Filozofi skeptiko-ateist Arthur Shopenhauer

Lidhja e Hoxhallarëve Lidhja e Hoxhallarëve 28 minuta lexim

Bledar Tefik Haxhiu

 

Artur Shopenhauer  (Arthur Schopenhauer, 22 shkurt 1788 – 21 shtator 1860)

 

Jeta dhe arsimi:

Artur Shopenhauer lindi në Danzig në shkurt të 1788 në një familje tregtare e cila mund të knsiderohej e pasur.

Ai studjoi filozofinë dhe shkencat natyrore në Universitetin e Gottingentit (1809-1811), më pas u zhvendos në universitetin e Berlinit (1811-1813) ku dhe përfundoi studimet dhe u doktorua me tezën e tij: “Rrënja e katërfishtë e parimit të arsyes së mjaftueshme”, një tezë e cila ka të bëjë me botëkuptimin dhe lidhjen që ka ai me botën e jashtme.

Babai i tij u vetëvra kur Arturi i kishte 17 vjeç dhe pas kësaj ngjarjeje ka jetuar një jetë tejet të rënduar psiqikisht, si shkak i problemeve që kishte marrëdhënia e tij e tendosur me nënën, e cila bënte një jetë tejet të shthurur, gjë që shkaktoi dhe ndarjen dhe shkëputjen përfundimtare të lidhjeve mes tyre.

Sjelljet e pahijëshme të nënës mbollën te Shopenhauer urrejtjen e tejskajshme për femrën, e cila e shqëroi gjatë gjithë jetës, duke bërë që të mos ndërtonte lidhje me to e të vdiste beqar dhe i vetmuar, pa bashkëshorte dhe pa fëmijë!

Shopenhauer ka dhënë mësime në universitetin e Berlinin (1820-1831), ku duhet thënë se nuk arriti ndonjë sukses dhe nuk kishte simpati për të në mesin e studentëve. Shopenhauer këtë do t’ia faturonte konkurencës dhe se profesorët e tjerë e shihnin me zili dhe thurnin intriga e komplote karshi tij!

Më 1819, A. Shopenhauer do të nxirrte veprën e tij kryesore “Bota si një Vullnet dhe Përfaqësim”, në të cilën shpalosi sistemin e njohurive filozofike, por libri i tij nuk ishte i suksesshëm dhe kjo ia shtoi akoma dhe më tepër pesimizmin, pikëllimin dhe ndjesinë se ndaj tij po luhen intriga!

Kështu personaliteti i A. Shopenhauer edhe më shumë filloi të karakterizohej si i zymtë dhe irritues, i cili padyshim ndikoi në gjendjen shpirtërore dhe mentale të filozofisë së tij.

Kjo e bëri që me të ardhurat që posedonte, të jetonte në një hotel modest gjatë gjithë kohës, i vetëm dhe pa familje; i vetmi mik i tij ishte një qen, të cilin banorët e hotelit e quanin Shopenhaueri i vogël.

 

Veprat e tij:

Libri i parë të cilin e shkroi Shopenhauer – siç pohuam edhe më parë – ishte teza e tij e doktoraturës “Rrënja e katërfishtë e parimit të arsyes së mjaftueshme”. Me frazën “arsye e mjaftueshme”, Shopenhauer nënkupton lidhjen dhe marrëdhënien tonë me botën e jashtme dhe mënyrën se si ne e perceptojmë atë. Rrënja e katërfishtë e Shopenhauer është: “Marrëdhënia midis parimit dhe rezultatit”, “midis shkakut dhe pasojës”, “midis kohës dhe vendit”, dhe “marrëdhënia midis shkakut dhe veprimit”. Tri parimet e para kanë të bëjnë me perceptimin teorik, ndërsa parimi i katërt me atë praktik. Këto katër parime janë ato të cilat krijonë perceptimin tonë për botën e jashtme dhe reagimin tonë ndaj saj.

