Dimensioni më madhështor i Agjërimit

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 2 minuta lexim

H. Bledar Haxhiu

Agjërimi në të vërtetë është çlirimi i shpirtit njerëzor nga çdo skllavëri: nga skllavëria e jetës dhe kërkesat e saj, nga skllavëria e trupit dhe nevojat e tij për ushqimin dhe pije, nga skllavëria e unit dhe dëshirat e tij, dhe nga skllavëria e mendjes dhe hamendësitë e saj.

Agjërimi po ashtu është çlirim nga skllavëria e frikës, e tashmja dhe e ardhmja, derisa të ndiejmë lirinë e vërtetë, lirinë e ekzistencës, lirinë e vullnetit dhe lirinë e veprave.

Çlirimi i shpirtit të muslimanit është qëllimi i agjërimit, i cili i është obliguar dhe që e kryen me vetëdije; në mënyrë që ky shpirt i lirë ta dijë se Zoti e ka sjellë në tokë për të vendosur të vërtetën, për të gjykuar në të me të vërtetën dhe të punojë vetëm të vërtetën.
Allahu nuk pranon që krijesa më fisnike e Tij të poshtërohet ndaj nevojave më të mëdha të trupit; sepse ai është më i fortë se ato; as për kërkesat më të rëndomta të jetës, sepse ai është më i lartë se ato; dhe as ndaj forcave mbizotëruese të tokës, sepse ai është më i fuqishëm se ato.

Zoti deshi ta çmojë këtë ibadet (adhurim), prandaj i shpalli të Dërguarit të Tij, salallahu alejhi ue selem, që t’u tregojë njerëzve në emër të Zotit të tij kur ai tha: “Agjërimi është për Mua”. (Buhariu: 7492), kështu që gjatë agjërimit nuk ka hipokrizi; për shkak se është bërë për Zotin, dhe nuk synohet asgjë tjetër përveç fytyrës së Zotit. Kështu që Zoti e zgjodhi atë nga të gjitha ibadetet e tjera, sepse Ai është që e pranon atë në emër të robit të Tij dhe Ai është që e shpërblen atë siç do.