e ka konsideruar si shenjë hipokrizie? E ndërkohë, na e paskan kuptuar dhe e veprokan, njerëz që as meritojnë vëmendje e as nuk llogariten për dijetarë?! Si mund ta nënvleftësonin këtë çështje, prijësit e islamit dhe udhërrëfyesit e njerëzve, prej dijetarëve të hadithit, fikhut dhe tefsirit, të cilët kanë lënë emër të mirë ndër breza, që as thirrën e as nxitën për një punë të tillë e asnjëri prej tyre nuk e veproi kurrë këtë gjë ..?[2]

  • Historia e Utbi-ut është e pabazë, zinxhiri i transmetitmit të saj nuk është i vërtetë dhe historia nuk merret për argument, por si argument e marrin ata që duan t’i largojnë njerëzit nga feja dhe nga rregullat e Zotit nëpërmjet një historie të pavlefshme dhe të pabazë. Bejhekiu e transmeton në Shu’ab el-iman (6\60\3880) dhe thotë: Na ka njoftuar ebu Ali er-Rrudhbadhi, na ka treguar Amr bin Muhamed bin Amr bin Husejn bin Bekijje, na ka treguar Shukrun el-Herevij, na ka treguar Jezid er-Rekashi, nga Muhamed bin Reuh bin Jezid el-Basri, më ka treguar ebu Harb el-Hilali, që ka thënë: një beduin shkoi në haxh dhe kur shkoi te dera e xhamisë së Profetit të Allahut(alejhissalatu uesselam ), e lidhi devenë dhe pastaj hyri në xhami derisa mbërriti te varri i Profetit, qëndroi në drejtim të fytyrës së Profetit dhe tha: “U flijoftë nëna dhe babai im për ty o i Dërguari i Allahut! Kam ardhur tek ti i rënduar me gjynahe dhe gabime, duke të kërkuar që të ndërmjetësosh për mua te Zoti yt, sepse Ai në librin e Vet të lavdishëm ka thënë: { Dhe në qoftë se ata, kurdo që ta ngarkonin veten (me gjynahe), të vinin te ti për t’i kërkuar falje Allahut dhe i Dërguari t’i lutej Allahut për shfajësimin e tyre, do ta vërenin, se Allahu, me të vërtetë, është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.}( EN-NISÂ’ 64), prandaj, kam ardhur tek ti që u flijoftë nëna dhe babai im për ty, i rënduar me gjynahe dhe gabime, duke të kërkuar që të ndërmjetësosh për mua te Zoti yt, që Ai të m’i falë gjynahet, pastaj u drejtua para njerëzve duke recituar një vjershë në lavdërim të Profetit (alejhissalatu uesselam)…

 

Shejhul islam ibn Tejmie (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Për këtë arsye, një grup nga juristët e mëvonshëm shafi dhe hanbeli e konsideruan këtë gjë si të pëlqyeshme, duke u argumentuar me këtë histori mbi të cilën nuk ngrihet rregull fetar, veçanërisht në një çështje të tillë. Nëse fetarisht do ishte e lejuar dhe e pëlqyeshme, sahabet dhe pasuesit e tyre do ta dinin më mirë këtë çështje dhe do ta vepronin më shumë se kushdo tjetër. Madje, plotësimi i lutjes së një beduini të tillë e të tjerëve si ai, ka shkaqe të cilat janë sqaruar në shkrime të tjera. Jo çdokush që i është plotësuar lutja dhe nevoja, këtë ta ketë arritur nëpërmjet shkaqeve të lejuara dhe të këshilluara. Në kohën që ishte gjallë, Profetit të Allahut i kanë kërkuar diçka dhe ai e ka plotësuar, ai nuk e kthente lypësin duarbosh, ndërkohë që kërkesa, sa i përket atij që e kërkonte ishte e ndaluar.”[3]

Imami dhe hafidhi ebu Muhamed AbdulHadij(Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “.. dhe historinë që përmendet, disa nga ata e transmetojnë nga Utbiu, pa zinxhir transmetimi, kurse disa të tjerë e transmetojnë nga Muhamed bin Harb el-Hilali, kurse disa të tjerë nga Muhamed bin Harb, ky nga ebu Hasen ez-Zafrani, ky nga beduini. Bejhekiu e ka përmendur në librin “Shuab el-Iman” me zinxhir transmetimi tepër të dobët nga Muhamed bin Reuh bin Jezid el-Basri; më ka treguar ebu Harb el-Hilali që ka thënë: Një beduin bëri haxhin dhe kur shkoi te dera e xhamisë së Profetit(alejhissalatu uesselam ) e ndaloi devenë e tij dhe e lidhi, pastaj hyri në xhami derisa mbërriti te varri(i profetit), pastaj përmendi atë që u tha më lart, kurse disa gënjeshtarë dhe mashtrues i kanë vendosur një zinxhir transmetimi që mbërrin deri te Ali bin ebi Talib(Allahu qofrë i kënaqur me të) sikurse do të përmendet më poshtë.

