Dy dëshmitë

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 10 minuta lexim

Dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguari i Allahut (Lâ ilâhe Il-lallâh Muhamedun Rasûlullâh), është çelësi i Islamit. Nuk është e mundur që dikush të hyjë në Islam, pa i deklaruar këto dy dëshmi. Për këtë edhe Profeti, paqja e Allahut qoftë mbi të, kur e dërgoi Muadh bin Xhebelin në Jemen, e urdhëroi atë që e para gjë në të cilën do t’i ftonte banorët atje të ishte dëshmia: “Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe Muhamedi është i Dërguari i Allahut”.

Pjesa e parë e kësaj dëshmie: “Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut”, kërkon që njeriu të pranojë me gjuhë dhe me zemër, se nuk ka të adhuruar që e meriton adhurimin, përveç Allahut të Madhërishëm, siç ka thënë i Madhërishmi: “Kjo është kështu, sepse Allahu është e Vërteta, ndërsa çfarë adhurohet në vend të Tij, është e rreme.”[1]

Pjesa e parë e kësaj dëshmie është mohuese: “Nuk ka të adhuruar” dhe pjesa e dytë është pohuese: “Përveç Allahut”. “Nuk ka të adhuruar”, mohon gjithçka të adhuruar dhe të gjithë zotat që nuk e meritojnë të adhurohen. Ndërsa: “Përveç Allahut” pohon se i vetmi Ai, madhëruar qoftë, meriton të adhurohet me të drejtë!

Kështu pra, dëshmia: “Nuk ka të adhuruar përveç Allahut”, domethënë se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të Madhëruar. Ndërkohë të adhuruarit krahas Atij, qofshin profetë, engjëj, evlija (njerëz të devotshëm), gurë, pemë, dielli, hëna, a diçka tjetër, shenjtëria e tyre e pretenduar nga ata që i adhurojnë, është e gënjeshtërt, e pavërtetë, pasi i Shenjti i Vetëm, Zoti i vërtetë është vetëm Allahu i Madhëruar.

 

Kushtet e dëshmisë: “Lâ ilâhe Il-lallâh”

çfarë kërkohet prej atij që e pohon këtë dëshmi? Nga ai që e pohon këtë dëshmi kërkohet që të veçojë me adhurim vetëm Allahun dhe të mos adhurojë askënd tjetër krahas Atij. Kur ti dëshmon se: “Nuk ka të adhuruar përveç Allahut”, je distancuar nga adhurimi i çdo gjëje tjetër të adhuruar përveç Allahut dhe i je përkushtuar adhurimit vetëm të Allahut. Vetëm Atij ia dedikon të gjitha llojet e adhurimit të zemrës, siç është dashuria, përulja, nënshtrimi. Këto lloj adhurimesh dhe të tjera, siç janë: lutja, frika, mbështetja, strehimi, pendimi, therja e kurbanit, zotimi, rënia në sexhde dhe të gjitha llojet e tjera të adhurimit duhet që t’i dedikohen vetëm Allahut, i cili nuk ka askënd të barabartë dhe as të ngjashëm. Ai që i dedikon dikujt tjetër diçka nga këto adhurime, të cilat nuk mund t’i dedikohen askujt e asgjëje veç Allahut, ka rënë në shirk, edhe nëse pohon: “Lâ ilâhe Il-lallâh”, pasi nuk ka plotësuar kushtet e teuhidit dhe të sinqeritetit. Nga kushtet e dëshmisë “Lâ ilâhe Il-lallâh”, është gjithashtu edhe zbatimi i urdhëresave të Allahut dhe largimi prej ndalesave të Tij.

 

Kuptimi i dëshmisë: “Muhamedun Rasulullah”

Kuptimi i dëshmisë “Muhamedun Rasulullah”, është të shprehësh me gjuhë dhe të besosh me zemër se Muhamed bin Abdullah el Kureshij el Hashimij, është i dërguari i Allahut te të gjithë krijesat, xhindë a njerëz qofshin. Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj (o Muhamed): “O njerëz, unë jam i Dërguari i Allahut për të gjithë ju, i Atij që i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës. Nuk ka zot tjetër të vërtetë veç Atij; Ai jep jetë dhe vdekje, prandaj besoni në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, Profetin që nuk di shkrim e lexim e që beson në Allahun dhe Fjalët e Tij! Shkoni pas Tij, që të jeni në rrugën e drejtë!”[2]

Allahu i Madhëruar, gjithashtu thotë: “I Lartësuar qoftë Ai që i ka zbritur Dalluesin robit të Vet, që të jetë paralajmërues për botët!”[3]