Më pas ai shkroi librin e tij të dytë: “Bota si një Vullnet dhe Përfaqësim”, dhe ishte aq shumë i magjepsur pas këtij libri, saqë mendoi se kishte futur në të konceptin përfudimtar të ekzistencës dhe mendimit; por ky libër dështoi dhe nuk gjeti pranim në mesin e intelektualëve të asaj kohe, madje dhjetë vite më vonë Shopenhauer do të merrte vesh se një numër i konsiderueshëm i kopjeve të librit të tij ishin shitur si letër ambalazhi! Shopenhauer si zakonisht këtë do ta konsideronte si një komplot ndaj tij nga filozofët e asaj kohe, sepse ata nuk e kuptonin filozofinë e tij, për faktin se ai shkruante për brezat e ardhshëm, ndaj dhe pohoi: “Libri im është si pasqyra, nëse një gomar do të dalë para saj, nuk mund të shohë në të një engjëll”!

Më pas më 1836 ai do të botonte një libër tjetër me titull “Vullneti në natyrë”. Në këtë libër ai mblodhi shembuj dhe fakte të natyrës, për të cilat mendonte se ishin prova për teorinë e tij rreth vullnetit absolut (gjithpërfshirës), për të cilin ai foli në librin e tij të mëparshëm.

Në vitin 1841 ai botoi librin me me titull “Dy probleme themelore në filozofinë e moralit”, ndërsa në vitin 1851 botoi librin “Produkt dhe mbeturina”([1]). Në këto dy libra Shopenhauer dha maksimumin e ideve të tij, por si shpërblim mori vetëm dhjetë kopje të tyre si kompensim të përpjekjeve që kishte bërë për shkrimin e tyre!

Librat e tij nuk ishin pranuar ende, megjithatë filozofia e tij filloi të tërhiqte vëmendjen në rrethet e filozofisë, gjë që e bëri atë të ndjejë njëfarë kënaqësie duke filluar nga 1854. Më 21 shtator të vitit 1860 ai ndërroi jetë në hotelin modest në të cilin kaloi tridhjetë vitet e fundit të jetës së tij, duke i ardhur kështu fundi një prej filozofëve më të mëdhenj të ateizmit dhe pesimizmit.

***

Çelësi i karakterit të tij:

Shopenhauer u ndikua në filozofinë e tij nga shumë gjëra, më të rëndësishmet prej të cilave janë:

  • Trashëgimia familjare: Ai lindi në një familje, në të cilën sëmundjet psikologjike dhe mendore ishin të përhapura, pasi anëtarët e saj vuanin nga këto sëmundje për breza me radhë. Babai i tij u vetëvra, ndërsa gjyshja e tij vdiq nga çmenduria.

Efektet e këtyre sëmundjeve mendore u shfaqën edhe te Shopenhauer e reflektuan në sjelljen e tij gjatë gjithë fazave të jetës. Po kështu, marrëdhënia e tij me nënën pas vdekjes së babait të tij, pati një ndikim të madh në personalitetin e tij të sëmurë dhe mendimet e tij të devijuara dhe negative.

Sjellja e keqe morale e nënës pas vdekjes së babait, e bëri të mos besonte te të gjithë njerëzit, veçanërisht kur gjeti se mësuesi i tij “Goethe” të cilin e nderonte dhe respektonte, kishte krijuar marrëdhënie me nënën e tij! Këto dy ngjarje padyshim që do të ishin goditje dhe shkak për një dhimbje të rëndë.

