A është i vërtetë ky hadith?

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 3 minuta lexim

بسم الله الرحمن الرحيم

Pyetje: Në rrjetet sociale kam parë të qarkullojë një hadith ku thuhet: “Ju erdhi Ramazani një muaj i bekuar ku Allahu agjërimin e tij e ka bërë detyrë dhe namazin në netët e tij vullnetar. Kushdo që jep lëmoshë në këtë muaj ose punon një punë të mirë është sikur të kryej një obligim (farz) në muajt e tjerë. Kurse ai që kryen një obligim në muajin e Ramazanit është sikur të ketë kryer shtatëdhjetë obligime në muaj të tjerë.” Duke qenë se është hera e parë që e dëgjoj këtë hadith më bëri përshtypje dhe doja të dija saktësinë e tij?

Përgjigje: Këtë hadith e transmeton Ibn Huzejme në Sahihun e tij (nr. 1887) dhe Bejhekiu në Shuab el-Iman (nr. 3336). Kjo që përmendet në pyetje është një copëz e hadithit, sepse hadithi është më i gjatë dhe në hadith nuk përmendet fjala lëmoshë, por vetëm pjesa ku thuhet: “Kush punon një punë të mirë…”
Vetë Ibn Huzejme në Sahihun e tij, kur e rëndit hadithin në temën përkatëse thotë: “Nëse do të ishte i saktë.” Pra sinjalizon për dobësinë e këtij hadithi, sepse në zinxhirin e transmetuesve (sened) gjendet Ali ibn Zejd ibn Xhud’ani, të cilin e konsiderojnë transmetues të dobët shumë dijetarë, prej tyre; Imam Ahmedi, Nesaiu, Jahja ibn Meini, Darekutni, e të tjerë. Madje vetë Ibn Huzejme thotë: “Nuk argumentohem me të për shkak të memories së tij të dobët.” (Shih Tehdhib et-tehdhib 3/163)
Pra nuk mund të vërtetohet dhe për rrjedhojë nuk mund të pretendohet ajo që përmendet në transmetim. Sidoqoftë, Allahu mund t’ia zmadhojë ose shumëfishojë një punë të mirë besimtarit në Ramazan në varësi të saktësisë, korrektësisë, përkushtimit dhe sinqeritetit, ndërkohë zemrat dhe qëllimet e njerëzve i di vetëm Allahu.
Allahu e di më së miri!
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH