Cikli i haditheve të dobëta dhe të trilluara (3)

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 13 minuta lexim

600px-Rashidun_Caliph_Ali_ibn_Abi_Talib_-_علي_بن_أبي_طالب.svgCikli i haditheve të dobëta dhe të trilluara (3)

 Libri 110 Virtyte të Imam Aliut

Nga hoxhë Mustafa Tërniqi

HADITHI NR. 8:

Transmetohet nga Ebu Ahmedi, Ibn Mendeh dhe të tjerë përveç këtyre dyve, nga zinxhiri i Is’hak ibn Bishr el-Esdiut, prej Khalid ibn el-Harithit, prej Aufit, prej el-Hasanit, prej Ebu Lejla el-Ghifariut, i cili tha: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s) duke thënë: “Do të ketë fitne pas meje. Kur ajo të ndodhi, kapuni pas Ali ibn Ebi Talibit. Padyshim ai është i pari që besoi në mua dhe i pari që do të më përshëndesë në Ditën e Gjykimit. Ai është miku i sinqertë më i madh (siddiku akbar), kriteri dallues (faruku) i këtij ummeti. Ai është strehimi i besimtarëve, ndërsa paraja është strehimi i hipokritëve.”

Grada e hadithit: Këtë transmetim e përcjell Ibn Haxheri në: “El-Isabeh fi temjizissahabe” 7/167 dhe po aty përmend se Is’hak ibn Bishr el-Esdiu që ndodhet në zinxhirin e transmetuesve e kane braktisur dijetarët e hadithit dhe kjo për shkak se atë e akuzojnë si gënjeshtar. Po ashtu këtë hadith e transmeton Bezzari në Musnedin e tij 9/342 dhe në zinxhirin e transmetuesve ndodhet Muhamed ibn Ubejdilah ibn Ebi Rafi të cilën e konsiderojnë tepër të dobët në transmetime Buhariu, Jahja ibn Meini dhe të tjerë.

Të gjitha këto transmetime të dobëta pohojnë se Aliu është i pari musliman që e ka besuar Profetin Muhamed (a.s.). Siç shikohet përpjekjet për ta bërë Aliun më të mirin e sahabëve janë të shumëllojshme duke e servirur figurën e tij të lidhur me fillimin dhe mbarimin e Islamit, madje duke u përpjekur t’i jepen atij virtytet që në realitet i kanë gëzuar sahabët e tjerë. Përshembull  në hadithin nr. 8 përmendet se Aliu është siddiku i këtij umeti, ndërkohë është Ebu Bekri ai i cili e ka merituar këtë virytyt të lartë dhe askush tjetër përveç tij. Gjithashtu aty përmendet se ai është faruku i këtij umeti, ndërkohë është Umeri ai i cili e ka merituar këtë cilësi të lartë dhe askush tjetër përveç tij. Ngritja e figurës së Aliut dhe veshja e tij me virtytet e sahabëve të tjerë dhe lidhja e figurës së tij me fillimin dhe mbarimin e Islamit është përpjekja fillestare për të ngritur lart kultin e Aliut dhe uljen e figurës së sahabëve të tjerë të Profetit (a.s.) dhe me këtë mënyrë bëhen përpjekje të përshkallëzuara për të integruar shiizmin në mesin e muslimanëve suni.

