بسم الله الرحمن الرحيم
Pyetje: Shes dele dhe jam njëkohësisht edhe kasap, por për të qenë sa më i saktë në koston e kurbanit ua marrë paratë e kurbanit, atyre që e kanë porositur, pas therjes së tij, në bazë të peshës së therur.
Përgjigje: Për sa i përket marrjes përsipër të therjes së kurbanit nga dikush tjetër, veç porositësit të kurbanit, kjo është një praktikë e lejuar pa mospajtime mes dijetareve. Imam Kasani i shkollës hanefite thotë:
“Kurbani është i vlefshëm nëse ai theret nga i zoti (i kurbanit), ose dikush tjetër me lejen e tij.” (Bedaiu–Sanaii 5/67)
Këtë mendim e kanë edhe shkollat e tjera juridike si Maliki, Shafii dhe Hanbeli. (Shih: Hashijetu Desuukij 2/123, el- Muhedheb 1/239, el- Mugni 11/116).
Ndërsa për sa i përket pagesës, pasi kurbani është therur, në bazë të peshës së therur, mendimi më i pranuar te dijetarët është se lejohet, sepse norma bazë e çdo shitblerje është lejimi, përderisa nuk ka një ndalesë specifike fetare. Dhe në rastin konkret nuk ka ndonjë ndalesë për këtë gjë.
Edhe pse pesha në kg e kafshës, para se ajo të theret nuk dihet se sa do të jetë, në përfundim ajo do të merret vesh pas therjes, kështu që mosnjohja e sasisë në fillim, kthehet në njohje më të saktë pas therjes, ndaj dhe lejohet pagesa pas kësaj njohje. (Shih: Sherhul Mumti 8/175) dhe (Fetawa lexhnetid- daimeh 13/290)
Allahu e di me se miri
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH
