Dr. Halid Muslih
Parathënie
Lavdërimi i takon Allahut, Atë e lavdërojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë, kërkojmë mbrojtje nga Zoti për të këqijat e vetvetes dhe nga veprat tona të këqija! Atë që Zoti e udhëzon, askush nuk mund ta humbë dhe, këdo që Ai e lë në rrugë të gabuar, askush nuk mund ta udhëzojë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, si dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, Allahu e dërgoi me udhëzim dhe fenë e vërtetë për ta bërë triumfues mbi të gjitha fetë dhe mjafton Zoti si dëshmitar. Allahu e bekoftë atë, familjen dhe shokët e tij.
Procesi i zhvillimit është një nga sfidat më të mëdha të shteteve në botën e sotme. Për të përgatiten plane dhe studime, bëhen përpjekje dhe rezervohen buxhetet. Nuk është çudi që në ditët e sotme gara që vendet bëjnë për të zënë pozicionet më të larta të qytetërimit, bazohet në shkallën e suksesit që ato kanë në administrimin e zhvillimit dhe ndërtimit, si dhe në shkallën e përparimit, gjallërisë dhe stabilitetit politik dhe ekonomik që ato arrijnë.
Ndër gjërat për të cilën ekspertët kanë dakordësi, është dhe fakti se një nga pengesat më të mëdha në procesin e zhvillimit është përhapja e korrupsionit administrativ, që njihet dhe ndryshe si shpërdorimi i pushtetit për përfitime personale[1].
Ky korrupsion shfaqet në forma të shumta, duke përfshirë edhe ato që lidhen me abuzimin e pushtetit për të fituar para. Ndër më të spikaturat prej tyre janë paratë dhe përfitimet që marrin shumë punonjës të institucioneve publike apo private, pavarësisht postit dhe funksionit që ata kanë, qoftë në emër të dhuratave, privilegjeve, komisioneve, shërbimeve apo nën emërtime të tjera. Për shkak të seriozitetit dhe rrezikshmërisë që ka kjo çështje dhe të qenit një problem global që preokupon të gjitha vendet dhe shoqëritë, shtetet e ndryshme kanë hartuar legjislacione, sisteme dhe rregulla të veçanta, madje në vitin 2003 është miratuar dhe një konventë ndërkombëtare për të luftuar korrupsionin në përgjithësi, dhe në veçanti për korrupsionin që lidhet me ryshfetet dhe marrjen e parave për shkak të detyrës[2].
Hulumtimi i dispozitave që lidhen me këtë temë, është një nga detyrat që kërkon shtjellim dhe sqarim të asaj që është e lejuar dhe e ndaluar; sidomos kur dihet se hulumtimet dhe studimet fetare rreth kësaj teme janë të pakta dhe të pamjaftueshme, nëse e krahasojmë këtë me përhapjen dhe rrezikun që korrupsioni ka me zhvillimin e vendeve dhe ekonomive të tyre, kështu që ka ende nevojë për të shpjeguar aspekte dhe detaje rreth kësaj teme[3].
Ky është një kontribut modest me anë të së cilit do përpiqem të hedh disi dritë mbi këtë temë. Jam përpjekur që ta shqyrtoj atë si dhe kam treguar kujdes që të pasqyroj aplikimet bashkëkohore me të cilat dallohet ajo që lejohet të pranohet nga ajo që është e ndaluar. Po ashtu i kam kushtuar vëmendje edhe aplikimeve bashkëkohore mbi të cilat zbatohen këto rregulla, në mënyrë që të sqarohet gjykimi i tyre dhe që të njihen rastet e ngjashme me to.
Rëndësia e studimit:
Rëndësia e studimit të kësaj çështjeje:
– Është një kontribut në adresimin e një prej formave më të rëndësishme dhe më të përhapura të korrupsionit administrativ, të cilin vendet, qeveritë dhe institucionet serioze kërkojnë ta kufizojnë dhe eliminojnë.
– Sistemet dhe ligjet e ndryshme kanë shfaqur interes për të trajtuar këtë lloj korrupsioni administrativ, kështu që dhe ky hulumtim është një kontribut për sqarimin e masave legjitime për kurimin e kësaj çështjeje.
– Sqarimi i aspekteve që kanë të bëjnë me këtë temë, në mënyrë që muslimanët të jenë të vetëdijshëm rreth dispozitave të dhuratave të punonjësve, çfarë është e lejuar dhe çfarë nuk lejohen.
– Vënia në dukje të epërsisë gjithëpërfshirëse që ka legjislacioni Islam dhe përpjekjeve të tij për t’i sjellë dobi shoqërisë njerëzore.
Metodologjia e studimit:
Në përpilimin e këtij studimi, kam ndjekur hapat e mëposhtme:
Në këtë studim do të mjaftohem me përmendjen e thënieve të shkollave të njohura të fikhut. Mund të përmend thëniet e disa prej selefëve (dijetarëve të brezave të parë të mirë), ose thënien e cila është zgjedhje e ndonjërit prej dijetarëve të shquar.
Kur të përmend ndonjë opinion rreth kësaj çështje, do të përmend thëniet e katër shkollave të fikhut sipas renditjes së tyre, duke filluar nga shkolla juridike Hanefi, pastaj Maliki, pastaj Shafi’i, më pas opinion Hanbeli. Por nëse këtë e thotë ndonjë nga ndjekësit e këtyre shkollave, atëherë do ta përmend pasi të përmend shkollat e fikhut.
Do të dokumentoj mendimin e çdo shkolle juridike duke u referuar librave të tyre autentikë pa cituar fjalët e tyre, përveç rastit kur një gjë e tillë është e nevojshme. Po ashtu do të shpjegojë qëndrimin që kam zgjedhur, duke përmendur arsyen e përzgjedhjes.
Do t’i citoj hadithet dhe transmetimet e përmendura në studim, nëse ato janë në dy librat e saktë (Buhariun dhe Muslimin) ose në njërin prej tyre, nuk do të përmend referencë tjetër. Por nëse hadithi është në pesë librat e tjerë, do ta marr prej tyre dhe do të shpjegoj se çfarë kanë thënë dijetarët për atë hadith. Nëse nuk është në asnjërën nga sa më sipër, do ta nxjerr nga librat e Sunetit sa të mundem dhe do të tregoj gradën e tij.
Plani i hulumtimit:
E kam ndarë këtë hulumtim duke vendosur një hyrje dhe disa kapituj si më poshtë:
Kapitulli i parë: Çfarë kemi për qëllim me dhuratat për nëpunësit dhe punonjësit.
Kapitulli i dytë: Dispozita bazë rreth dhuratave.
Kapitulli i tretë: Dispozita bazë rreth dhuratave për nëpunësit dhe punonjësit.
Kapitulli i katërt: Rregullat kur lejohen dhuratat për nëpunësit dhe punonjësit.
Lus Zotin që të më japë sukses në fjalët dhe veprat dhe ta bëjë këtë studim të dobishëm.
Kapitulli i parë: Çfarë kemi për qëllim me dhuratat për nëpunësit dhe punonjësit
1.1 Përkufizimi i dhuratave në aspektin juridik.
Juristët e kanë përkufizuan dhuratën si: dhënie në pronësi pa detyrim kompensimi[4]. Ata kanë pohuar gjithashtu se: “Nëse qëllimi i dhurimit është nderimi, forcimi i miqësisë, lidhjeve, harmonisë, shpërblimit, ose të ngjashme, atëherë ky akt konsiderohet si dhuratë[4].
Nisur nga kjo, mund të thuhet se dhuratë, në terminologjinë e fukahave (juristëve), është dhënie në pronësi e një sendi pa qenë nevojë për dhënien e kundërvlerës së tij, dhe duke mos qenë ai të cilit i dhurohet nevojtar për të.
Ndërkohë që përdorimi bashkëkohor e ka zgjeruar konceptin e dhuratës duke bërë pjesë të posedimit edhe shërbimet që jepen falas.
Kjo përfshin, për shembull, ofrimin e përfitimeve ndaj dikujt pa kompensim. Të tilla si ofrimi i kurseve të trajnimit, përballimi i shpenzimeve të udhëtimit, ofrimi i shërbimeve të kurimit e të ngjashme.
1.2: Termat që kanë lidhje me dhuratat
Diçka e rëndësishme që vlen të përmendet në përcaktimin e dhuratave, është dhe njohja e përkufizimit të ryshfetit, në mënyrë që të bëhet dallim mes tij dhe një dhurate.
Ryshfeti në këndvështrimin fetar është: “Paratë që jepen për të zhvlerësuar një të drejtë ose për të arritur diçka të padrejtë”.
Dallimi ndërmjet ryshfetit dhe dhuratës ka dy elementë:
E para: Qëllimi, pasi qëllimi i ryshfetit është të zhvlerësohet një të drejtë (e dikujt) ose për të arritur diçka të padrejtë (që nuk i takon). Sa i përket dhuratës, qëllimi i saj është dashuria, bamirësia dhe shpërblimi.
E dyta: Kushti, ryshfeti nuk jepet vetëm se me kusht dhe kërkesë nga marrësi, ndërsa te dhurata nuk ka kushtëzim [5].
2.1: Përkufizimi i nëpunësve dhe punonjësve.
Përdorimi i fjalës ‘nëpunës’ nga ana e juristëve nuk ndryshon nga kuptimi gjuhësor që ka ky emërtim. Sipas përshkrimit të juristëve, ai sillet rreth kuptimit të dikujt që merr përsipër një punë administrative në shërbim të njerëzve, qoftë kjo një obligim fetar, si mbledhja e zekatit, ose diçka që lidhet me përgjegjësi publike ose private[6].