Këto transmetime përveçse janë të dobëta e të trilluara bien në kundërshtim me transmetimet e tjera të sakta. Përshembull, Imam Buhariu shënon në Sahihun e tij (hadithi nr. 3) dhe Muslimi në Sahihun e tij (hadithi nr. 159) se Profeti (a.s.) sapo i erdhi shpallja hyjnore nëpërmjet engjëllit Xhibril shkoi në shtëpi dhe ia tregoi të gjithë ngjarjen Hatixhes, bashkëshortes së tij, e cila jo vetëm që e besoi menjëherë shpalljen hyjnore por dhe e inkurajoi Muhamedin (a.s.) se Allahu nuk do ta braktiste atë. Pra ky transmetim tregon qartë se i pari njeri që është bërë musliman është Hatixhja. Dijetarët islamë ndajnë mendime të ndryshme rreth personit i cili e ka pranuar Islamin pas Hatixhes. Vetë Ebu Bekri pohon për veten e tij se ai është i pari që ka pranuar Islamin siç transmeton Tirmidhiu nr. 3667. Të njëjtën gjë pohon për të Ibn Abbasi i cili mësohet të ketë thënë në një thënie tjetër se Aliu e ka pranuar Islamin para Ebu Bekrit. Ndërsa  Imam Ibn Shihab Ezzuhri, imam Urve ibn Zubejri dhe të tjerë mendojnë se i pari Musliman pas Hatixhes është Zejd ibn Harithe. Ndërkohë në Musnedin e Bezarit 2/230 shënohet se Abdurrahman ibn Aufi pohon për veten e tij se është ai që e ka pranuar Islamin i pari. Kurse Hisham Ibn Saib ibn Muhamed el-Kelbi (njëri prej komentuesve të Kuranit) pretendon se pas Hatixhes është Ummul Fadl Bint el-Harith ajo që e ka pranuar Islamin para të tjerëve. (Akhbar Mekke 3/216) Përveç kësaj kemi dhe transmetime nga vetë Profeti (a.s.) ku shënohet se Ebu Bekri është i pari që e ka pranuar Islamin, mirëpo shumica e këtyre transmetimeve  janë të dobëta ose të trilluara.

Nga kjo mësojmë se pas Hatixhes nuk mund të pretendohet për askënd tjetër në formë të prerë se është pikërisht ai që e ka pranuar Islamin i pari. Kjo do të thotë se nuk mund të veçojmë Islamin e Aliut si një virtyt më tepër karshi sahabëve të tjerë, Për këtë arsye shohim se shumë prej dijetarëve islamë, për të qëndruar objektivë në këtë çështje dhe për të mos ngritur figurën e njërit mbi një tjetër kanë thënë: “I pari që e ka pranuar Islamin prej burrave është Ebu Bekri. E para që e ka pranuar Islamin nga gratë është Hatixhja. I pari që e ka pranuar Islamin nga fëmijët është Aliu dhe i pari që e ka pranuar Islamin nga shërbëtorët është Zejdi.”

 

HADITHI NR. 9:

Umer ibn el-Khattabi tha: “Dëshmoj se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Sikur shtatë qiejt të vendoseshin në njërën pjatë të peshores dhe imani i Aliut në tjerën, imani i Aliut do të rëndonte më shumë.”

Grada e hadithit: Këtë hadith e përcjell Dejlemiu ne Musnedin e tij nr. 5138 dhe Ibn Asakir në “Tarih Dimeshk” 42/341, ndërsa imam Dhehebiu në “Mizanul i’tidal” 3/494 tregon se ky hadith është tepër i dobët, në zinxhirin e të cilit gjendet Muhamed ibn Tesnim el-Verrak i cili është i panjohur si transmetues. Ndërkohë  hadithi ka transmetues të tjerë të panjohur të cilët e bëjnë të papranueshëm në formë kategorike.

 

HADITHI NR. 10:

Ebu Mes’ud el-Ensariu tha: “I Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Kushdo që fal namaz (salat) dhe nuk dërgon salavat mbi mua dhe Ehli Bejtin tim, namazi i tij nuk pranohet.”

Grada e hadithit: Këtë hadith e transmeton Darekutni ne Sunenin e tij me nr. 1343 ku vetë imam Darekutni e bën të dobët hadithin, sepse në zinxhirin e transmetuesve gjendet Xhabir ibn Jezid el-Xhu’fi të cilin e kanë cilësuar si gënjeshtar shumë dijetarë të hershëm. Njëri prej tyre është dhe imam Ebu Hanife.

