Dhikri dhe duaja në fenë e Allahut

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 10 minuta lexim

543786_474403365940741_282130990_n

Dhikri dhe duaja në fenë e Allahut

Falënderimi është për Allahun. Atë e falënderojmë. Atij ndihmë, falje i kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje tek Allahu prej veseve tona të liga dhe prej punëve tona të këqija. Kë drejton Allahu në rrugën e drejtë, nuk ka kush ta devijojë nga kjo rrugë dhe kë e humb Allahu nga rruga e drejtë nuk ka kush që ta udhëzojë në këtë rrugë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë, përveç Allahut, Një të Vetëm e pa shok dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij. Allahu thotë në Kuran: M’u lutni Mua dhe Unë do t’ju përgjigjem. (Gafir:60). Kurse në hadith thuhet: Duaja (lutja) është palca (thelbi) e adhurimit. (Tirmidhiu: 3369). Duaja është: Përmendja e Allahut. Lutje tek Allahu. Pendim tek Allahu. Afrim me zemër tek Allahu. Dhe e gjitha kjo duke qenë i nënshtruar dhe i bindur ndaj Allahut. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të), na ka urdhëruar që ta përmendim Allahun duke thënë:

Ju urdhëroj që ta përmendni Allahun e Lartësuar, sepse shembulli i atij që përmend Allahun është si ai burrë që e ndjekin armiqtë e tij këmba-këmbës, derisa hyn në një kështjellë dhe mbrohet nga armiqtë. Kështu është dhe besimtari, i cili e mbron veten e tij nga shejtani vetëm me dhikrin (përmendjen e Allahut). (Tirmidhiu:2763). Kjo është një thirrje e sinqertë prej të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të), ndaj njerëzve, që të përkushtohen në përmendjen e Allahut, sepse shejtani është i gatshëm që të na ngacmojë sa herë që neve jemi të pakujdesshëm. E për këtë gjë dhikri është mënyra për të shpëtuar nga këto ngacmime. Siç thotë edhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të): “Puna më e vlefshme që ka punuar i biri i Ademit dhe që e largon atë më shumë nga dënimi i Allahut është përmendja e Allahut.” (Tirmidhiu:3374). E kush e përmend Allahun dhe i lutet Atij, Allahu do t’i përgjigjet dhe do ta shpërblejë atë për bindjen ndaj Tij, siç edhe thotë Ai në Kuran: E nëse robërit e Mi pyesin për Mua, Unë jam afër. I përgjigjem lutjes së atij që më lutet. Pra kërkoni nga Mua (lutuni tek Unë), besoni tek Unë që të jeni prej të drejtëve. (Bekareh: 186).

Allahu është afër robërve të Tij me përgjigjen e Tij ndaj lutjeve dhe me dijen e Tij. Është afër ndaj besimtarëve të drejtë, duke i dalluar ata nga të tjerët me punët e tyre të mira dhe duke i dhënë mirësi tek trashëgimtarët e tyre. Puna më e mirë është përmendja e Allahut, siç na e tregon dhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të), kur është pyetur se kush është puna më e dashur tek Allahu? Ai është përgjigjur: Kur të vijë vdekja, le ta gjejë gjuhën tënde të njomë nga përmendja e Allahut. (Ibnu Hibani: 2318). Dhikri largon të këqijat nga zemra dhe e pastron atë nga gjynahet. Largon shejtanin prej nesh dhe na heq veset e liga. Na shton gëzimin dhe kënaqësinë. Ai që përmend Allahun e rrethojnë engjëjt, e mbulon mëshira e Allahut, e sheh Allahu me përkujdesje dhe butësi. Me përmendjen e Allahut përfshihet e gjithë Feja Islame. Ajo është një lidhje e sigurt dhe e sinqertë midis robit dhe Zotit të tij. Allahu thotë në Kuran: Më kujtoni Mua që t’ju kujtoj dhe Unë juve. (El-Bekareh:152).

Islamin na thërret në përmendjen e Allahut, që të përfitojmë e të mbjellim sa më shumë pemë në Xhenet. Për këtë flet hadithi i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të), i cili thotë: Në natën e Miraxhit takova Ibrahimin (Paqja e Allahut qoftë mbi të), i cili më tha: O Muhamed, dërgoji selam prej meje Ymetit tënd dhe thuaji se Xheneti e ka tokën të begatë, e ka ujin të shijshëm dhe pemët e saj janë: SUBHANALL’LLAH, UEL-HAMDU LIL’LAH, UE LA ILAHE IL’LALL’LLAH, UE ALL’LLAHU EKBER. (Tirmidhiu: 3458). Dhikri ka rezultate dhe shpërblime të mëdha. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të), ka thënë: Kush thotë njëqind herë në ditë: LA ILAHE IL’LALL’LLAHU UAHDEHU LA SHERIKE LEH LEHUL-MULKU UE LEHUL HAMDU UE HUE ALA KUL’LI SHEJ’IN KADIR (Nuk ka Zot të vërtetë përveç Allahut, Një e pa shok, të Tijat janë sundimi dhe falënderimi, Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo gjë), do të ketë shpërblimin e lirimit të dhjetë robërve, do t’i shkruhen atij njëqind sevape, do t’i fshihen njëqind gjynahe, do të jetë kjo fjalë mburojë prej shejtanit gjatë gjithë asaj dite deri sa të ngryset, dhe nuk vjen me shpërblim më të madh se ky njeri vetëm ai i cili ka punuar më shumë se ai. (Muslimi: 2691). Apo hadithi tjetër ku thuhet: Kush thotë njëqind herë në ditë: SUBHANALL’LLAHI UE BIHAMDIHI (I Lavdëruar dhe i Falënderuar është Allahu), do t’i falen gjynahet atij njeriu dhe sikur t’i ketë ato sa shkuma e detit. (Tirmidhiu: 3466).

Dhikri ndriçon zemrën, largon njeriun nga brengosja, nga ankthi dhe nga mërzitja. Në sytë e atij që përmend Allahun dynjaja zvogëlohet dhe Ahireti bëhet më i rëndësishëm për të. Drejtohet në rrugë të drejtë dhe afrohet më shumë me Allahun, pra dhikri është lidhja midis krijesës dhe Krijuesit. Ai që përmend Allahun është i pari në shpërblim Ditën e Gjykimit. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të), ka thënë: Të parët janë El-Muferidunët. Sahabët e pyetën: Kush janë El-Muferidunët, o i Dërguari i Allahut? Ai u përgjigj: Ata dhe ato, që e përmendin Allahun shumë. (Muslimi: 2676). Pra dhikri është rruga për në Xhenet, e cila është e hapur për cilindo që do të kalojë në këtë rrugë. Dhikri është dhe prej shenjave që e zgjojnë zemrën nga gjumi i gjynahut, që njeriu të ndriçohet me dritën e diturisë derisa të fitojë ndjesinë se Allahu është më të. Siç thotë dhe Allahu në ajetin e Kuranit: Me të vërtetë Allahu është me ata të cilët janë të devotshëm. (Nahl:128). Apo ajeti tjetër: Allahu është me durimtarët. (Bekare:249). Dhe kush është me Allahun nuk i frikësohet asgjëje dhe çdo gjë e ka frikë atë. Dhe për ata që e përmendin Allahun është ajeti i Kuranit, ku thuhet: Për ata që i përgjigjen Zotit të tyre, është përgatitur e mira e madhe (Xheneti). Ndërsa ata që nuk i përgjigjen Atij, sikur të ishte e tyre gjithçka që gjendet në tokë, madje edhe një herë aq, ata do ta sakrifikonin atë (për të shpëtuar). Njerëzve të tillë iu është përgatitur llogari e rëndë dhe vendi i tyre është xhehenemi. Eh, sa vend i keq është ai. (Rad:18). O Allah, na mëso ato që na bëjnë dobi dhe na jep mirësi në ato që ne kemi mësuar dhe na shto dijen o Mëshiruesi i mëshiruesve.

O Allah, na i bëj punët tona më të mira, punët në fund të jetës tonë dhe ditën më të gëzueshme të jetës sonë ditën që do të takojmë Ty dhe Ti të jesh i Kënaqur me ne. Kërkojmë prej Teje sukses në çdo punë, sepse Ti je Mbikëqyrësi ynë më i mirë dhe qëllimi ynë i vetëm. Dhe fjala jonë e fundit është: I Falënderuar është Allahu, Zoti i botëve.