Madje, kuptimi i fjalës ‘nëpunës’ zgjerohet duke përfshirë edhe ata që kryejnë punë private, dhe ata që janë punonjës me pagesë[7].
Në përdorimin bashkëkohor, nëpunës është: “personi i punësuar për të kryer punë ose shërbime për të tjerët në mënyrë të vazhdueshme dhe të përhershme.”[8]
Ky përkufizim rregullon të gjitha kategoritë e nëpunësve, qofshin ata në sektorin publik, të cilët i paguan dhe i mbikëqyr shteti, ose në sektorin privat, për të cilin nuk shpenzon shteti, por individët, institucionet ose kompanitë[9].
Kështu që, bëhet e qartë se këtu përfshihen të gjitha kategoritë e nëpunësve, qofshin ata të punësuar nga shteti apo të tjerë.
Pra mund të themi se: Dhuratat janë gjithçka që përfiton nëpunësi dhe punonjësi, qoftë kjo vlerë materiale ose monetare, si dhe lehtësirat apo shërbimet që i ofrohen atij për shkak të pozicionit të punës së tij, por jo nga punëdhënësi.
2.2: Llojet e nëpunësve dhe punonjësve
Nëpunësit dhe punonjësit ndahen sipas punës që ushtrojnë në dy lloje:
Lloji i parë: ata që punojnë në agjencitë publike; ku bën pjesë çdo person të cilit i është besuar kryerja e një pune në mënyrë të rregullt në një subjekt të drejtuar nga shteti ose në një dikaster publik[10].
Lloji i dytë: ata që punojnë në subjekte private; ku bën pjesë çdo person që punon në një organizatë apo kompani private që nuk administrohet nga shteti[11].
Rregulloret dhe legjislacionet në fuqi parashikojnë dënime për ryshfetin, për të gjithë ata që i përfshin emërtimi punonjës.
3.1: Ndarja e dhuratave, sipas llojit të tyre.
Duke marrë parasysh natyrën e dhuratës, ato përgjithësisht mund të klasifikohen në dy lloje:
Lloji i parë: dhurata me vlerë materiale; qofshin këto në formën e parave apo të ngjashme, ose në dhurata të tipit lehtësira, shërbime dhe zbritje çmimesh.
Lloji i dytë: dhurata simbolike; qofshin ato suvenire, dekorime vlerësimi apo dekorata nderi.
Rregulloret dhe ligjet bashkëkohore bëjnë sqarime për secilën nga format e mësipërme të dhuratave.
3.2: Llojet e dhuratave, duke marrë parasysh arsyen dhe motivin e dhuratës
Dhuratat, duke marrë parasysh arsyen e dhuratës dhe motivin e saj, në përgjithësi mund të klasifikohen në dy lloje:
Lloji i parë: dhurata të dhëna si pasojë e punës dhe e postit. Kjo lloj dhurate jepet në disa raste:
Rasti i parë: Dhurata për të cilat punëdhënësi është në dijeni.
Rasti i dytë: Dhurata për të cilat punëdhënësi nuk ka dijeni.
Lloji i dytë: dhurata që nuk kanë lidhje me punën ose postin.
3.3: Llojet e dhuratave, duke marrë parasysh palën dhuruese
Dhuratat, duke marrë parasysh palën dhuruese, janë dy llojesh:
Lloji i parë: Dhuratat që vijnë nga punëdhënësi: qofshin ato për të gjithë punonjësit ose specifike për disa prej tyre, siç janë dhuratat inkurajuese, promovuese apo nderimi.
Lloji i dytë: Dhurata që vijnë nga dikush tjetër dhe jo nga punëdhënësi, pavarësisht nëse ka ndonjë interes ndaj punëdhënësit ose jo, qofshin ato specifike për disa punonjës ose për të gjithë.
Kapitulli i dytë: Gjykimi bazë rreth dhuratave
2.1: Legjitimiteti i dhuratës
Dhurata në parim është e pëlqyer dhe e rekomanduar, siç argumenton për këtë libri i Zotit të Madhëruar dhe Suneti i të Dërguarit të Tij. Disa dijetarë[12] kanë përmendur konsensus për këtë qëndrim.
Dijetarët kanë përmendur argumente të shumta nga Kurani dhe Suneti. Këtu po përzgjedh më të spikaturat prej tyre, ato që janë të qarta në rekomandimin e dhurimit dhe urdhërimin për të:
E para: Thënia e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të): “Dhuroni të duheni”[13].
E dyta: Thënia e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të): “O ju gra muslimane! Fqinja të mos e përçmojë gjënë që mund t’ia dhurojë fqinja e saj, qoftë ajo dhe një thundër deleje.”[14].
2.2: Legjitimiteti i pranimit të dhuratës
Dijetarët janë në pajtim për ligjshmërinë e pranimit të dhuratave, nëse nuk ka pengesa fetare. Por lidhur me detyrimin e pranimit të dhuratës janë ndarë në dy mendime:
Mendimi i parë: Pranimi i dhuratës është i pëlqyer, por jo i detyrueshëm. Ky është mendimi i shumicës së Hanefive[15], Malikive[16] dhe Shafi’ive[17], dhe një transmetim në medhhebin e imam Ahmedit[18].
Mendimi i dytë: Pranimi i dhuratës është i detyrueshëm nëse nuk vjen si pasojë e kërkimit dhe interesit. Ky qëndrim është një transmetim nga Ahmedi[19], dhe është qëndrim edhe i Ibn Hazmit nga Dhahiritë[20].
Argumentet e mendimit të parë:
Përkrahësit e këtij mendimi janë bazuar në citime nga Kurani dhe Suneti, nga të cilat po përmend ato që janë më të qarta.
E para: Thënia e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të): “Sikur të ftohesha në gosti për një kofshë ose kërci (deleje), do të përgjigjesha, dhe, nëse do të më dhurohej një kofshë ose kërci (deleje), do ta pranoja.”[21].
Ky hadith tregon udhëzimin e Profetit, lidhur me pranimin e dhuratës, qoftë ajo e madhe apo e parëndësishme, dhe kjo argumenton ligjshmërinë dhe pëlqyeshmërinë e saj[22].
E dyta: Thënia e Aishes -Allahu qoftë i kënaqur prej saj-: “I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), e pranonte dhuratën dhe i përgjigjej me dhuratë asaj.”[23].
Argumentet e mendimit të dytë:
E para: Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), ka thënë: “Mos e refuzoni dhuratën.”[24], kështu që ndalimi i tij, tregon për domosdoshmërinë e pranimit të saj[25].
Ky argumentim është kontestuar, pasi ndalesa në këtë hadith nuk ka për qëllim se refuzimi i dhuratës është haram, por se është e papëlqyer (mekruh), pasi qëllimi i tij është arritja e afrimit dhe dashurisë, siç aludon dhe mendimi i shumicës së dijetarëve[26].
Gjithashtu është kontestuar edhe me faktin se Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), pranoi që Hakim ibn Hizam të mos pranonte asgjë nga askush, kur ai i tha: “O i Dërguari i Allahut, betohem në Atë, që të ka dërguar me të vërtetën, se, pas teje, nuk do t’i lyp askujt, derisa të largohem nga kjo botë.”[27].
Në këtë hadith ka “dëshmi për lejueshmërinë e refuzimit, edhe nëse vjen pa e kërkuar apo shfaqje interesi”[28].
E dyta: Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) e ka ndaluar kthimin e disa llojeve të dhuratave[29], siç është thënia e tij: “Tri gjëra nuk duhet të refuzohen: jastëku, parfumi dhe qumështi.”[30], po ashtu atë që ka transmetuar Enesi -Allahu qoftë i kënaqur me të-, se Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), nuk e ka refuzuar parfumin[31].
Kjo është kontestuar duke thënë se, ndalimi i Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) për refuzimin e atyre që përmenden nuk e kthen këtë në një ndalesë të përgjithshme[32].
E treta: Ajo që e transmeton Umeri -Allahu qoftë i kënaqur me të-: I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), më dhuronte, dhe unë i thash: Jepja dikujt që ka nevojë më tepër për të. Më pas, ai tha: “Merr nga kjo pasuri nëse nuk e synon apo lyp atë, nëse jo, atëherë mos i shko nga pas.”.[33]
Kjo tregon domosdoshmërinë e pranimit[34].
Megjithatë kjo është kontestuar se këtu bëhet fjalë për diçka të rekomanduar, jo obligim, dhe se ky vendim vlen vetëm për dhuratat që janë nga thesari i shtetit[35], ose se Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), e ka urdhëruar që t’i marrë paratë pasi ai bëri punën, prandaj duhet të merrte atë që meritonte[36].
Qëndrimi i përzgjedhur:
Mendimi më i saktë është se pranimi i dhuratës është i pëlqyer, nisur nga baraspeshimi i argumenteve, si dhe për shkak se refuzimi që nuk ka arsye të dukshme është fyese për dhuruesin, Allahu i Madhëruar thotë: “A ka shpërblim tjetër për të mirën, veç të mirës?” [El -Rrahman: 60].
Kapitulli i tretë: Gjykimi bazë për dhuratat që u jepen nëpunësve dhe punonjësve
Norma bazë në lidhje me dhuratat për nëpunësit dhe punonjësit, pavarësisht nga posti apo funksioni i tyre, është ndalesa dhe moslejimi (haram). Për këtë ka një sërë argumentesh, madje për shkak të qartësisë së të keqes së saj, disa dijetarë e kanë cilësuar si themeli i korrupsionit në botë[37].
