GJYKIMI PËR SHITBLERJEN MURABAHA
Një nga llojet shitblerjeve të njohura në fikhun islam dhe që praktikohet shpesh nga institucionet financiare islame, qofshin këto banka ose jo, është edhe lloji që njihet me emrin shitblerja murabaha. Forma e saj funksionon në këtë mënyrë: një klient i kërkon bankës që të blejë për interes të tij një produkt të caktuar konkret (p.sh. makinë, shtëpi etj.), me të gjitha të dhënat dhe detajet përkatëse dhe bie dakord me bankën që ajo të fitojë një shumë të përcaktuar parash (p.sh. 2000 euro) nga shitja që do t’i bëjë këtij klienti, mbi shumën e kostos që i duhet bankës për ta siguruar këtë produkt (p.sh. 10000 euro). Duke qenë se banka këtë produkt e blen në emër të saj dhe e bën atë pronë të saj para se t’ia shesë atë klientit, ajo merr një premtim nga klienti se ai do t’ia blejë këtë produkt bankës pasi produkti në fjalë të bëhet pronë e bankës dhe të jetë në zotërim të saj.
Ka pasur debate ndërmjet juristëve islam rreth këtij transaksioni financiar, disa janë të mendimit se kjo nuk ndryshon nga kreditë me kamatë, ndërsa të tjerë janë të mendimit se është një shitblerje ku nuk përmbushen disa kritere, ndërsa të disa të tjerë se kjo është një shitblerje e saktë, dhe përmbushen të gjitha kriteret. Debati më i fortë është zhvilluar rreth çështjes së premtimit që klienti i jep bankës, a duhet detyruar ai ta bëjë këtë premtim apo jo?
Ndoshta ata që janë të mendimit se ky transaksion nuk ndryshon nga kreditë me kamatë, janë nisur nga gabimet sesi zbatohet ky transaksion në terren, dhe nisur nga kjo mbrojnë këtë opinion, por fetvatë që e lejojnë kanë vendosur kritere që duhet të përmbushen nga ana e bankave, që nëse respektohen prej tyre, atëherë ky lloj transaksioni nuk hyn tek kreditë me kamatë, që janë të ndaluara fetarisht.[1] Për këtë çështje ka pasur edhe disa vendime nga akademi dhe konferenca të financës islame, mes tyre vendimi i Konferencës së dytë të Agjencive financiare Islame në vitin 1403 h/1983 në të cilin u nxorën këto vendime:
“Konferenca vendosi se: Premtimi reciprok (nga të dyja palët) rreth shitblerjes murabaha, pasi produkti të jetë blerë dhe vënë në pronësi dhe zotërim të bankës dhe shitja pas kësaj klientit që e kërkoi blerjen e produktit, me një fitim të përcaktuar, të përmendur në premtimin e mëhershëm (të klientit ndaj bankës), është e lejuar fetarisht, për aq kohë sa përgjegjësia e dëmtimit para dorëzimit te klienti bie mbi bankën islame dhe po ashtu e drejta e kthimit të produktit, nëse del më pas se ka defekte, që më parë nuk diheshin, nuk i mohohet klientit.
Ndërsa për sa i përket premtimit, a është detyrues për klientin apo për bankën, apo për të dy së bashkë, mendimi që thotë se është detyrues është më parësor, sepse mbron më mirë interesin e transaksioneve, dhe i jep qëndrueshmëri atyre, merr parasysh në këtë rast interesat e bankës dhe të klientit njëkohësisht. Marrja në konsideratë e detyrimit të mbajtjes së premtimit është diçka e pranueshme nga ana fetare dhe çdo bankë është e lirë të zgjedh mendimin që e sheh të arsyeshëm rreth këtij detyrimi, në bazë të asaj që vendos këshilli mbikëqyrës sheriatik që banka ka.
Konferenca është e mendimit se parapagesa e garancisë (kapari), që praktikohet në transaksionin murabaha dhe të tjera transaksione, është e lejuar, me kusht që bankës nuk i lejohet të marrë nga kapari vetëm sa masa e dëmit real të provuar, që vjen si shkak i tërheqjes së klientit.”