 

HADITHI NR.11:

Prej Shehr ibn Hashebit prej ummi Selemes, e cila tregon se i Dërguari i Allahut (a.s.) i tha Fatimesë: “Sille yt shoq dhe dy fëmijët tuaj! Porsa ajo i solli, ai (a.s.) hodhi mbi ta një batanije të veçantë leshi dhe pastaj vendosi dorën e tij mbi ta. Atëherë, ai tha: “O Allah! Këta janë Familja e Muhamedit! Prandaj dërgoji salavatet dhe bekimet e Tuaja mbi Muhamedin dhe mbi Familjen e Muhamedit. Ti je më i Lavdëruari, më i Madhërishmi!”

Grada e hadithit: Këtë hadith e transmeton imam Ahmedi në Musnedin e tij 6/323 dhe në zinxhirin e transmetuesve ndodhet Ali ibn Zejd ibn Xhud’ani të cilin e kanë bërë të dobët një mori dijetarësh, prej tyre dhe vetë imam Ahmedi. Po ashtu në zinxhirin e transmetuesve gjendet dhe Shehr ibn Hausheb i cili konsiderohet si transmetues i dobët  te shumë dijeatarë të hadithit.

 

HADITHI NR. 12:

Transmetohet nga i Dërguari i Allahut (a.s.): “Mos dërgoni salavat të cunguar mbi mua!” E pyetën: C’është salavati i cunguar? Ai u përgjigj: “Të thoni: “O Allah! Derdhi bekimet e Tuaja mbi Muhammedin!” e pastaj të ndaloni. Në vend të kësaj, thoni: “O Allah! Derdhi bekimet e Tuaja mbi Muhamedin dhe Familjen e Muhamedit!” (Allahum-me sal-li ala Muhamed ua ala ali-I Muhamed).”

Grada e hadithit: Këtë hadith siç përmendet edhe në libër e përmend Ibn Haxher el-Mekki në “Essawaik ul-mushrika” mirëpo aty nuk e përmend zinxhirin e transmetuesve, ndërkohë ky transmetim nuk gjendet në koleksionet e njohura të hadithit. Kjo gjë e bën transmetimin të papranueshëm. Përveç kësaj shikojmë se Ibn Haxher el-Mekki e ka përmendur  këtë transmetim me atë që quhet në shkencën e hadithit “Sigatut – temrid”, formë e cila nuk siguron autentitetin e transmetimit aq më tepër kur ky transmetim bëhet i papranueshëm akoma më shumë kur nuk mund t’i gjejmë dot as dhe zinxhirin e transmetuesve.

 

HADITHI NR. 13:

Transmetohet nga Amr ibn Ebi Selemeh, djali i gruas së Profetit (a.s.), Ummi Selemeh, se kur mbi Profetin (a.s.) zbriti ajeti (Allahu dëshiron të largojë tërë ndytësinë (e mëkateve) nga ju, o Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë me një pastrim të plotë) në shtëpinë e Ummi Selemes, ai (s) thirri Fatimenë, Hasanin e Huseinin, dhe i mbuloi ata me një mbulesë (kisa). Aliu ishte pas tij dhe Profeti (s) e mbuloi edhe atë me ta. Atëherë, ai (s) tha: “O Allah! Këta janë Ehl-i Bejti im. Largoje tërë ndytësinë e mëkateve prej tyre dhe pastroji ata me një pastrim të skajshëm!” Ummi Selemja tha: “A jam unë mes tyre, O i Dërguari i Allahut! Ai u përgjigj: “Ti ke pozitën tënde dhe je në të mirë.”

Grada e hadithit: Këtë hadith e transmeton Tirmidhiu në Sunenin e tij nr. 3205 dhe po aty tregon se ky transmetim është i dobët me fjalën e tij të njohur “Garib” ku ka për qëllimin dobësimin e transmetimit. Për këtë asrye shikojmë në zinxhirin e transmetuesve të jetë Muhamed ibn Sulejman ibn el-Asbahani të cilin e kanë cilësuar si të dobët shumë shkencëtarë të hadithit.