Argumentet e ndryshme janë unike për faktin se parimi bazë në lidhje me gjithçka që përfiton një nëpunës ose punonjës prej pasurive konkrete në para dhe prona ose shërbimet që i janë dhënë për punën e tij nga dikush tjetër përveç punëdhënësit konsiderohen të palejueshme[38], duke përfshirë rastet në vijim:
E para: Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), ka thënë: “Dhuratat për punonjësit janë tradhti.”[39].
E ngjashme me të dhe në kuptimin e saj është dhe ajo që transmeton Adij ibn Umejre El-Kindi, i cili ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Zotit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), të thotë: “Nëse ndonjërin prej jush e caktojmë për mbledhjen e zekatit e ai na fsheh një gjilpërë ose çfarëdo tjetër, atij i konsiderohet që ka marrë fshehurazi nga pasuria e zekatit, e me të do të paraqitet Ditën e Kiametit.”[40].
Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), e konsideroi marrjen e dhuratave nga punonjësit dhe nëpunësit si mashtrim dhe tradhti. Kjo hedh poshtë çdo mjet që çon në humbjen e besimit që favorizon dhuruesin për shkak të dhuratës së tij.[41].
E dyta: Transmetohet nga Ebu Hamid -Allahu qoftë i kënaqur me të-, se ka thënë: Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), caktoi një burrë nga fisi Ezd, të quajtur Ibn Lutbije, për të mbledhur sadakanë, dhe ai tha: Kjo është për ju, ndërsa kjo m’u dha mua si dhuratë. Profeti tha: “Përse nuk qëndroi në shtëpinë e babait apo të nënës së tij dhe të shihte nëse do t’i jepeshin dhurata apo jo? Pasha Atë në dorën e të cilit është shpirti im, kushdo nga ju që merr diçka prej saj, do të vijë me të në Ditën e Kiametit, duke e mbajtur atë në qafë.”[42].
Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), e kritikoi Ibn Lutbijen për pranimin e dhuratës që iu dha pasi ai ishte nëpunës[43].
E treta: Transmetohet nga Abdulla bin Amër -Allahu qoftë i kënaqur me të-, se i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), e ka mallkuar ryshfetdhënësin dhe ryshfetmarrësin.[44].
Nëse dhurata jepet për shkak të punës dhe postit, atëherë ajo bën pjesë në kuptimin e ryshfetit, të cilin Profeti e ka mallkuar atë që e merr dhe atë që e jep. Mund të merret si argument për këtë edhe fakti se Umer bin Abdulazizit iu dha një dhuratë dhe ai e refuzoi atë. Disa i thanë se Profeti i Zotit e pranonte dhuratën, ndërsa ai ia ktheu: “Dhurata në kohën e Profetit ishte thjesht një dhuratë, ndërsa sot është ryshfet”.[45].
Këto tekste në tërësinë e tyre tregojnë se norma bazë në lidhje me dhuratat që u bëhen nëpunësve dhe punonjësve, për shkak se ata janë punonjës në këto dikastere, qofshin ata në sektorin publik, siç janë punonjësit e shtetit, apo në sektorin privat, si punonjësit e kompanive dhe institucioneve, është ndalesa, si për atë që e jep dhe për atë që e merr.
Parimi themelor është se ky vendim vlen për çdo dhuratë që vjen si pasojë e postit, dhe ku pozita e tij të jetë shkak për përfitimin e saj[46].
Rregulli për këtë është ajo që përmend Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë: “Nëse një person do ta largonin nga posti, por njerëzit sërish do t’ia jepnin atij atë dhuratë, atëherë posti nuk luan rol për këtë dhuratë, përndryshe, synimi për të cilën njerëzit i japin dhurata (nëpunësve) është që ata të tregojnë kujdes ndaj tyre, t’ju bëjnë lehtësira, t’ju japin atyre përparësi ndaj të tjerëve, si dhe arsye të tjera të ngjashme, për të përfituar nga posti i tij”.[47]
Nuk kemi pse çuditemi që pranimi i këtyre dhuratave është një nga shkaqet më të mëdha të humbjes së besueshmërisë dhe se kjo sjellje hap derën për pazar me interesat e njerëzve, si dhe shpie në moskryerjen si duhet të detyrave duke u përfshirë në lloje të ndryshme të korrupsionit administrativ për shkak të detyrës.
Për këtë arsye, rregulloret dhe ligjet kanë vendosur norma tejet të rrepta në parandalimin e punonjësve nga çdo përfitim që vjen si pasojë e postit dhe e punës së tyre.
Kapitulli i katërt: Rregullat për lejimin e dhuratave për nëpunësit dhe punonjësit.
Përmendëm më sipër se parimi bazë është se dhuratat në përgjithësi janë të lejueshme. Po ashtu parimi bazë i dhuratave për nëpunësit dhe punonjësit, është ndalimi, si dhurimi ashtu dhe pranimi. Vlen të tërheqim vëmendjen se shumica e asaj që përmendet në fjalët e juristëve (fukahave) lidhur me këtë pjesë ka të bëjë me gjykatësit në veçanti, megjithatë kjo nuk është e kufizuar vetëm tek ata, por ata përmenden për shkak se rastet e tyre janë më të rënda se të tjerët dhe më të rrezikshme.[48] Maverdi ka thënë: “Dhuratat që u jepen gjykatësve janë mëkat më i rëndë dhe e keqe më e madhe, për shkak se ata janë emëruar të ruajnë të drejtat që u takojnë njerëzve dhe jo t’i marrin ato; po ashtu ata duhet të urdhërojnë për të mirë dhe ndalojnë nga e keqja. Përcillet nga Ebu Hurejre -Allahu qoftë i kënaqur me të-, se ka thënë: “I Dërguari i Zotit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), e ka mallkuar ryshfetdhënësin dhe ryshfetmarrësin që ka të bëjë me gjykimin.”[49], kështu që ai përmendi specifikisht gjykimin, pasi ai është më i rëndi”.[50].
Të gjithë të emëruarit e tjerë, nëpunësit dhe punonjësit kanë të njëjtin gjykim si ai i gjykatësve për sa i përket dhuratave, gjë të cilën e kanë pohuar një grup juristësh (fukahave).
Ibn Ferhun në librin “Tebsiratul Hukam” ka pohuar se nuk ka kundërshti rreth kësaj çështje. Ai thotë: “Ibn Habibi ka thënë: “Dijetarët janë në një mendje në lidhje me mospëlqimin e dhuratave që i jepen sulltanit, gjykatësve, nëpunësve dhe mbledhësve të detyrimeve financiare. Këtë qëndrim e ka shprehur dhe Maliku para tij, që njihet për dijen dhe kapjen pas Sunetit.”.[51].
Në kuadrin gjithëpërfshirës të këtij gjykimi për çdo nëpunës dhe pushtetar, fjalët e dijetarëve janë tejet të qarta. Në librin “Durar el Hukam fi Sherh Mexheletul Ahkam” thuhet: “Çdo dhuratë që merr një punonjës i qeverisë është e njëjtë me dhuratën që merr një gjykatës.”[52].
Sherbini në “Mugni El-Muhtaxh” kur flet rreth arsyeve të mospranimit të dhuratave, thotë: “Këtu përfshihen dhuratat për pushtetarët dhe nëpunësit, pasi është e ndaluar që ata të pranojnë dhurata nga njerëzit që janë nën pushtetin e tyre, të cilët nuk e kishin zakon ta bënin këtë para se ata të vinin në këto poste”.[53].
Duhet pasur parasysh se nëse biem në dyshim për plotësimin e rregullave të rasteve të lejuara, atëherë duhet t’i kthehemi parimit normativ në lidhje me dhuratat për nëpunësit dhe punonjësit, që është ndalimi, sepse e sigurta nuk cenohet nga e dyshimta, dhe siguria në këtë rast është ndalimi. Imam Gazali, jurist Shafii, e ka theksuar këtë, gjatë trajtimit të llojeve të dhuratës. Ai thotë: “E pesta: të kërkosh të bësh vend në zemrën e tij dhe të arrish dashurinë e tij, jo thjesht për hir të dashurisë apo njohjes me të, por për të arritur qëllimet e tua përmes prestigjit që ai ka… e nëse ai ka prestigj si pasojë e postit dhe funksionit që ushtron në gjykatë, zyrën që drejton, apo nëpunës që mbledh të ardhurat, etj… e po të mos ishte ky pushtet, nuk do t’i jepeshin këto dhurata, atëherë ky është një ryshfet i ofruar në petkun e një dhurate… Për këtë juristët kanë rënë dakord se një gjë e tillë është e papëlqyeshme, dhe nuk kanë dakordësi se a është e ndaluar apo jo. Megjithatë ajo lëkundet mes dhuratës dhe ryshfetit të dhënë për shkak të prestigjit kundrejt një qëllim të caktuar. Nëse përngjasimi analogjik bie ndesh me një të ngjashëm, dhe transmetimet mbështesin njërën prej tyre, atëherë është e nevojshme të anohet drejt saj. Në rastin në fjalë transmetimet kanë treguar për rrezikshmërinë e saj (dhuratën e dhënë nëpunësit)”[54].