E përmbledhur, kjo histori e papranueshme nuk konsiderohet argument, kurse zinxhiri i transmetimit të saj është    tepër i dobët e i sajuar, gjithashtu edhe teksti i saj është i sajuar, por edhe po të kishte qenë e vërtetë, sipas dijetarëve nuk do të ishte argument për atë çfarë synojnë ata që kundërshtojnë, as ngrihet argument mbi këtë histori e as nuk mbështetesh. Suksesi vjen nga Allahu.” Këtu mbaron fjala e tij. [4]

Sheh Albani(Allahu e mëshiroftë) thotë: “Zinxhiri i transmetimit është shumë i dobët , nuk e njoh Ejub el-Hilali e as ata pas tij. Kurse ebu Jezid er-Rekashin e ka sjellë Dhehebiu në “Munteka fi serdi el-Kuna”(155\2) dhe nuk e ka emëruar, por orienton se ai nuk njihet, me fjalën e tij: ka treguar diçka. Unë mendoj se orienton për te kjo histori. Kjo histori është e refuzueshme në mënyrë të qartë, të mjafton që ajo i referohet një beduini të panjohur. Hafidh ibn Kethir – për të ardhur keq – e ka përmendur në tefsirin e vet te ky ajet: { Dhe në qoftë se ata, kurdo që ta ngarkonin veten (me gjynahe)..} dhe prej tij e morën me shpejtësi ata që shkojnë pas egos së tyre dhe njerëzit e devijuar. Kjo gjendet edhe te ibn Kethiri dhe nuk i referohet askujt prej dijetarëve të njohur të hadithit, por e ka përcjellur(mualak) nga Utbi-u, që nuk njihet, përveçse në këtë transmetim, kurse në zinxhirin e Bejhekiut, ky mund të ketë qenë Ejub el-Hilali. Kjo histori është papranueshme, madje e pavlefshme dhe e kotë, për shkak se bie në kundërshtim me kuranin dhe sunetin profetik. Për këtë arsye, njerëzit e bidatit apasionohem me të, sepse kjo histori e bën të lejuar kërkimin e ndihmës nga Profeti(alejhissalatu uesselam ) dhe kërkimin e shefatit nga ai, pas vdekjes së tij. Kjo është prej kotësive më të kota, siç edhe dihet. Dijetari islam ibn Tejmie e ka sqaruar në librat e tij, sidomos në librin “et-Tevesul uel-Uesijle” duke treguar papranueshmërinë e historisë së Utbi-ut.”[5]

Sheh Salih ali Shejh thotë: “Them, së pari: përderisa kjo nuk ka qenë nga tradita e të Dërguarit të Allahut(alejhissalatu uesselam ) e as nga tradita e halifëve të tij të drejtë, si dhe as nga tradita e sahabeve të nderuar, as nga veprat e tabiinëve dhe brezave më të mirë, porse është vetëm një tregim nga një njeri i panjohur, i transmetuar me zinxhir të dobët transmetimi, si mund të merret si argument në besimin e njësimit(teuhidit) që është baza e bazave? Si mund të argumentohesh me të, kur kundërshton hadithet e vërteta që ndalojnë nga teprimet në lidhje me varret dhe në lidhje me besimtarët e dalluar në përgjithësi? Gjithashtu, edhe nga teprimet në lidhje me varrin e Profetit( alejhissalatu uesselam) dhe teprimet në lidhje me vetë atë në veçanti?!