Kusht i kësaj dëshmie gjithashtu është: të besosh se i Dërguari i Allahut nuk ka asnjë rol në krijimin dhe në menaxhimin e Universit dhe asnjë të drejtë që të adhurohet. Ai është rob që nuk adhurohet, i dërguar që nuk përgënjeshtrohet. Ne kemi detyrimin vetëm t’i bindemi dhe ta ndjekim atë. Ai nuk posedon diçka as për veten dhe për asnjë krijesë, vetëm aq sa dëshiron Allahu. Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: ‘Unë nuk ju them se zotëroj thesaret e Allahut, apo se e di të padukshmen, dhe as nuk them se jam engjëll. Unë ndjek vetëm atë që më shpallet”.[4]

Kështu ai është vetëm një rob i urdhëruar, ai ndjek vetëm atë që Allahu i Lartësuar i urdhëron: “Thuaj: “Unë nuk mundem t’ju largoj ndonjë dëm e as t’ju sjell ndonjë dobi”. Thuaj: “Edhe mua askush nuk mund të më mbrojë nga dënimi i Allahut; dhe nuk mund të gjej strehim tjetërkund, përveçse tek Ai.”[5]

Allahu i Madhëruar, gjithashtu thotë: “Thuaj: “Unë nuk mund t’i sjell vetes as dobi, as dëm, përveçse aq sa dëshiron Allahu. Sikur ta dija të padukshmen, do t’i shumoja të mirat dhe nuk do të më prekte asnjë e keqe. Unë jam vetëm paralajmërues dhe sjellës i lajmeve të mira për njerëzit që besojnë”.[6]

 

Fjala e Teuhidit

Dije vëlla musliman, të orientoftë Allahu në bindjen dhe dashurinë ndaj Tij!, se fjala më e mirë, më e madhe, më e çmuar, më e lartë është fjala e teuhidit: “Lâ ilâhe Il-lallâh”. Ajo është lidhja më e fortë, ajo është motoja e teuhidit, ajo është shtylla më e madhe e Islamit, dega më e rëndësishme e besimit, ajo është rruga e fitimit të Xhenetit dhe e shpëtimit nga Zjarri. Për hir të saj Allahu i krijoi të gjitha krijesat, zbriti librat dhe dërgoi të dërguarit. Ajo është çelësi i banesës së lumturisë, ajo është baza e fesë, themeli dhe kreshta e çështjeve të saj.

I Madhërishmi, gjithashtu thotë: “Allahu dëshmon, e po ashtu edhe engjëjt, edhe njerëzit e dijes, se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Tij, duke mbajtur drejtësinë. S’ka zot tjetër përveç Atij, të Plotfuqishmit, të Urtit.”[7]

Tekstet, nga Kurani dhe Suneti Profetik, që na ndriçojnë në lidhje me vlerën dhe rëndësinë e kësaj fjale janë të shumta. Disa dijetarë kanë thënë: “Vlerat e kësaj devize, realiteti i saj, pozita që ajo zë në fe janë mbi përshkrimin e përshkruesve dhe dijen e të diturve. Ajo është kulmi i të gjitha çështjeve”.

Vëlla dhe motër e nderuar dije, Allahu të dhëntë sukses në bindjen ndaj Tij, se “Lâ ilâhe Il-lallâh” nuk pranohet dhe nuk i sjellë dobi atij që e thotë atë, derisa të përmbushë kushtet e saj të përmendura në Kuran dhe në Sunet. Kjo fjalë përmban shtatë kushte të rëndësishëm që çdo musliman duhet t’i mësojë dhe të veprojë në bazë të tyre. Nuk është e rëndësishme vetëm numërimi dhe mësimi përmendësh i këtyre kushteve, pasi sa muslimanë ka që i përmbushin kushtet dhe veprojnë në bazë të tyre dhe po tua kërkosh të t’i numërojnë mbase nuk do të ishin tamam në gjendje ta bëjnë këtë. Nga ana tjetër sa ka që i kanë mësuar ato përmendësh që po t’ua kërkosh të t’i numërojnë do të t’i thonë me një frymë, e megjithatë shpesh mund të veprojnë gjëra që bien ndesh me të. Prandaj, është e nevojshme të bëhen bashkë dija dhe vepra për të qenë vërtetë ithtar i “Lâ ilâhe Il-lallâh”, ndjekës i sinqertë i përmbledhjes së teuhidit. Suksesi është në dorë të Allahut!

Marrë nga Revista: Zemzem

 

[1] LUKMÂN: 30.

[2] EL-A‘RÂF: 158.

[3] EL-FURKÂN: 1.

[4] EL-EN‘ÂM: 50.

[5] EL-XHINN: 21-22.

[6] EL-A‘RÂF: 188.

[7] ÂL ‘IMRÂN: 18.