Gazaliu gjithashtu ka thënë: “Nëse vërtetohen këto kufizime, atëherë gjykatësi dhe valiu duhet ta vlerësojnë veten si në shtëpinë e nënës dhe babait të tyre, kështu që çdo gjë që u jepet pas shkarkimit kur ai ndodhet në shtëpinë e nënës së tij, është e lejuar që ta marrë atë edhe gjatë funksionit të tij, ndërsa ajo që ai e di se i është dhënë vetëm për shkak të funksionit të tij, atëherë është e ndaluar ta marrë atë. Çfarë është problematike dhe e dyshimtë në dhuratat e miqve të tij, le t’u shmanget atyre”.[55]
Meqenëse ekzistojnë lloje dhe forma të dhuratave për nëpunësit dhe punonjësit që mund të jenë mes këtyre dy gjykimeve: lejimit dhe ndalimit, atëherë do të përpiqem të kufizoj ato forma dhe rrethana në të cilat dhuratat për nëpunësit dhe punonjësit janë të lejuara në bazë të rregullave të përgjithshme, në mënyrë që të dallohet ajo që ka lejuar Sheriati dhe asaj që është e ndaluar.
4.1: Çdo dhuratë për një punonjës, puna e të cilit nuk ka ndikim në marrjen e saj, është e lejuar
4.1.1: Sqarimi i rregullit:
Çdo lloj dhurate që përfiton një nëpunës apo punonjës, e cila nuk ka si shkak të përfitimit të tyre postin dhe detyrën, është e lejuar dhe nuk përfshihet në dhuratat që ndalohen për nëpunësit dhe punonjësit.
Ky rregull përfitohet nga kuptimi për të cilin kanë ardhur tekstet e ndalesës së dhuratave për nëpunësit dhe punonjësit. Një nga fjalët më të qarta është ajo që i tha Profeti (alejhi selam) Ibn Lutbijes ku ky i fundit i tha: “Kjo është për ju dhe kjo është ajo që më është dedikuar mua”: “Përse nuk qëndroi në shtëpinë e babait apo të nënës së tij dhe të shihte nëse do t’i jepeshin dhurata apo jo? Pasha Atë në dorën e të cilit është shpirti im, cilido nga ju që merr diçka prej saj, do të vijë me të në Ditën e Kiametit, duke e mbajtur atë në qafë.”[56].
Kjo është e qartë se meqenëse Ibn Lutbijes i ishte bërë dhuratë për shkak të detyrës dhe punës së tij, ai nuk kishte të drejtë ta pranonte dhuratën për vete[57], pasi shkaqet merren në konsideratë në lidhje me mënyrën e fitimit të pronës[58], dhe për këtë arsye Profeti (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të), ka thënë: “Përse nuk qëndroi në shtëpinë e babait apo të nënës së tij dhe të shihte nëse do t’i jepeshin dhurata apo jo?”[59].
Mirëpo, nëse dhurata i është dhënë punonjësit ose nëpunësit për hir të lidhjes farefisnore, miqësisë, shoqërisë ose për motive dhe arsye të ngjashme, atëherë nuk ka arsye për ta konsideruar të ndaluar, përkundrazi, kjo është e lejuar duke u bazuar në parimin e përgjithshëm të dhënies dhe pranimit të dhuratave. Thëniet e dijetarëve të medhhebeve të ndryshme kanë rënë në ujdi për pranimin e kësaj.
Ibn Abidin, duke komentuar hadithin e Ibn Lutbijes ka thënë: “Arsyetimi i Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), është dëshmi mbi ndalimin e dhuratave që vijnë për shkak të postit”.[60].
El Xhesas ka thënë: “Kjo kuptohet nga thënia e Profetit: “Përse nuk qëndroi në shtëpinë e babait apo të nënës së tij dhe të shihte nëse do t’i jepeshin dhurata apo jo?” Ai tregoi se ju dhurua për faktin se ishte nëpunës, nëse nuk do të ishte i tillë nuk do t’i jepej, dhe ajo nuk i lejohej. Sa i përket atij që i jepeshin dhurata para se të ishte gjykatës dhe e di se dhurata nuk i është dhënë për shkak të postit, atëherë i lejohet ta pranojë atë, sikurse e pranonte më parë”[61].
Imam Shafiu gjithashtu ka thënë: “Fjalët e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), drejtuar Ibn Lutbijes nënkuptojnë ndalimin e dhuratës nëse dhurata i është dhënë atij vetëm për shkak të autoritetit.[62].
Gazaliu gjithashtu ka thënë: “Dhe nëse nëpunësi apo punonjësi e di se ajo që i jepet është si pasojë e postit të tij, atëherë është e ndaluar ta marrë atë”[63].
Ibn Tejmije gjithashtu ka thënë: “Kuptimi i argumentit është se, dhurata është një send që falet me qëllim afrimin te dhuruesi dhe vlerësim për të, ndaj Profeti nuk mori parasysh aspektin e jashtëm të dhurimit, qofshin fjalë apo vepra, por më tepër pa në qëllimin dhe synimet e dhuruesve, të cilat bëhen të qarta nëpërmjet situatave; nëse dikujt do t’i jepeshin dhurata edhe nëse largohej nga ai post, atëherë posti nuk do të ishte shkaku që i bën njerëzit t’i japin atij dhuratën, përndryshe ajo që nënkuptohet me dhuratën është pozita e tij, ose që t’i nderojë për shkak të dhuratës, ose t’u lehtësojë ndonjë hall, ose t’u japë përparësi ndaj të tjerëve, ose diçka e ngjashme, me të cilën synojnë të përfitojnë nga pozita e tij”[64].
4.1.2: Aplikimet bashkëkohore të këtij rregulli.
Bazuar mbi këtë rregull, të gjitha dhuratat që u bëhen punonjësve të sektorit publik, si punonjësve të shtetit në të gjithë sektorët e tij, pavarësisht nga titujt dhe gradat e tyre; po ashtu edhe dhuratat që u bëhen punonjësve të sektorit privat, si punonjësve të kompanive dhe institucioneve të të gjitha llojeve, mund të pranohen nëse nuk vijnë për shkak të punëve, përgjegjësive dhe posteve që ata mbajnë, pasi këto nuk përfshihen në dhuratat e nëpunësve dhe punonjësve që janë përmendur në tekste si të ndaluara.
Kjo përfshin të gjitha dhuratat që kanë si motiv lidhjet farefisnore, miqësinë, dashamirësinë ose motive dhe arsye të tjera. Kjo vlen për të gjitha llojet e dhuratave, qofshin ato me karakter simbolik, si suvenire dhe dhurata nderimi, ose dhurata në vlera materiale, si dhurata në të holla ose të ngjashme, apo dhurata përfitimi, si lehtësira, shërbime, zbritje çmimi e të ngjashme.
4.2: Çdo dhuratë që i jepet punonjësit me autorizimin e punëdhënësit është e lejuar
4.2.1: Sqarimi i rregullit
Çfarëdo dhurate që përfiton nëpunësi ose punonjësi nëse është me autorizim, nga punëdhënësi, nuk përfshihet në dhuratat që ndalohen për nëpunësit dhe punonjësit.
Ky rregull përfitohet nga një sërë hadithesh profetike; prej tyre është ajo që transmeton Muslimi nga hadithi i Kajs ibn Ebi Hazim nga Adi ibn Umejra El-Kindi i cili ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Zotit (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të), duke thënë: “Nëse ndonjërin prej jush e caktojmë për mbledhjen e zekatit e ai na fsheh një gjilpërë ose çfarëdo tjetër, atij i konsiderohet që ka marrë fshehurazi nga pasuria e zekatit, e me të do të paraqitet Ditën e Kiametit.” Adiu tha: “Një burrë i zi prej ensarëve, të cilin e kam parasysh tani, u ngrit drejt tij dhe tha:
– O i Dërguari i Allahut, pranoje dorëheqjen time nga kjo përgjegjësi që ma dhe.
– “Pse, çfarë ke?” – i tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
– Të kam dëgjuar duke folur kështu e kështu, – tha ai.
– “Unë edhe tani po them: Nëse ndonjërin prej jush e caktojmë për një detyrë të këtillë, le të na e sjellë atë që ka mbledhur, pak ose shumë, pastaj, atë që i japim, e merr, e atë që nuk ia japim, e lë”, – tha Profeti ﷺ.”[65]
Ky është argument i qartë për lejimin që një nëpunës të marrë diçka për shkak të asaj për të cilën është punësuar, nëse ajo bëhet me lejen e personit që e ka ngarkuar me detyrë apo e ka punësuar atë[66].
Një grup i konsiderueshëm dijetarësh kanë pohuar lejimin e pranimit të dhuratave për punonjësit, nëse janë me miratimin e punëdhënësit. Ibn Batal në komentin e tij të Buhariut thotë: “Në hadithin e Ibn Lutbijes bëhet e qartë se: dhuratat për nëpunësit duhet të vendosen në thesarin e shtetit, dhe se atyre nuk u takon asgjë prej tyre, përveç nëse kërkojnë leje nga prijësi (i pari i shtetit) për këtë.”[67].
Kjo sepse atij i është dhuruar për shkak të funksionit që ka, kështu që është e pamundur që të jetë vetëm për të dhe jo për muslimanët e tjerë.” [68]
Prandaj, Profeti (alejhi selam) e obligoi nëpunësin që i kishte ngarkuar detyrën, që të sillte gjithçka që fitonte për shkak të detyrës së tij, qoftë pak apo shumë, e pastaj nëse i jepej diçka, ai e merrte atë, në të kundërtën nuk merrte asgjë prej saj.