Kurse sa i përket dijetarëve që e kanë përcjellur këtë histori ose e kanë marrë si të mirëqenë, kjo nuk është argument me të cilin mund kundërshtohen tekstet e vërteta dhe nëpërmjet të cilit mund të kundërshtosh besimin e të parëve të mirë. Disa dijetarëve mund t’u fshihet ajo që për të tjerë përveç tyre është e qartë, si dhe mund të gabojnë në përcjelljen e transmetimeve dhe në opinionin e tyre, kur ndërkohë argumenti mund të jetë në anën e atyre që janë në anën e kundërt. Përderisa e dimë rrugën e saktë, atëherë nuk kemi pse marrim se çfarë ka thënë filani, apo ka treguar filani, sepse feja jonë nuk ndërtohet mbi tregime dhe ëndrra, por bazohet në fakte të vërteta.

Së dyti: disa çështje dhe kuptime, mund të mos kuptohen prej disave që që janë larguar nga idhujt dhe janë distancuar prej idhujtarisë dhe idhujtarëve, siç thanë disa sahabe: “Na bëj edhe neve një pemë, si pema En’uat që e kanë idhujtarët”, kurse i Dërguari i Allahut(alejhissalatu uesselam ) u tha: Allahu Ekber(Allahu është më i madhi), kjo është ndjekja e rrugës së atyre që kanë devijuar më parë. Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, keni thënë ashtu siç kanë thënë shokët e Musait: { Na bëj edhe neve një të adhuruar, ashtu si kanë ata të adhuruar}”(hadith i vërtetë). Argumenti këtu është se ata sahabe, edhe pse sapo kishin pranuar islamin dhe ishin shkëputur nga mohimi, ata kishin hyrë në islam me fjalën LA ILAHE ILA-LLAH, fjalë me të cilën largohesh nga idhujt dhe llojet e adhurimit të tyre, si edhe njësohet Allahu, mirëpo edhe pse ata e njihnin kuptimin e vërtetë të fjalës LA ILAHE ILA-LLAH, disa çëshjte më vete nuk i njihnin mirë. Por, puna është se kur argumenti qartësohet, duhet ta pranosh dhe ta ndjekësh atë, ndërkohë që për të paditurin edhe mund të ketë justifikim, ashtu pati justifikim edhe për ata sahabe për fjalën e tyre(“na bëj edhe neve një pemë, si pema En’uat që e kanë idhujtarët”). Ndërkaq, për të tjerë prej dijetarëve, akoma më shumë është e mundur që të mos iu qartësohen disa prej çështjeve, edhe nëse kanë lidhje me teuhidin dhe shirkun.

Së treti: si mundet që dikush të marrë guximin për të kundërshtuar tekstet e kuranit dhe të traditës profetike, nëpërmjet një historie që tregohet nga dikush që e ka menduar si të mirëqenë, kur Allahu thotë: { Le të frikësohen ata që kundërshtojnë urdhrin e tij, që të mos i arrijë ndonjë sprovë ose që të mos i godasë një dënim i dhembshëm.}( EN-NÛR 63). Imam Ahmedi ka thënë: Habitem me disa njerëz, e njohin transmetimin dhe vërtetësinë e tij dhe shkojnë pas mendimit të Sufjanit, ndërkohë që Allahu i Lartësuar thotë: { Le të frikësohen ata që kundërshtojnë urdhrin e tij, që të mos i arrijë ndonjë sprovë}, dhe e di se çfarë është sprova? Sprova është shirku. Ndoshta, kur ai kthen mbrapsht një pjesë të fjalës së Allahut, në zemrën e tij hyn diçka nga devijimi dhe kështu merr veten në qafë. Prandaj, bindja ndaj të Dërguarit të Allahut(alejhissalatu uesselam ) është para bindjes së çdokujt tjetër, edhe nëse ky është nga më të mirët e muslimanëve, si Ebu Bekri dhe Umeri, ashtu siç ka thënë ibn Abasi: “Ka rrezik që nga qielli t’ju bien gurë; unë ju them se ka thënë i Dërguari i Allahut, kurse ju thoni: ka thënë ebu Bekri dhe Umeri”. Si do të ishte sikur ibn Abasi të shikonte këta njerëz që sunetin e vërtetë dhe argumentin e qartë e kundërshtojnë me fjalën e një beduini nëpërmjet historisë së dobët dhe të papranueshme të Utbiut? Suneti i Profetit, në zemrat e atyre që e duan, është më madhështor dhe më i shtrenjtë se sa këto argumente të rrënuara me të cilat, njerëzit me koncepte bidati e mbajnë veten, koncepte të ndërtuara mbi ëndrra dhe gjëra të papranueshme. Çuditu me këto gjëra dhe ndiq vetëm rrugën e të Dërguarit të Allahut! Ruaju dhe përsëri ruaju që të mos refuzosh hadithet e vërteta dhe të besosh lajmet e kota dhe të pavlefshme, sepse kush e bën këtë, ka rrezik që në zemrën e tij të bjerë sprova dhe të marrë veten në qafë.

