Ditëlindja e Profetit
Mustafa Tërniqi
Jemi futur dhe kemi kaluar gjysmën e muajit Rabiul-Evvel të kalendarit hënor. Ky është një muaj në të cilin kanë ndodhur mjaft ngjarje nga jeta e Profetit Muhamed (Alejhissalatu uesselam). Ngjarjet më kryesore janë lindja e tij, përfundimi i hixhretit si dhe vdekja e tij. Në këtë muaj lindi Muhamedi (alejhissalatu uesselam) shembulli më i lartë dhe pasqyra më e qartë për mbarë njerëzimin. Ai ishte modeli më i përsosur, ndriçuesi i pashtershëm, shporrësi i idhujtarisë, krenaria e njerëzisë, çliruesi i skllavërisë, burimi i urtësisë, morali më i përsosur, reformatori më i suksesshëm dhe krijesa më e dashur e Allahut.
Ne kurrë s’do të mundemi ta paraqesim e ta ezaurojmë figurën e Profetit Muhamed (alejhissalatu uesselam) në këtë shkrim. Mjafton që atë e ka lavdëruar vetë Zoti i gjithësisë duke e bashkangjitur emrin e tij me të Vetin kur thirret ezani. Anekënd botës sa herë që madhërohet Allahu në përmjet ezanit përmendet dhe emri i Muhamedit (alejhissalatu uesselam). Sidoqoftë kjo s’do të thotë që ne ta teprojmë me lëvdata pasi vetë Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: “Mos më lavdëroni mua tepër ashtu siç lavdëruan të krishterët Isain, të birin e Merjemes, sepse në të vërtetë unë jam veç rob i Allahut, andaj thoni: “Muhamedi është rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij.” Transmetoi Buhariu.
Për këtë arsye muslimani duhet të kuptojë qartë se dashuria ndaj Profetit (alejhissalatu uesselam) nuk manifestohet me kremtime dhe festivale, siç ndodh në shumë raste e në shumë vende, por duke ndjekur rrugën e tij hap pas hapi në mënyrë që të fitojmë kënaqësinë e Allahut. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Thuaj (0 Muhamed): “Nëse vërtet e doni Allahun atëherë më ndiqni mua dhe Ai do t’ju dojë e do t’jua falë gjynahet. Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” Surja Ali Imran 31. Në një ajet tjetër Ai thotë: “O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, si përgëzues dhe paralajmërues. Njëkohësisht të kemi dërguar ty si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij dhe si pishtar ndriçues.” Surja El-Ahzab 45-46.
Ky verset kuranor dhe ajete të tjera të ngjashme i nxitën sahabët, shokët e Profetit (alejhississalatu uesselam) të mos jetonin në Mekë ose Medinë pas vdekjes së Profetit (alejhissalatu uesselam), por shumica e tyre u endën nëpër vise të largëta thirrës në rrugë të Allahut, pishtarë ndriçues, përgëzues për ata që ndjekin traditën profetike me rigorozitet dhe paralajmërues për ata që e braktisin atë rrugë. Sahabët ishin ata që e imituan Profetin (alejhissalatu uesselam) dhe ndoqën rrugën e tij hap pas hapi dhe Allahu i Madhëruar u dha atyre sukses të plotë. Jeta e Profetit Muhamed (alejhissalatu uesselam) nuk ishte e veshur nga misteret, por ishte publike dhe tepër transparente. Librat e saktë ku janë transmetuar e shënuar fjalët dhe veprat e të Dërguarit të Allahut, Muhamedit (alejhissalatu uesselam) na tregojnë me qartësi dhe imtësi çdo gjë të jetës së tij. Aty është përshkruar si ngrihej, ulej, mbështetej e flinte, si qeshte e buzëqeshte, si hante dhe pinte, si vishej e zhvishej, si lahej e pastrohej, si falej dhe e kujtonte Allahun, si fliste dhe komunikonte, si hynte e dilte, si ecte dhe udhëtonte, si sillej e luftonte, deri dhe gjërat e imta bashkshortore.