Kjo ka ardhur në mënyrë të qartë në atë që transmeton Tirmidhiu nga hadithi i Kajs ibn Ebi Hazim nga Muadh ibn Xhebel, i cili ka thënë: “I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), më dërgoi në Jemen, kur u nisa për rrugë, ai më dërgoi dikë dhe unë u ktheva. Kur shkova tek ai më tha: “A e di pse dërgova që të thërrasin? Mos merr asgjë pa lejen time, sepse ajo është tradhti. Është e pamundur për ndonjë profet që të përvetësojë në mënyrë të pandershme prenë e luftës. Kushdo që bën një gjë të tillë, do të vijë (i ngarkuar me të) në Ditën e Kiametit.” [Al Imran: 161], për këtë të kam thirrur, prandaj vazhdo dhe shko në punën tënde.”[69].
Hafidh Ibn Haxheri në lidhje me ndalimin e dhuratave për nëpunësit ka thënë: “Këtu bëhet fjalë nëse prijësi nuk i jep leje”[70]. Ndërsa Muhelebi, gjatë komentimit të hadithit të Muadhit, ka thënë: “Kjo tregon se nëse merret, do të futet në thesarin e shtetit dhe nëpunësi nuk ka prioritet në të, përveç asaj që e ka autorizuar prijësi për të bërë”.[71].
Kjo është ajo për të cilën janë shprehur një numër dijetarësh[72].
Ajo që konfirmon se çdo dhuratë e autorizuar nga punëdhënësi është e lejuar për punëtorin apo punonjësin dhe se nuk bën pjesë te dhuratat e ndaluara është fakti se marrja e dhuratave është e ndaluar, në mënyrë që t’i jepet fund dhe të ndërpriten shkaqet e mashtrimit dhe parandaluar korrupsionin në punë, biznese dhe detyra. Por në momentin që punëdhënësi ka dijeni dhe i jep leje, atëherë në përgjithësi arrihet siguria që të mos ndodhin mashtrime dhe korrupsion.
Janë përcjellë një sërë dëshmish nga sahabët -Allahu qoftë i kënaqur me ta-, prej të cilave përfitohet një gjë e tillë. Abdullah ibn Mesudi -Allahu qoftë i kënaqur me të-, ka thënë: “Kur vdiq Profeti (paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të), njerëzit kishin zgjedhur si Kalif Ebu Bekrin, ndërkohë i Dërguari i Zotit, e kishte dërguar Muadhin në Jemen, i cili kur po kthehej takoi Umerin në Meke ndërkohë ai ishte caktuar si drejtues për haxhin. Muadhi në Mekë kishte ardhur me disa skllevër, ndaj Umeri e pyeti: Ç’janë këta?
-Këta skllevër m’i dhanë si dhuratë, ndërsa këta iu dhanë Ebu Bekrit.
-Umeri i tha: Unë mendoj se duhet t’i sjellësh tek Ebu Bekri.
Muadhi e takoi Umerin të nesërmen dhe i tha: O Ibn Hatab, ti dje më pe duke rrëshqitur në Xhehenem ndaj dhe më frenove, kështu që do të veproj ashtu siç më the. Ai ia solli ata Ebu Bekrit dhe tha: Këta m’i dhanë si dhuratë, ndërsa këta janë për ty. Ebu Bekri ia ktheu: “Ne ta kemi aprovuar dhuratën tënde.” Transmetohet nga Hakimi[73].
4.2.2: Aplikimet bashkëkohore të këtij rregulli.
Bazuar në këtë rregull, të gjitha dhuratat që u bëhen punonjësve të sektorit publik, siç janë punonjësit e shtetit në të gjithë sektorët e tij, pavarësisht nga titujt dhe gradat e tyre, si dhe dhuratat që u bëhen punonjësve të sektorit privat, si punonjësit e kompanive dhe institucione të të gjitha llojeve, mund të pranohen nëse ua lejon autoriteti i punës, dhe nuk bëjnë pjesë në dhuratat e nëpunësve dhe punonjësve për të cilat kanë ardhur tekstet që i ndalojnë ato. Kjo vlen për të gjitha llojet e dhuratave, qofshin dhurata me vlera simbolike, si suvenire dhe dhurata nderimi, ose dhurata me vlera materiale, si dhurata në para ose të tjera, apo dhe dhurata të tipit lehtësira, shërbime, zbritje çmimi, e të ngjashme.
Një nga gjërat më të sigurta që i përfshin ky rregull janë dhuratat e ofruara nga punëdhënësi, qoftë për të gjithë punonjësit apo për disa prej tyre, qofshin si shpërblim për arritjet apo si nxitje dhe motivim.
Këtu përfshihen edhe dhuratat e nderimit, ato festive dhe dekorimet, si ato që u jepen punonjësve të të gjitha niveleve në fund të shërbimit të tyre. Por del detyrë për ata që janë përgjegjës për dhënien e këtyre dhuratave të kenë frikë Zotin dhe të shmangin shpenzimet e ekzagjeruara dhe të jenë të mesatar dhe të përmbajtur, pasi ata janë duke shpenzuar paratë e të tjerëve, pavarësisht nëse janë publike ose private.
4.3: Çdo dhuratë që i jepet punonjësit që në kushte normale tolerohet, është e lejueshme
4.3.1 Shtjellimi i këtij rregulli
Çfarëdo dhurate që përfiton nëpunësi ose punonjësi, nëse bën pjesë tek ato që zakonisht tolerohen në sasi dhe lloj, atëherë nuk bëjnë pjesë në kategorinë e dhuratave që ndalohen.
Baza për këtë rregull është se: ajo e cila vendoset nga zakoni dhe është bërë traditë, e zhbën dhe e zhduk arsyen për të cilën dhuratat për punonjësit janë të ndaluara.
Duke marrë parasysh këtë kuptim, juristët janë shprehur për lejimin e pranimit nga ana e nëpunësve: -si gjyqtarët, qeveritarët dhe të ngjashëm-, të dhuratave që u jepen për arsye dhe motive që nuk kanë të bëjnë me punën, dhe postet e tyre, të tilla si dhuratat për shkak të farefisnisë, miqësisë, apo si shpërblim për mirësinë e treguar, etj. Kjo pasi nuk ka asnjë arsye për ta ndaluar këtë[74]. Ata e justifikuan një gjë të tillë duke thënë se: ajo është bërë tashmë zakon, është normale në traditën e shoqërisë dhe se ai që e vepron nuk akuzohet për ryshfet (këtu bëhet fjalë për dhuratat mes farefisit dhe të afërmve)[75].
Serkhasiu në lidhje me qëndrimin që duhet të mbajë gjykatësi për dhuratat ka thënë: “Pranimi i një dhurate është një formë ryshfeti nëse është e kësaj natyre, dhe është një formë e shfrytëzimit të postit të gjyqtarit, e cila e ngarkon atë me akuza dhe shton lakminë ndër njerëz. Përveç dhuratave që jepen nga të afërmit, pasi shkëmbimi i dhuratave mes tyre ka qenë zakon edhe më parë.”[76].
Për sa i përket dhuratave, përshkrimit apo vlerës së saj, e cila nuk është zakon apo traditë, kjo sigurisht bën pjesë në atë që është e ndaluar në lidhje me dhuratat për nëpunësit dhe punonjësit.
Imam Subkiu ka thënë: “Sa i përket dhuratës, e cila synon të jetë me qëllim fitimin e simpatisë, nëse i jepet atij të cilit nuk i është dhënë normalisht para postit (që ka fituar), atëherë ajo është e ndaluar, por nëse ka qenë zakon t’i jepej para postit që mban, atëherë nëse është më e madhe se zakonisht është e ndaluar, nëse është e njëjtë si më parë dhe ka konflikt interesi -në rastin e një të afërmi të tij që po i jep dhuratën- edhe në këtë rast nuk lejohet, e nëse nuk ka konflikt interesi, lejohet ta pranojë përderisa ka qenë zakon i tij edhe para postit, megjithëse është më mirë që ai të mos e pranojë atë. Rreptësia ndaj gjykatësit për pranimin e dhuratës, është më e madhe se për njerëzit e tjerë me post, pasi ai është përfaqësues i Sheriatit”[77].
Disa juristë janë shprehur se mikpritja që tejkalon normën për shkak të pozitës dhe postit është e njëjtë me dhuratat që nuk lejohen për nëpunësit dhe punonjësit.
Ibn Tejmije ka thënë: “Sa i përket personit që ka pozitë, nëse konsumon një sasi më të madhe ushqimi sesa mikpritja normale e përcaktuar fetarisht, ai duhet ta paguaj ushqimin shtesë, ose të mos e hajë atë, përndryshe, pranimi i mikpritjes shtesë nga ana e tij është njësoj si pranimi i dhuratës, madje ai është i njëjtë si dëshmitari ose ndërmjetësi i cili nuk e kryen ndërmjetësimin dhe nuk e jep dëshminë vetëm se për shkak të mikpritjes apo pagesës!”[78].
4.3.2: Aplikimet bashkëkohore të rregullit
Bazuar në këtë rregull, të gjitha dhuratat që u bëhen punonjësve të sektorit publik, si: punonjësit e shtetit në të gjithë sektorët e tij, pavarësisht nga titujt dhe gradat e tyre, si dhe dhuratat që u jepen punonjësve të sektorit privat, si: punonjësit e kompanive dhe institucioneve të të gjitha llojeve, lejohet të pranohen nëse janë gjëra që dhurohen zakonisht, pasi ato nuk përfshihen në dhuratat e nëpunësve dhe punonjësve për të cilat tekstet janë shprehur se nuk lejohen. Kjo vlen për të gjitha llojet e dhuratave, qofshin ato me karakter simbolik, si suvenire dhe dhurata nderi, ose dhurata me vlera materiale, si dhurata në të holla ose të ngjashme, apo dhurata përfitimi, si lehtësira, shërbime, zbritje çmimi, dhe të ngjashme.
