Çfarë bëhet me rrobat e të vdekurit?
Pyetje: Çfarë bëhet me rrobat e të vdekurit?
Përgjigje: Është i përhapur te njerëzit realiteti i pasjes merak të përdorimit të rrobeve të të vdekurit, ose të shtrojeve të gjumit pas vdekjes së tij. Disa i hedhin, disa i falin, disa e lidhin çështjen me besëtytni të ndryshme dhe kanë frikë t’i përdorin më pas, edhe pse mund të jenë shumë të mira. Disa kanë merak sepse janë të kompleksuar psiqikisht, e disa të tjerë hezitojnë e nuk dinë ç’të bëjnë. Në Fenë Islame nuk ka argumente specifike, që tregojnë se çfarë duhet të bëhet konkretisht me rrobat apo shtresat që ka përdorur dikush para se të vdiste. Përkundrazi Islami i lufton besëtytnitë dhe nuk ka arsye për të pasur frikë ose merak, kur ato rroba janë realisht njësoj si rrobat e tjera, të cilat lahen dhe pastrohen, përveç rasteve kur i vdekuri para se të vdiste vuante nga sëmundje ngjitëse dhe rrobat apo shtresat e tij personale mund të jenë të infektuara dhe të dëmshme. Nga ana tjetër duhet të kemi parasysh se rrobat, shtresat dhe sendet personale të të vdekurit mund të jenë me vlerë të konsiderueshme, dhe ato janë pjesë e trashëgimisë familjare, të cilat ndahen sipas hiseve që u takon anëtarëve. Më pas anëtarët kanë të drejtë t’i falin në formë sadakaje, ose t’i shesin, ose t’i përdorin vetë, por kurrsesi nuk duhet të ndikohen nga besëtytnitë e ndryshme, e të kenë merak apo frikë në përdorimin e tyre.
Komisioni i studimeve dhe fetvave pranë LHSH-së