Së katërti: nuk ka dijetar, vetëm se në çështjet që ai ka zgjedhur, i bëhet kundërpërgjigje, kjo ose për shkak të opinionit të tij, ose për argumentin e dobët. Sikur njerëzit të ndiqnin gjykimet dhe opinionet individuale e të veçuara të dijetarëve muxhtehidë, si edhe fetvatë lehtësuese të tyre, kishin për të dalë nga feja islame dhe kishin për të hyrë te një fe tjetër, sikurse thuhet: Kush gjurmon lehtësimet e dijetarëve, do bëhet i pafe(zindik). Nëse ai që dëshiron shthurjen dhe devijimin nga rruga drejtë, do të donte që lehtësimet e dijetarëve t’i shfrytëzonte si shteg për të arritur te tekat dhe egoja e vet, pushtetari do e kishte për detyrë ta pengonte dhe ta penalizonte atë, sikurse kjo është e ditur në juridiksionin e katër imamëve dhe të tjerëve përveç tyre. Kur dikush don të përligj gjunahun e vet duke u mbështetur në fjalën e gabuar të ndonjë dijetari, askush nga juristët nuk ka thënë se kjo i pranohet dhe nuk qortohet. Këtu mbaron fjala e shejhut.[6]

  • Nuk ka dyshim se hafidh Ibn Kethiri(Allahu e mëshiroftë) është prej dijetarëve muslimanë dhe imamëve të tyre, që janë të njohur për besimin(akiden) e drejtë dhe metodikën(menhexhin) e pastër. Por, përmendja nga ana e tij e historisë( së Utbiut)në tefsirin e vet, nuk do të thotë se mund të argumentohesh me të, por ajo nuk është gjë tjetër, vetëm se nga lloji i israilijatave dhe lajmeve të shkëputura, të cilat janë bërë zakon që të përcillen dhe të transmetohen nga dijetarët, për shkak të përshtatjes me kapitullin, por pa patur si qëllim argumentimin me to, me përjashtim të rasteve kur këtë gjë, ata e thonin qartë, prandaj, nuk është e vërtetë që ai(ibn Kethiri) na e paska sjellur këtë histori, vetëm se për të argumentuar saktësinë e et-teuessul-it.

Shejh Salih ali Shejh thotë: “Ibn Kethiri nuk e ka transmetuar atë, por ai në tefsirin e vet, vetëm sa ka thënë: një xhemat ka përmendur, prej tyre ebu Mensur es-Sebbag, në librin e tij përmbledhës “Historia e njohur prej Utbi-ut ..”. Ky nuk është transmetim, por vetëm përcjellje. Kurse ibn Kuddame në “el-Mugnij” nuk e ka transmetuar, por e ka përcjellur në një formë që tregon pavërtetësinë e transmetimit (3/557), gjë e cila na bën të ditur se është ngjarje e dobët.” Këtu mbaron fjala e shehut.[7]

Allahu e di më mirë.

Faqja elektronike: Islam pyetje-përgjigje https://islamqa.info/ar/179363

[1] Fjala Tagut nënkupton çdo krijesë që kalon kufijtë, duke kaluar nga haku te e kota, nga imani në kufër.  Imam ibn Kajjimi i ndan llojet e tagutëve në pesë kategori ku njera prej tyre bën fjalë për ata njerëz të cilët nuk gjykojnë dhe nuk janë të kënaqyr me gjykimin me fjalën e Allahut, siç nënkupton dhe rasti në fjalë në tekstin e sipërpërmendur.

[2] Sarim el-Menkij(f 425-426. Botimi i el-Ensari); Shiko Tefsirin e Taberiut(8\517); Tefsirin e Sa’dit(f 184).

[3] Iktida’ Siratal-Mustekim (1\289).

[4] Sarim el-Munkij (338, botimi el-Ensari).

[5] Silsile es-Sahiha (427\6).

[6] Këto janë konceptet tona(Hadhihi mefahijmuna) f 81-83.

[7] Këto janë konceptet tona(Hadhihi mefahijmuna) f 80-81.