Ky rregull përfshin dhuratat që u jepen punonjësve të enteve publike, si dhe suveniret që u jepen subjekteve private si kalendarët vjetorë ose tremujorë, fletoret apo mjete të tjera zyre, qofshin për përdorim personal apo me qëllim reklamimi, të destinuara për punëdhënësin (ndërmarrjen), apo për punonjësit e tij; si dhuratat që jepen nga dikush që ka marrëdhënie me subjektin, apo nga dikush që nuk ka marrëdhënie me të. E njëjta gjë vlen edhe për dhuratat reklamuese që ofrohen për të prezantuar një produkt të ri, ose për të provuar produktin dhe për të parë se sa i plotëson nevojat[79].
Këtu bëjnë pjesë gjithashtu edhe ato që u jepen pronarëve të ndërmarrjeve të shërbimit, si punonjësit e pastrimit, transportit dhe mirëmbajtjes, si dhe atë që u jepet punonjësve në sektorin shëndetësor, si personelit të infermierisë nga vizitorët ose pacientët e ndryshëm, në formën e dhuratat dhe shpërblimeve, të cilat në përgjithësi janë zakon dhe traditë që të dhurohen.
Këtu përfshihen edhe dhuratat me vlerë simbolike që u jepen punonjësve në sektorin e arsimit, duke përfshirë mësuesit, mbikëqyrësit dhe administratorët, nga studentët ose prindër e tyre, të tilla si dekoratat, certifikata mirënjohjeje dhe të ngjashme.
Edhe dhuratat e bëra gjatë festimeve për drejtorët, presidentët dhe zyrtarët, me kusht që të mos ketë një ligj që pengon pranimin e dhuratave të tilla dhe që të mos jenë shkak për mashtrime. Për të arritur këtë, është e nevojshme që të ketë një kufi në përmasën e dhuratave që jepen në të tilla raste, në mënyrë që të parandalohet teprimi dhe të ruhen njerëzit nga korrupsioni. Nëse kjo portë nuk mund të mbyllet veçse me ndalim të plotë, atëherë kjo zgjidhje është më e sigurt.
Ajo që duhet të theksoj këtu është se, përkundër asaj që kam cituar në sqarimin e këtij rregulli dhe përcjelljen e qëndrimeve të dijetarëve të shkollave të ndryshme, në lidhje me lejueshmërinë e dhuratave për nëpunësit dhe punonjësit, të cilat zakonisht tolerohen dhe nuk janë burim akuzash dhe mashtrimi, mendim ky që e ka shprehur një grup dijetarësh bashkëkohorë dhe për të cilin janë dhënë disa fetva, por megjithatë ka dhe një grup dijetarësh të cilët thonë se dhuratat për punonjësit e shërbimit dhe të ngjashëm me ta janë të ndaluara. Bazuar kjo në parimin bazë lidhur me dhuratat për nëpunësit dhe punonjësit.
Në përgjigjen e një pyetjeje që i është drejtuar Komisionit të Përhershëm të Fetvasë në Mbretërinë e Arabisë Saudite, i kryesuar nga Shejhu ynë Abdulaziz ibn Baz -Zoti e mëshiroftë-, në lidhje me paratë që disa blerës u japin punonjësve nëpër dyqane, si formë bakshishi, thuhet: “Nuk ju lejohet t’i merrni ato para, sepse është një prej formave të ryshfetit dhe është i ndaluar”.[80].
4.4: Çdo dhuratë që përfiton punonjësi e për të cilën ai e shpërblen dhuruesin është e lejuar
4.4.1: Shtjellimi i këtij rregulli
Jo çdo lloj dhurate që përfiton nëpunësi ose punonjësi përfshihet në dhuratat e ndaluara, nëse nëpunësi ose punonjësi e shpërblen dhënësin e saj me një dhuratë të ngjashme ose me një më të mirë se ajo.
Baza për këtë është se në traditën e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), në lidhje me dhuratat është se ai e pranonte dhuratën dhe i përgjigjej me dhuratë asaj. Në dy librat e saktë -të Buhariut dhe Muslimit [81]-, përcillet se Aishja -Allahu qoftë i kënaqur me të-, ka thënë: “I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), e pranonte dhuratën dhe i përgjigjej me dhuratë asaj”.
Ky është një parim që duhet respektuar për çdo dhuratë në përgjithësi, pra që mirësia të kthehet me mirësi, dhe për këtë nuk ka kundërshtime midis dijetarëve -Allahu i mëshiroftë[82].
Ky shpërblim sipas disa dijetarëve mund të jetë edhe i detyrueshëm në disa raste, si p.sh., dhurata e shpërblimit (të veprës së mirë)[83].
Sa i përket Malikive, ata janë për ndalim absolut, edhe në rastin kur dhuruesi shpërblehet, duke cituar se arsyeja e ndalimit është: “Sepse shpirtrat anojnë nga ata të cilët u japin dhurata, dhe sepse pranimi i tyre e shuan dritën e urtësisë”[84].
Mendimi se një punonjësit i lejohet ta pranojë dhuratën nëse ai e kthen në mënyrë të ngjashme atë, është më afër mendimit të saktë, dhe Zoti e di më së miri.
Kjo për shkak se shpërblimi për dhuratën i bën të barabartë atë që dhuron me atë që i dhurohet, kështu që frika nga pasoja negative e dhuratave bie.
Arsyeja e ndalimit të dhuratave për punonjësit dhe nëpunësit dhe kalimi nga e lejimi në ndalim, është se ajo mund të shpjerë në korrupsion.
4.4.2: Aplikimet bashkëkohore të rregullit
Bazuar në këtë rregull, të gjitha dhuratat që u bëhen punonjësve të sektorit publik, si punonjësit e shtetit në të gjithë sektorët e tij, pavarësisht nga titujt dhe gradat e tyre, si dhe dhuratat që u jepen punonjësve të sektorit privat, si punonjësit e kompanive dhe institucioneve të të gjitha llojeve, mund të pranohen nëse nëpunësi ose punonjësi e shpërblen dhuratëdhënësin me të njëjtën dhuratë si ajo ose me diçka më të mirë se ajo. Kjo vlen për të gjitha llojet e dhuratave, qofshin dhuratat me vlera simbolike, si suvenire dhe dhurata nderimi, ose dhurata me vlera materiale, si dhurata në para ose të tjera, apo dhurata përfitimi, si lehtësira, shërbime, zbritje çmimi, e të ngjashme.
Ky rregull përfshin edhe dhuratat e punonjësve të cilat nuk i përmbushin kriteret e lejimit ose që ekziston dyshimi për lejimin e tyre, atëherë lejohet që ai ta pranojë atë me kusht që ta shpërblejë me diçka të ngjashme me dhuratën e tij ose më të mirë se ajo. Ka shumë shembuj për këtë, duke përfshirë edhe dhuratat që u jepen mësuesve, qofshin ato si dhuratë nga nxënësit apo nga prindërit e tyre, por që në thelb nuk u lejohet t’i pranojnë, atëherë ata mund t’i pranojnë ato, nëse këtë e kërkon interesi ose për të shmangur dëmin e mundshëm, me kusht që ai t’i shpërblejnë për të me të njëjtën ose me një më të mirë, përndryshe nuk lejohet t’i pranojnë, por duhet t’i refuzojnë ato.
4.5: Të gjitha llojet e përfitimeve që u jepen punonjësve i nënshtrohen dispozitave të dhuratave.
4.5.1: Shtjellimi i këtij rregulli
Çdo gjë që i ofrohet nëpunësit ose punonjësit si përfitime si: shërbimet, lehtësitë, zbritjet, favorizimet e të ngjashme, kanë të njëjtin gjykim si dhuratat e punonjësve qoftë në lejim apo ndalim.
Ky rregull bazohet në argumentet e përgjithshme që ndalojnë dhuratat për nëpunësit dhe punonjësit, pavarësisht nga gradat apo pozicionet e tyre të punës, kështu që parimi bazë për këtë është se: çdo gjë që përfiton punonjësi qofshin këto prona apo para, shërbime apo lehtësira për shkak të punës së tij, nga dikush tjetër përveç punëdhënësit, nuk i lejohen t’i marrë[85].
Një grup juristësh kanë theksuar se punonjësit i ndalohet të pranojë përfitimet që i ofrohen si mikpritje, huamarrje e të ngjashme, të cilat i ofrohen për shkak të postit.
Autori i “Esna Matalib” ka thënë: “Ndalimi shfaqet në përfitimet që përkthehen në pasuri, si për shembull: shtëpi ku ai mund të banojë, mjet transporti që mund ta përdorë dhe të ngjashme, në kundërshtim me ato që nuk këmbehen në të holla… si huazimi i librave e të ngjashme”[86].
Të këtij mendimi janë edhe Hanefitë, të cilët janë shprehur se: ftesa që bëhet posaçërisht për nder të gjykatësit, dhe ku prezenca e tij është qëllimi kryesor, gjykimi i saj është si dhuratat[87].
Po kështu, juristët Shafi’i kanë thënë: “Mikpritja dhe përfitimet janë si dhuratat, edhe huamarrja nëse është në këmbim të shpërblimit, atëherë është si dhurata”[88]. Ngjashëm me këtë, janë shprehur edhe juristët Hanbeli[89].
Këtu përfshihet edhe ajo që kanë përmendur disa dijetarë se: “favorizimi i pushtetarëve në transaksione të tilla si: shitja, dhënia me qira, tregtia, vaditja, mbjellja e të ngjashme, janë një lloj si dhuratat”.