Nga ky vendim vihet re se ky lloj transaksioni duhet të përmbushë këto kritere:
– Pronësia e produktit
– Zotërimi i produktit
– Përgjegjësia e dëmtimit të produktit para dorëzimit
– Përgjegjësia për defektet e produktit pas dorëzimit
Padyshim se respektimi i këtyre kritereve e dallon qartë këtë lloj shitblerje nga kredia me kamatë. Pjesëmarrësit në këtë konferencë ishin të gjithë të një zëri rreth kësaj pjese të vendimit, por nuk ranë dakord rreth detyrimit të premtimit, edhe pse shumica e dijetarëve pjesëmarrës e panë si të lejuar këtë gjë, por konferenca e la këtë çështje në dorë të këshillit sheriatik mbikëqyrës të çdo banke. Ndërkohë debati rreth kësaj çështje vazhdoi, dikush e praktikonte dhe dikush jo, por ndoshta çështja u bë më e qartë pas studimeve të shumta që u paraqitën pranë Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam dhe debateve të zgjeruara rreth kësaj pike, derisa prej tyre u dha kjo përgjigje[2]:
Gjykimi në lidhje me transaksionin “murabaha” dhe “përmbushjen e premtimit” në të
Vendimi nr. 40-41 (2/5 dhe 3/5)
Këshilli i Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam, i mbledhur në sesionin e konferencës së tij të pestë në Kuvajt, në datat 1-6 Xhumadal Ula 1409 h/ 10-15 Dhjetor 1988, pasi mori në shqyrtim studimet e paraqitura nga anëtarët dhe specialistët në dy çështje: përmbushja e premtimit dhe transaksionin murabaha, dhe dëgjoi diskutimin që u zhvillua rreth tyre vendosi si më poshtë:
Së pari: Shitblerja murabaha, nëse bëhet për një produkt pasi ai të jetë bërë pronë e bankës, që e blen atë për interes të klientit, dhe përmbushet sheriatikisht zotërimi i këtij produkti prej saj, atëherë ky transaksion është i lejuar fetarisht. Kjo vlen për aq kohë sa përgjegjësia e dëmit bie mbi këtë pronar (bankën) derisa produkti t’i dorëzohet pronarit të ri, dhe mund të kthehet mbrapsht për shkak të defekteve të padukshme ose për arsye të tjera, që përligjin kthimin e produktit (te banka), pasi ai të jetë marrë në dorëzim nga klienti, si dhe nëse përmbushen kriteret e shitjes dhe nuk ekzistojnë ndalesa.[3]
Së dyti: Premtimi –që vjen vetëm nga klienti ose vetëm nga banka- është i detyruar fetarisht (moralisht) të përmbushet nga premtuesi, me përjashtim të rasteve të justifikuara pamundësie, ndërkohë është i detyruar të përmbushet ligjërisht, nëse premtimi lidhet me koston e pasojës që vjen si shkak i premtimit të bërë. [4] Në këtë rast pasoja e detyrimit (financiar) përcaktohet ose duke përmbushur premtimin ose duke kompensuar dëmin e ndodhur realisht, për shkak të mos përmbushjes së premtimit pa arsye.
Së treti: Premtimi reciprok –që vjen nga të dyja palët- lejohet të aplikohet në transaksionin murabaha, me kusht që të jetë në zgjedhjen e lirë të dy palëve, qofshin të dy ose njëri. Nëse nuk ka hapësirë të lirë zgjedhjeje, atëherë nuk lejohet, sepse premtimi reciprok i detyruar në shitjen murabaha i ngjan vetë shitjes, ndërkohë që është kusht që shitësi të jetë pronar i produktit që shet, dhe të mos bihet në ndalesën e ardhur nga Profeti (alejhi salatu ue selam) se nuk i lejohet askujt të shes diçka që nuk e zotëron.
Sugjerimet:
Nisur nga ajo që është vënë re se, shumica e agjencive financiare islame i janë përkushtuar në shumicën e aktivitetit të tyre transaksioneve me metodën murabaha (blerje për t’ia shitur të tretëve), këshillojmë:
Së pari: Të gjitha agjencitë financiare islame të zgjerojnë aktivitetin e tyre në rruga të tjera të zhvillimit financiar, dhe në veçanti në ngritjen e projekteve industriale ose tregtare, qoftë me kontribut individual ose nëpërmjet ortakërisë së plotë (mushareke) ose ortakërisë së pjesshme (mudarabe), me palë të tjera.
Së dyti: të studiohen rastet praktike të zbatimit të murabaha-s në agjencitë financiare islame, për të vendosur rregulla bazike që i ruajnë ato nga gabimet në zbatimin praktik dhe ndihmojnë në respektimin e dispozitave të përgjithshme ose të veçanta të sheriatit, në rastin e transaksionit murabaha.
Allahu e di më së miri.
Burimi: http://www.iifa-aifi.org/1751.html
[1] Shkëputur me shkurtime nga Enciklopedia e Çështjeve Bashkëkohore të Fikhut dhe të Financës Islame, të autorit Ali Ahmed Salus, fq. 600.
[2] Referenca e mëparshme. Fq. 601-602.
[3] Për ta thjeshtuar në pika: a) klienti i interesuar për blerjen e një produkti duhet ta blejë atë nga pronari i ri i saj (banka), që e blen atë për interes të klientit nga pronari i parë produktit. b) përgjegjësia e pronës dhe e problemeve që ajo mund të ketë bie mbi pronarin e saj aktual (bankën), para, por edhe pas kalimit te pronari i ri, nëse ka elementë që e përligjin këtë. c) gjatë shitblerjes duhet të përmbushen mes palëve të gjitha kriteret e sheriatit. (shën. përkth.)
[4] Si p.sh. nëse dikush i premton tjetrit: prishe shtëpinë e vjetër, sepse unë do të të jap borxh për të ndërtuar të renë, dhe i interesuari e prish atë. Në këtë rast premtuesi është i detyruar ligjërisht të përmbush premtimin e tij, sepse për shkak të këtij premtimi, personi tjetër ngarkoi veten e tij me kosto. (shën.përkth.)