Të gjitha këto veprime transmetohen prej tij në forma dhe pamje të ndryshme të cilat përmblidhen me termin Sunet. Sahabët e nderuar e donin aq shumë Profetin (aljehissalatu uesselam) sa që na trasnmetuan neve sunetin e tij dhe ishin pikërisht ata të parët shembulli më i mirë në ndjekjen e traditës Profetike. A jemi ne të gatshëm të ndjekim të njëjtën rrugë dhe të zbatojmë me përpikmëri sunetin e gjerë profetik? Jam i bindur se po ta kuptonim siç duhet sunetin e Profetit (alejhissalatu uesselam) dhe të ishin të angazhuar në zbatimin e tij, nuk do të gjenim kohë të tepërt për të harxhuar në punë të padobishme, në gabime e mëkate të ndryshme.
Nuk është i rastësishëm fakti se për ditëlindjen e Profetit Muhamed (alejhissalatu uesselam) dijetarët nuk pajtohen në një mendje. Disa thonë se ka lindur me datën 9, disa me 12, të Rabiul-Evvel, disa thonë në fillim të muajit, disa në fund të muajit, e disa të tjerë mendojnë se ka lindur në muajin Ramazan, ndërkohë data e vdekjes së tij dihet qartë se kur. Sidoqoftë, nëse shumica e muslimanëve sot mendojnë se Profeti ynë i dashur ka lindur ditën e hënë me datën 12 të muajit Rabiul-evvel, atëherë le ta dinë se Profeti Muhamed (alejhissalatu uesselam) ka vdekur po ditën e hënë me datën 12 të muajit Rabiul-evvel. A mos vallë edhe kjo është diçka e rastësishme? Shokët e Profetit (alejhissalatu uesselam) gjatë gjithë jetës pejgamberike askush nuk u kujtua të gëzohet me festime e kremtime për ditëlindjen e tij, madje edhe pas vdekjes së tij. Ndërsa ditën që vdiq ata u pikëlluan dhe u dëshpëruan, sepse e dinin shumë mirë se me vdekjen e Profetit (alejhissalatu uesselam) do të fillonte gradualisht përçarja e muslimanëve dhe largimi i njerëzve nga tradita profetike. Vetë Muhamedi (alejhisslatu uesselam) kishte paralajmëruar për këtë, madje kishte treguar dhe gjendjen fatkeqe ku do të binte umeti islam më pas, atë gjendje që po e përjetojmë edhe sot. Ndërkohë ai vetë na ka treguar se dalja nga kjo gjendje dhe shpëtimi nga risitë e nga përçarja është pikërisht në zbatimin e sunetit të pastër të tij dhe largimin nga risitë e shumta. Sahabiu i nderuar Abdullah ibn Umeri ka thënë: “Çdo bidat (risi në fe) është humbje edhe sikur njerëzit ta shikojnë atë të mirë.” Kurse sahabiu tjetër Hudhejfe ibnul Jeman thotë: “Çdo adhurim të cilin nuk e kanë praktikuar shokët e Profetit a.s mos e praktikoni as ju, sepse të parët s’kanë lënë për të vonshmit gjë për të shtuar.”
Ndërsa imam Maliku në shpjegim të ajetit kuranor, ku Allahu thotë: “Sot e plotësova fenë Time për ju…” shprehet: “Ajo që s’ka qenë pjesë e fesë në atë kohë s’mund të jetë as sot pjesë e fesë.”
Ndërkohë Allahu i Madhëruar thotë: “Bindjuni Allahut dhe Profetit si dhe prijësave tuaj!” Në komentim të ajetit shumë prej dijetarëve të hershëm kanë thënë se prijësit e përmendur në ajet janë dijetarët të cilët tregojnë dhe mësojnë fenë e pastër dhe sunetin e Profetit (alejhissalatu uesselam), çka do të thotë se për të praktikuar një fe të pastër duhet të ndjekim sunetin e Profetit a.s siç e kanë kuptuar dijetarët në tre shekujt fatlumë të cilët i ka lavdëruar vetë Pejgamberi a.s. Për këtë arsye shikojmë se imam Euzai ka thënë: “Qëndro aty ku kanë qëndruar të parët tanë sepse ata me dituri kanë qëndruar aty.” Andaj nëse duam sukses dhe mbarvajtje e të kthehemi në atë gjendje në të cilën kanë qenë të parët tanë le të ndjekim rrugën e tyre e të kuptojmë këtë fe siç e kanë kuptuar ata. Për këtë dhe imam Maliku ka thënë: “Fundi i këtij umeti nuk do të rregullohet vetëm se me atë rrugë e metodë që i bëri të parët tanë të kenë sukses.”