Për këtë arsye, Umer bin Hatabi -Allahu qoftë i kënaqur me të-, i përgjysmoi të ardhurat e nëpunësve të tij, edhe pse ata kishin virtyte dhe fe dhe nuk i akuzoi për mitmarrje, megjithatë i përgjysmoi të ardhurat për shkak të postit, favorizimit dhe të ngjashme[90].
4.5.2: Aplikimet bashkëkohore të rregullit
Bazuar në këtë rregull, të gjitha shërbimet dhe lehtësitë e ofruara për punonjësit e sektorit publik, si punonjësit e shtetit e të gjitha sektorëve, pavarësisht nga titujt dhe gradat e tyre, si dhe dhuratat që u ofrohen punonjësve të sektorit privat, si punonjësit e kompanive dhe institucioneve të të gjitha llojeve, i nënshtrohen gjykimit të dhuratave në aspektin e lejimit dhe ndalimit.
Ky rregull përfshin kurse trajnimi falas të ofruara për punonjësit e sektorit publik ose privat ose zbritje në produkte të caktuara, të cilën më së shumti e gjejmë në sektorin e shëndetësisë ku kompanitë farmaceutike ofrojnë ilaçe për mjekët, farmacistët dhe punonjësit e tjerë të sektorit shëndetësor. Kërkohet që këto të trajtohen si dhuratë në përputhje me rregullat e sipërpërmendura.
4.6: Lejimi i dhuratave për punonjësit, nëse ato nuk janë shkak për dyshime dhe akuza.
4.6.1: Shtjellimi i këtij rregulli
Bazuar në këtë rregull, të gjitha llojet e dhuratave që lejohen për një nëpunës ose punonjës, qofshin ato pronë apo përfitime, janë të lejueshme nëse nuk çojnë në mashtrim dhe nuk bëhen objekt akuze apo dyshimi, pavarësisht nga origjina e dhuratës, vlera e saj, lloji apo karakteri i saj.
Ky rregull bazohet mbi qëllimin dhe arsyen për të cilën Sheriati ndalon dhuratat për nëpunësit dhe punonjësit, ku në vetvete dhuratat janë shkak për akuza dhe dyshim që shpesh çojnë në humbjen e besueshmërisë dhe korrupsionin e punonjësit.
Ibn Haxher El-Hejtemi ka thënë: “Kur dhuratat nuk synojnë dhe nënkuptojnë ryshfet, nuk janë në një kohë mosmarrëveshjeje dhe nuk përbëjnë mosrespektimin e pozicionit të gjykatësit, apo sjellin paragjykime, porse janë në formën e nderimit në mesin e njerëzve të denjë, atëherë nuk është e ndaluar pranimi i tyre, por megjithatë duhet parë shkaku që e motivon dhuruesin për ta bërë këtë.”[91].
Një grup juristësh janë shprehur për ndalimin e pranimit të dhuratave, nga pushtetari dhe gjykatësi, në mënyrë që ata të evitojnë dyshimet dhe akuzat ndaj tyre.
Imam Subki në një fetva të tij shprehet: “Çështja është se dhurata nuk është pronësi e pushtetarit, sipas mendimit të shumicës së dijetarëve, ndërsa sa i përket ndalimit të marrjes së saj, ajo praktikohet aty ku krijohen dyshime”[92].
Kasani ka thënë: “Gjykatësi nuk duhet të pranojë dhuratë nga asnjëri prej tyre –dy kundërshtarëve– përveç nëse ai nuk paragjykohet apo nuk ngrihen akuza kundër tij”[93].
Ibn Kajimi e zgjeroi shtrirjen e kushteve që duhen plotësuar në mënyrë që të lejohet pranimi i dhuratave dhe që të mos ngrihen akuza, duke përfshirë pranimin e të gjitha dhuratave si shkak i punës. Ai ka thënë: “Pushtetarit, gjykatësit dhe ndërmjetësuesit i ndalohet të pranojnë dhurata, pasi ato janë baza e korruptimit të njerëzisë. Ato janë shkaku pse u besohen pozitat njerëzve që nuk e meritojnë, dhe shkaku pse emërohen mashtruesit, mediokrit dhe të paaftët, kjo ka çuar në një korrupsion të atillë që vetëm Zoti e di…[94]
Disa dijetarë kanë lejuar marrjen e dhuratës në rastet kur nuk ka vend për dyshim apo akuzë, duke e arsyetuar me lejimin që ka bërë Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), duke pranuar dhuratat përkundër faktit se ai ishte prijës i muslimanëve, duke u shprehur: “Dhurata është absolutisht e lejuar për të, ndryshe nga nëpunësit e tjerë, për faktin se nuk ekziston dyshimi për të.”[95].
Këtu përfshihet edhe ajo që kanë përmendur disa juristë në lidhje me lejueshmërinë e mikpritjes së një gjykatësi nga dikush që nuk ka asnjë mosmarrëveshje (çështje gjyqësore) në pritje. Në “Durar el Hukam Sherh Mexheletu el Ahkam” thuhet: “Gjykatësi mund të shkojë në gostinë e dikujt që nuk ka konflikt interesi (çështje gjyqësore në proces), nëse është gosti publike, sepse në këtë rast nuk ngrihet ndaj tij ndonjë akuzë”[96].
4.6.2: Aplikimet bashkëkohore të rregullit
Bazuar në këtë rregull, dhuratat e llojeve dhe formave të ndryshme -që u jepen punonjësve të sektorit publik, si punonjësit e shtetit në të gjitha sektorët e tij, pavarësisht nga titujt dhe gradat e tyre, si dhe ato që u jepen punonjësve të sektorit privat, si p.sh.: punonjës të kompanive dhe institucioneve -të të gjitha llojeve-, nuk lejohet t’u jepen nëse kihet frike se kjo mund të çojë në korrupsion ose do të lindin ndaj tij dyshime.
Këtu përfshihen shumë prej dhuratave që studentët u japin mësuesve, shkollës apo administratës. E njëjta gjë vlen edhe për atë që u ofrohet punonjësve të sektorit të shëndetësisë, si mjekët dhe infermierët, për shkak të kujdesit që ata tregojnë ndaj pacientëve etj.
Këtu përfshihen dhuratat që u jepen agjentëve të shitjeve në agjencitë qeveritare apo kompanitë dhe institucionet private, pasi lindin dyshime për favorizime në përzgjedhje apo vendosje çmimesh spekulative. Shejhu ynë Abdulaziz bin Baz -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me dhuratat që u jepen agjentëve tregtar thotë: “Kjo është e ndaluar, dhe konsiderohet mashtrim, kjo për shkak se atij nuk i intereson çmimi i volitshëm me të cilin përfiton kompania, përkundrazi ai merr parasysh atë që mund të përfitojë vetë nga blerësi (dhuratë etj.)”.
Kjo është e ngjashme me fetvanë që ka dhënë Komisioni i Përhershëm i Fetvave në Mbretërinë e Arabisë Saudite në lidhje me vendimin për komisionet që u ofrohen agjentëve të shitjeve të kompanive: “Përderisa ky ndërmjetës (agjent) ka një pagë mujore nga kompania në të cilën ai punon, ndërkohë ai merr një komision nga një kompani e dytë në këmbim të bashkëpunimit me të, për të bërë blerje në dobi të kompanisë në të cilën ai punon, kjo nuk lejohet. Sepse ai është shpërblim i dyshimtë për kompaninë në të cilën është punonjës, qoftë për çmimin që merr, të cilin nuk e heton dhe qoftë për cilësinë e mallit që blen për të”[107].
Konkluzion
Pas shqyrtimit të çështjeve të këtij hulumtimi, na bëhet e qartë sa vijon:
1- Parimi themelor në lidhje me dhuratat është se ato janë të lejuara, por dhuratat për punonjësit janë të përjashtuara nga ky rregull.
2- Dhuratat vlerësohen në bazë të arsyes së dhuratës dhe të motivit të tyre.
3- Dijetarët pajtohen për ligjshmërinë e pranimit të dhuratave, nëse nuk ka pengesë fetare.
4- Pranimi i dhuratës, nisur nga argumentet, është i rekomanduar, dhe se refuzimi i tyre pa ndonjë arsye të qartë konsiderohet fyerje për dhuruesin.
5- Parimi themelor në lidhje me dhuratat për nëpunësit dhe punonjësit, pavarësisht nga grada apo sektorët e punës së tyre, është ndalimi, për shkak të argumenteve dhe të keqes së qartë që ato bartin.
6- Mendimi më i drejtë është se: lejohet t’i jepet dhuratë një punonjësi nëse ai shpërblen për të, dhe kjo për shkak se shpërblimi për dhuratën e bën të barabartë dhuruesin me atë të cilit i jepet, kështu që largohet frika nga efekti negativ që mund të shkaktojnë dhuratat.
7- Kushtëzohet që dhurata të mos jetë bazë dyshimi dhe akuze për ta pranuar atë.
Zoti e di më së miri, dhe bekimet dhe paqja e Zotit qofshin mbi Muhamedin, familjen dhe shokët e tij.
Referencat:
[1] Fesad el Idari, Xherish, fq. 9. [2] Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit, Sesioni i pesëdhjetë e tetë, pika 108, fq. 7-8. [3] Libri: Hadaja el Muadhafijn. [4] Shih: Mugni el-Muhtaxh (2/404), Mexhmu’ el-Fatava (31/269), El-Insaf (7/164). [5] Shih: Sherh Fet’h El-Kadir (7/272), Dhakhira i Karafi (10/83), Mugni el-Muhtaxh (4/392), Keshaf El-Kina’ (2/272). [6] Shih: Tabjin el-Haka’ik (12/296), El-Um i Shaf’iut (8/588), El-Bejan Ve-Tehsil i Ibn Rushd (2/535), Minah El-Xhelil Sherh Mukhtesar Khalil (18/123), Mexhmu’ El-Fetava (28/28). [7] Shih: El-Munteka An-Sherh El-Muvata (8/137), Taxh Vel-Iklil (6/315), El-Fetava El-Kubra i Ibn Tejmije (4/284). [8] Muxhem Mustalahat El-Iktisad vel Mali vel Idaretil Amali, nga Gatas, fq. 193. [9] Shih: Meusuatu Mustalahat El Iktisadie vel Ihsaije, nga Dr. Hejkel, fq. 684. [10] Shih: Mebadi ve Ahkam Kanun Idarij, Muhena, fq. 567; Vaxhib Muadhaf El Am fi Himajeti Malil Am, fq. 40-46. [11] Ligji Saudit kundër ryshfetit, fq. 2. Shih: Kodi Penal Egjiptian, neni (106, 111). [12] Ligji Saudit kundër ryshfetit, fq. 2. [13] Transmeton Buhariu në Edeb El-Mufred fq. 208. E ka saktësuar Ibn Haxher në Telhis El Habir (3/69-70). Po ashtu është transmetuar në Muvata (2/908) dhe është saktësuar nga Ibn ‘Abdulberr në Temhid (21/12). [14] Transmeton Buhariu nr. 2566, dhe Muslimi nr. 130. [15] Shih: Beda’i’ Sena’i’ (6/117), Durr el-Muhtar (8/422). [16] Shih: Temhijd Ibn ‘Abdulberr (21/18). [17] Shih: Reudatu Talibin (5/365). [18] Shih: Furu’ (4/638), El-Insaf (7/165), dhe Matalib ‘Uli Nuha (4/397). [19] Shih: el-Insaaf (7/165). [20] Shih: El-Muhala (9/152). [21] Transmeton Buhariu nr. 2568. [22] Shih: Fat’hul Bari (4/199-200). [23] Transmeton Buhariu nr. 2585. [24] Transmeton Ahmedi (1/404), Hejthemiu në Mexhma Zevaid (4/146), dhe Ahmed Shakir në recensimin e Musnedit (5/322), kanë pohuar se zinxhiri i këtij hadithi është i saktë. [25] Shih: Sherh Mushkil el-Athar (8/29), Reudatu el Ukala’ Ibn Hiban, f. 242. [26] Shih: Temhid i Ibn ‘Abdulberr (1/273). [27] Transmeton Buhariu, nr. 1472, dhe Muslimi, nr. 1035. [28] Mexhmu’ El-Fetava (31/97). [29] Shih: ‘Aridatu El-Ahvedhi (10/236), Fet’hul Bari (5/209). [30] Transmeton Tirmidhiu, nr. 2790. Tirmidhiu për këtë hadith ka thënë: “Ky është hadith Garib”, ndërsa Ibn Haxher tha për të në Fet’hul Bari (5/209) (zinxhiri i tij është i mirë). [31] Transmeton Buhari, nr. 2582. [32] Shih rreth këtij rregulli në: El-Mahsul fi Ilm El-Usul (3/129-131), Sherh Keukeb El-Munijr (3/386-387). [33] Transmeton Buhariu, nr. 1473, dhe Muslimi, nr. 1045. [34] Shih: Temhijd i Ibn ‘Abdul Berr (5/84), El-Muhala (9/152-153). [35] Shih: Maxhmu’ El-Fetava (31/95), Fet’h El-Bari (3/338). [36] Shih: Maxhmu’ El-Fetava (31/95). [37] I’lam El-Muvakiin (3/114). [38] Shih: Mevahib El-xhelil (4/253), Tarh Et-Tethrib (3/217), Tuhfetu El-Muhtaxh (6/296). [39] Transmeton Ahmedi (5/425). Ibën Haxheri në Tehis El-Habir (4/189) ka thënë: Zinxhiri i tij është i dobët. Këtë e konfirmoi duke shpjeguar arsyen e dobësisë së tij në Fet’h El-Bari (13/164). Ndërsa Ibn Mulkin në Hulasatu Bedr El-Munir (2/430) ka thënë: Zinxhiri i tij është i mirë. [40] Transmeton Muslimi, nr. 3415. [41] Shih: Dhakhira i Karafit (10/80), Fet’hul Bari (63/167). [42] E cituar më parë në në hadithin e Buhariut. [43] Shih: Fet’h El-Bari (5/231), Adab El-Kadi (2/110-111), El-Mu’tesar min El-Muhtesar (1/352). [44] Transmeton Ebu Daudi, nr 3580, Tirmidhiu nr 1337, dhe Ibn Maxhe nr 2313, me një ndryshim të vogël. [45] Transmeton Buhariu, (2/235). [46] Shih: Sherh Fet’h El-Kadir (7/272), Dhakhira i Karafit (10/83), Hashijetu El-Buxhejrami (4/330). [47] Fetava El-Kubra (6/157). Shih: Mexhmu’ El-Fetava (31/286). [48] Shih: Tuhfetul el-Muhtaxh (10/138). [49] Transmeton Tirmidhiu nr 1336 dhe ka thënë: “Hadithi është i vërtetë”. [50] Havi El-Kebir (16/286). Shih: dhakhira (10/80). [51] (1/33). [52] (4/588). [53] (3/558). [54] Ihja Ulum el-Din (2/153-154). [55] Ihja Ulum el-Din 2/154. [56] E kemi cituar më lartë transmeton Buhariu. [57] Shih: Ahkam El-Kuran i Xhesas (6/51), Fet’h El-Bari (5/231), Edeb El-Kadi (2/110), El-Mu’tesar (1/352). [58] Shih: Kavai Ibn Rexheb, fq. 321. [59] Shih: Fet’h El-Kadir (7/272), Dhakhira (10/83), Hashijetu El-Buxhejrami (4/330), Mexhmu’ El-Fetava (31/286). [60] Hashijetu Red’ El-Muhtar (5/513). [61] Ahkam El-Kuran i El-Xhesas (2/609). [62] (2/63). [63] Ihja Ulumu Din (2/4). [64] Fetava El-Kubra (6/157). [65] Muslimi, nr. 3415. [66] Shih: El-Furu’ (4/325). [67] (13/110). [68] Temhijd i Ibn ‘Abdul Berr (2/15). [69] Tirmidhiu, nr. (1255). Tirmidhi ka pohuar se hadithi është: “Garib”. [70] Fet’h El-Bari (13/167). [71] Fet’h El-Bari (13/167). [72] Po aty. Shih dhe: Sherh Es Sune i Bagaviut (10/89), Temhijd Ibn ‘Abdul Berr (2/13-15). [73] Është transmetuar në El-Mustedrek ‘ala Sahihejn (12/81). Po ashtu është transmetuar nga Ibn Ebi Shejbe në Musanefin e tij (5/228) dhe nga Khatib El Bagdadi në Tarijh Dimeshk (58/429-433). Hakim për këtë hadith ka thënë: Është i vërtetë sipas kushteve të Buharit dhe Muslimit. [74] Shih: El-Mebsut (16/82), Tebsiretu El-Hukam (2/32), Tuhfetu El-Muhtaxh (10/137), El-Insaaf (11/210-211). [75] Gamz Ujun El-Basa’ir (1/297), Minah El-Xhelil (8/298), El-Menthur fi El-Kavaid (1/357), Kavaid Ibn Rexheb, fq. 321. [76] El-Mebsut (16/82). [77] Fetava Es-Subki (1/204). [78] Fetava El-Kubra (4/174-175). [79] Shih: Muxhem Mustalahat El-Iktisad vel Mal ve Idaretul A’mal, fq. (486), El-Enshitatu Tervixhije Lisherikat Suudije, Dr. El-Mutevely, fq. (45, 48), El-I’lan, Dr. Ahmed El-Masri, fq. (97, 56). [80] Fetava Lexhne Daime lil Ifta (23/553). [81] Transmeton Buhariu nr. 2585. [82] Shih: Havi El-Kebir (7/549), El-Bejan i El-‘Imrani (8/132), El-Mugni (5/397), Keshaf El-Kina’ (4/321), Sherh Sahih El-Buhari i Ibn Batal (7/95), Nejl El-Autar (6/8). [83] Shih: Bejan ve Tahsel (18/162). [84] Minah El-Xhelil (8/298). [85] Shih: Mevahib El-Xhelil (4/253), Tarh Et-Tethrib (3/217), Tuhfetul Muhtaxh (6/296). [86] (4/300). Shih: Tuhfetul Muhtaxh (10/136). [87] Shih: Hashijetu ibn ‘Abidin (5/374). [98] Shih: Ikna fi Hali Elfadh Ebu Shuxha’ (2/619), Mugni El-Muhtaxh ila Marifeti Meani Elfadh El-Minhaxh (6/288). [89] (6/482). [90] Maxhmu’ El-Fetava (28/281). [91] Ijdah El Ahkam lima Je’hudhuhu El-Umalu vel Hukam, fq. 65. [92] (1/206).(93] Beda’i Es-Sena’i’ (7/9).
[94] I’lam El-Muvakiin (3/114). [95] Esna el-Metalib (3/106). [96] (4/592). [97] Fetava Lexhne Daime lil Ifta (15/147).
Përktheu me shkurtime
Bledar Haxhiu