بسم الله الرحمن الرحيم
Pyetje: Sipas normave të kurbanit duhet që të mos ketë të meta fizike dhe as sëmundje. Pyetja ime është: çdo lloj e mete futet këtu apo ka tolerancë në disa prej tyre?
Përgjigje: Të metat fizike të cilat e bëjnë kafshën të pavlefshme për kurban janë përmendur qartë në hadithin që e përcjell el-Bera ibn Azib, ku transmetohet se i Dërguari i Allahut (alejhissalatu uesselam) ka thënë: “Katër lloje nuk lejohen për kurban: kafsha e verbër në një sy, verbëria e së cilës duket qartë; kafsha e sëmurë, sëmundja e së cilës duket qartë; kafsha e çalë, çalimi i së cilës duket qartë; dhe kafsha shumë e dobët e rraskapitur, që nuk ka palcë në eshtra.” (Tirmidhiu nr 1497 dhe Ibn Maxheh 3144)
Ky hadith tregon se kurbani duhet të jetë kafshë e shëndetshme dhe pa të meta të mëdha, siç përmenden në tekstin profetik. Qëllimi është që njeriu t’i afrohet Allahut me kurban të mirë dhe jo me kafshë me mangësi të rënda.
Teksti tregon gjithashtu se ka tolerancë për të metat e vogla, të cilat nuk e prishin vlefshmërinë e kurbanit. Përshembull, kur kafsha nuk ka brirë ose e ka bririn e thyer, kjo nuk konsiderohet e metë që e pengon vlefshmërinë e kurbanit. Po ashtu, çarja apo prerja e vogël në vesh, ose çalimi i lehtë që nuk pengon ecjen normale, nuk përbëjnë problem.
Pra, çdo e metë që është e vogël dhe nuk ndikon dukshëm në shëndetin, mishin ose ecjen e kafshës, kurbani lejohet.
Allahu e di më së miri!
Komisioni i Pyetjeve dhe Përgjigjeve pranë LHSH.
