Arrestimet dhe Islamofobia
Nga Justinian Topulli
*Kryetar i Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë*
http://www.panorama.com.al/2014/03/16/arrestimet-dhe-islamofobia/
Në mëngjesin e 11 marsit myslimanët e Shqipërisë u vunë në qendër të vëmendjes së opinionit publik, për shkak të një operacioni policor që arrestoi shtatë besimtarë, të cilët akuzoheshin nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për: “rekrutim të personave me qëllim kryerjen e veprimeve terroriste”; “nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste” dhe “nxitjes së urrejtjes ose e grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve”!
Këto akuza janë tepër të rënda dhe reagimi i parë që ka çdo njeri normal është: A janë të vërteta këto akuza, sidomos kur flitet për njerëz që janë pjesë e bashkësisë ku ti bën pjesë?! Cilat janë provat për këto tri krime të rënda? Dhe nëse ka diçka të vërtetë, a arrin situata deri atje sa të justifikojë këto akuza kaq të rënda dhe atë aksion aq bombastik? Ajo çka e fryn edhe më tepër problemin është edhe fakti se këto akuza të paprecedente deri më sot për ne si myslimanë shqiptarë, krijojnë një terror psikologjik që errëson edhe gjykimin objektiv të njerëzve; për shumë besimtarë që do ta shohin këtë ngjarje si sulm ndaj fesë dhe shumë të tjerë që vërtet do të tremben dhe besojnë se xhamitë prodhojnë njerëz që duan të bëjnë terror mes njerëzve në këtë vend apo diku tjetër!
Kjo klimë nuk i shërben askujt, dhe organet e shtetit duhet të jenë jo vetëm objektive dhe të drejta me këdo dhe të mos i amplifikojnë akuzat dhe veprimet përtej cakut të tyre real, nëse bazohen në prova, por edhe tepër të kujdesshme nga shfaqje të tilla të panevojshme, që demonstrojnë forcën e shtetit në mënyrë spektakolare! Një shtet i fortë e kap “lepurin me qerre”, dhe rasti konkret duket që ka qenë më shumë një show, i cili duhet të ishte kursyer edhe nëse vërtet ka shkelje ligjore. Ajo që më shqetëson më shumë nga kjo ngjarje janë pikërisht pasojat e dyfishta negative si për myslimanët, ashtu edhe për shoqërinë që na rrethon. Në njërin krah shumica e myslimanëve ndihen të terrorizuar, të trembur e të frikësuar pa faj, dhe në anën tjetër pjesa tjetër e shoqërisë që shton islamofobinë dhe përligj diskriminim, fyerjen dhe padrejtësinë ndaj nesh.
Ajo çka është e vërtetë në mesin e myslimanëve shqiptarë dhe që nuk del jashtë realitetit të një pjese tjetër të shoqërisë, është edhe margjinalizimi i një pjese të vogël të besimtarëve nga pjesa tjetër e shoqërisë, dhe në këtë drejtim ka ndikuar së tepërmi edhe gjendja ekonomike, problemet sociale dhe, mbi të gjitha, ato morale që ka shoqëria jonë. Grupe të tilla sociale janë të prira të shohin më së shumti vetëm anët negative të realitetit dhe të kenë një ligjërim më refuzues ndaj tij sesa të tjerët, por kjo nuk i bën ata aspak terroristë, kur dihet që pikërisht te ata zhvillohet së tepërmi ndjenja se rrethohen nga konspiracionet dhe përgjimet e shërbimeve inteligjente. Pjesëmarrja në luftëra dhe konfliktet e armatosura nga disa prej tyre, është pikërisht një përpjekje për të ikur njëherë e përgjithmonë nga realiteti në të cilin jetojnë dhe nuk e durojnë dot, dhe për të mos u kthyer më në të.
Nëse kuptohet mirë kjo, atëherë nuk ka vend për frikë se një ditë këta të ashtuquajtur terroristë do të kthehen për të kryer vepra terrori në vendin e tyre, të paktën ata që janë arrestuar dhe ne i njohim nuk janë njerëz të tillë. Gjithsesi, ajo çka dua të them me këtë është se trajtimi i këtij problemi me masa të tilla represive dhe aksione policore të zhurmshme vetëm se e përkeqëson situatën dhe nuk kontribuon aspak në zgjidhjen e saj. Jam i detyruar këtu të përmend dhe të ngre fort zërin për islamofobinë në rritje, fenomen ky që është kaq prezent në median e shkruar elektronike, saqë shurdhëria dhe indiferenca e organeve të shtetit, madje edhe ndaj denoncimeve konkrete nga Komuniteti Mysliman, të habit tej mase, aq sa të bën të besosh se përtej deklarimeve formale se nuk e kemi me Islamin dhe myslimanët, është një hipokrizi e radhës.
Ne si komunitet nuk mundet të jetojmë të qetë dhe në paqe sociale me një pjesë të shoqërisë që sot shfaqet para nesh drejtpërdrejt vetëm nga mediat elektronike, që na sulmon duke vjellë gjithë arsenalin më të ndyrë të shpifjeve, ofendimeve dhe thirrjeve për shfarosje të Islamit dhe myslimanëve në këtë vend. Mjafton t’u hidhni një sy disa mediave elektronike në Internet dhe do të konstatoni lehtësisht faktin se nga artikujt dhe lajmet më të komentuara në to, shpesh me qindra, ku shpaloset gjuha e mësipërme kriminale ndaj myslimanëve dhe fesë së tyre, janë pikërisht ato shkrime ku përmenden myslimanët dhe Islami. Nuk e di se si do të sillen organet e shtetit shqiptar, opinionistët dhe mediat tona kur kjo urrejtje islamofobike të shpërtheje në veprime kriminale të tipit Breivik, ndërkohë që merren gjatë gjithë kohës me “terroristët islamikë shqiptarë”, që deri më sot nuk kanë thyer as edhe një xham të vetëm në emër të këtij “terrorizmi”!
E pra, e gjithë kjo klimë aspak dashamirëse ndaj nesh si myslimanë, si nga fryrjet dhe spekulimet aspak objektive shpesh të mediave deri edhe tek aksione të tilla policore nga shteti, çon ujë vetëm në mullirin e interesave të ngushta materiale e ideologjike të klaneve të caktuara dhe dëmton rëndë imazhin dhe interesat tona kombëtare. Pyetja thelbësore që unë ngre këtu për çdo njeri, është: Kujt i shërben kjo klimë? Të mires së këtij vendi dhe qytetarëve të tij?! Kurrsesi që jo! Nuk ka njerëz pa gabime, kushdo qofshin ata, dhe kjo është një e vërtetë që ne si besimtarë e kemi parim të fesë sonë ta pranojmë, na pëlqen ose jo, por askush, cilido qoftë ai, mysliman ose jo, nuk ka të drejtë as ligjore dhe as morale të na detyrojë të dihemi të përçmuar dhe akuzuar nga islamofobia dhe pakënaqësia, që vetëm se ushqehen më tej, me të tilla ngjarje, në shoqërinë tonë tepër paragjykuese dhe të brishtë. Në një situatë të tillë tepër të sikletshme, nuk më ngelet vetëm se t’i lutem Zotit dhe të uroj që të gjitha palët të ruajnë maturinë dhe të mos nxitohen në konkluzione, akuza dhe prononcime, që vetëm se dëmtojnë ekuilibrin social në këtë vend.