  • Kushtet globale: Shopenhauer lindi në një epokë kur luftërat shkatërruan Evropën dhe zhvendosën dhjetëra mijëra familje si dhe u përhap varfëria dhe mjerimi mes popullatës në vendet evropiane. Lufta po zhvillohej midis “Napoleonit” të cilin Shopenhauer dhe të gjithë intelektualët në Evropë e shikonin si fryma e Revolucionit Francez që çliroi mendimin dhe njerëzit. Por humbja e Napoleonit u konsiderua si një ndër dhimbjet më të mëdha të Shopenhauer ku “vullneti arrogant” i jetës sundoi mbi përfitimet e Revolucionit Francez.
  • Gjendja psikologjike dhe mendore: Shopenhauer u ndikua nga rrethanat të cilave iu referuam, dhe si rezultat ai vuajti nga sëmundje psikologjike dhe mendore të cilat e shoqëruan gjatë gjithë jetës së tij. Një nga këto efekte ishte se ai vuante nga depresioni, ishte tallës dhe shumë i frikësuar e i stresuar; aq sa dominoi tek ai mosbesimi ndaj njerëzve dhe frika nga tradhëtitë e tyre. Kur flinte në hotel, edhe pse e mbyllte derën, sërisht flinte ne armë nën jastëk, madje ai kurrë nuk shkoi për t’u rruajtur te berberi, nga frika se mund ta pësonte prej briskut të tij.

Shopenhauer ishte i sëmurë nga madhështia, duke pretenduar se vetëm ai e përfaqësonte filozofinë e Kantit dhe e shihte veten si një shënjestër e komploteve të njerëzve, se të gjithë e urrenin dhe përpiqeshin ta hiqnin qafe, ndaj dhe nuk ishte i miqësuar me askënd gjatë gjithë jetës së tij.

Një njeri që posedon tipare të tilla, nuk mund të prodhojë mendim të shëndoshë dhe as filozofi të denjë!

  • Leximet dhe studimet e tij: Humori jo i mirë i Shopenhauer dhe prirja e urrejtjes dhe armiqësisë që e karakterizonte, e shtynë të zgjidhte një lloj të caktuar librash, dhe zgjedhja e tij ishte përqendruar në studimin e Budës dhe fesë hinduse, e cila rezultoi me shtimin e ndjenjës së urrejtjes për botën ku u rrit. Tek ai u zhvillua një ndjenjë e thellë se jeta është e keqe, dhe se njerëzit janë të këqinj. .Filozofia Budiste bazohet në besimin se jeta nuk ka asgjë tjetër përveç dhimbjes, sëmundjes, pleqërisë dhe vdekjes.

Të gjitha këto gjëra që ne përmendëm, ishin faktorët më të rëndësishëm që ndikuan në personalitetin e filozofit ateisto-pesimist Shopenhauer.

 

Fiozofia e Shopenhauerit:

Shopenhauer vuri në dukje se ekzistenca bazohet mbi mençurinë, përsosmërinë dhe qëllimin, dhe se gjithçka në ekzistencë është një provë e vërtetë e vullnetit, aftësisë dhe mençurisë së vepruesit, përvojës dhe mjeshtërisë së tij.

Ai gjithashtu vuri re se e gjithë ekzistenca ecën në një sistem të përsosur, i cili ka një qëllim të caktuar që kërkon ta realizojë, se ky qëllim ka mjetet e tij dhe se qëllimi dhe mjetet së bashku, shprehin mençurinë e vepruesit, e që realizohen nëpërmjet mjeshtërisë dhe përsosmërisë së tij.

Shopenhauer të gjitha këto i vuri re në sendet pa jetë, në bimë, insekte dhe kafshë dhe si secila prej këtyre kërkon të sigurojë ushqim, të ruajë veten dhe llojin e saj. Ai po ashtu vuri re dhe se si njeriu është i pajisur me intelekt dhe një forcë fizike të aftë për ta ruajtur veten dhe llojin e tij nëpërmjet çiftëzimit dhe riprodhimit, duke e bërë kështu të dallueshëm nga gjithçka që e rrethon atë.

Ky filozof, edhe pse i vuri re të gjitha këto dukuri që në realitet janë argumente dhe fakte të qarta të ekzistencës në Zot, ai sërisht zgjodhi të mbeste në idetë e tij ateiste!

Pra, ai e gjeti veten përballë dy zgjedhjeve:

E para, të mohonte ato që konstatoi në ekzistencë si mençurinë, aftësinë, vullnetin dhe përsosmërinë, më pas të mohonte ekzistencën e Zotit, i Cili e ka krijuar dhe përsosur këtë Univers, edhe pse gjithçka në këtë ekzistencë flet dhe tregon për ekzistencën e Tij.

E dyta, të pranonte vullnetin, mençurinë, mjeshtërinë dhe përsosmërinë, e kështu të pranonte Krijuesin e Gjithëdijshëm, gjë të cilën Shopenhauer nuk e dëshironte dhe nuk përkonte me atë që ai zgjodhi për veten e tij; pra mohimin dhe ateizmin!

Por filozofi ateist sajoi një mënyrë për të njohur vullnetin, mençurinë, mjeshtërinë dhe përsosmërinë, por jo duke ia atribuar Zotit të Vërtetë, përkundrazi, ia atribuoi ato natyrës së ngurtë, materies pa jetë, e cila nuk posedon dot as çështjen e vetes.

Kështu ky filozof hodhi poshtë besimin në ekzistencën e një Zoti, Krijuesi të Urtë dhe atributet e Zotit ia dha natyrës ose materies, kështu ai nuk bëri gjë tjetër përveç se zëvendësoi besimin në Zot – më të Lartin – me besimin në materie, duke e bërë materien Zotin e tij! Ai veproi pikërisht ashtu sikur thotë dhe Allahu në Kuran: “A e ke parë ti (Muhammed) atë që duke e ditur, dëshirën e vet e respekton si zot të vetin, atë Allahu e ka humbur, ia ka mbyllur të dëgjuarit dhe zenrën e tij, i ka vënë perde mbi të parit e tij. Më thuaj, pos Allahut, kush mund ta udhëzojë atë? A nuk merrni mësim? Ata edhe thanë: “Nuk ka tjetër, vetëm se kjo jetë jona në këtë botë, po vdesim dhe po lindemi dhe asgjë nuk na shkatërron tjetër pos kohës. Ata për këtë nuk dinë asgjë, ata vetëm fantazojnë”. El Xhathije: 22-23.

 

Themelet e filozofisë së Shopenhauerit:

Filozofia e Shopenhauer-it është mbështetur në bazat e mëposhtme:

E para: Ekzistenca është materia absolute, kështu që nuk ka në ekzistencë asgjë përveç materies, dhe thënia se ekzistenca e diçkaje e ndarë nga materia dhe ndikuese në të – që nënkupton ekzistencën e Zotit – është pohim i gabuar dhe ide e rremë, e cila sipas tij e ka bazën mbi iluzionet dhe hamendësitë e vetes, por të cilat nuk kanë asnjë realitet jashtë.

Filozofi ateist Shopenhauer, beson se bota materiale është e mjaftueshme për të shpjeguar të gjitha misteret e saj dhe çfarë ndodh në të, dhe se nuk ka nevojë për një fuqi të jashtme. Kështu ky filozof ateist vendos që ekzistenca nuk ka nevojë për Zotin.

E dyta: Bota është përbërje e “vullnetit dhe ideve”. Ideja është vetë perceptimi ynë për botën e jashtme, të cilat shpesh janë të pasakta dhe joreale. Sa i përket vullnetit, ai është thelbi i ekzistencës materiale. Bota është vullnet universal dhe gjithëpërfshirës; ​​ ky vullnet ka qëllime dhe objektiva që kërkon t’i arrijë, ai i arrin qëllimet e tij me anë të mjeteve të cilat i krijon dhe sajon po ai vetë. Çdo gjë në këtë ekzistencë i nënshtrohet këtij vullneti absolut të cilën e posedon natyra.

Pra për të bota është vullneti, i cili është një tendencë e verbër ose arrogante e detyrueshme te qeniet dhe një aktivitet i ndjeshëm te njeriu, e që mbi të gjitha është një vullnet që demonstrohet në gjithçka.

E treta: Vdekja është armiku i vullnetit absolut dhe është ai që përpiqet të shkatërrojë jetën dhe të gjallën, por vullneti absolut e mposht atë përmes instiktit seksual që i shtyn të gjallët të çiftëzohen dhe të riprodhohen. Kështu vullneti kompenson përmes riprodhimit atë që merr vdekja, ndaj jeta dhe gjallesat mbeten në ekzistencë si përmbushje e dëshirës së vullnetit absolut.

E katërta: E gjithë jeta, madje e gjithë ekzistenca është e mbushur me të keqen, hidhërim, mundim dhe dhimbje, në këtë ekzistencë nuk ka asnjë të mirë dhe nuk arrihet kuptimi i lumturisë.

E keqja, mjerimi dhe dëshpërimi janë thelbi i jetës dhe realiteti i ekzistencës, dhe këto, sipas tij, janë anët pozitive të jetës, për sa i përket asaj që quhet lumturi, kënaqësi, mirësi apo të ngjashme, ato nuk janë gjëra pozitive; që do të thotë se lumturia nuk është gjë tjetër veç largimi i dhimbjes dhe zhdukja e mjerimit!

Kështu Shupenhauer, përballë këtij realiteti misterioz, gjeti qetësinë e tij në doktrinën budiste, e cila e zhvesh shpirtin nga dhimbja, sepse ai e përjashton atë nga veprimtaria e jetës dhe e fton drejt asgjësimit absolut në ekzistencë. Në të vërtetë, nëse e vërejmë më nga afër ndikimin e Schopenhauerit, do të gjejmë veçse raste tragjike:

Nietche e lexoi shumë Shopenhauerin. Para se të zhytej në marrinë e tij, në janar 1889, gjatë gjithë jetës ai vuajti nga bipolariteti (çrregullimi) akut.

Gi dë Mopasan (Guy de Maupassant) e lexoi shumë Shopenhauerin. Në janar të vitit 1892 tentoi të vetëvritej, përpara se të zhytej në botën e tij të çmendurisë.

Majkëll Hollbek (Michel Houellebecq) e lexoi shumë Shpenhauerin. Gjithë jetën vuajti nga depresioni, duke e shndërruar atë në temë qendrore të punës së tij.

E Pesta: Mjetet e vullnetit absolut në zbatimin e qëllimit të tij për mbijetesën e species së njeriut janë dy gjëra: mendja dhe instikti seksual.

Sa i përket mendjes, ajo është një nga mjetet e vullnetit absolut (të verbër) që punon për mbijetesën e species në mënyrë që të përjetojë mjerimin dhe vuajtjet. Ndaj do të ishte e denjë për njeriun që të vriste veten për t’i dhënë fund jetës me të gjitha dhimbjet dhe mjerimet e pafundme. Pikërisht këtu vjen roli i mendjes, e cila është rezultat i vullnetit, ku mendja kryen filozofinë e gjërave dhe shpik ide e justifikime që nuk ekzistojnë, me qëllim që të bindë njeriun të pranojë mjerimin dhe dhimbjet që  ka jeta, duke u bazuar në ide dhe perceptime joreale të shpikura nga vetë mendja.

Sa për instiktin seksual, roli i tij bazohet në tundimin e mashkullit nga femra dhe femrës nga mashkulli, dhe vullneti (i verbër) e ka bërë këtë instinktin më të fortë te gjallesat, madje është i vetmi instikt që i kontrollon ato. E gjitha kjo në mënyrë që t’i rezistojë asaj që shkakton vdekja te speciet e gjalla.

E Gjashta: Për Shopenhauerin nuk ka metafizikë të mirëfilltë, thuajse të gjitha filozofitë autentike kufizohen në kuadrin strikt të botës që na rrethon: “Pra Metafizika mbetet imanente([2]) jo transhendente([3]). Në të vërtetë, ajo nuk shkëputet kurrë tërësisht nga përvoja; ajo presupozon thjesht shpjegimin dhe interpretimin e saj, sepse flet për gjënë në vetvete, veçse për marrëdhëniet e saj me këtë dukuri”. Kështu sipas tij ekzistenca e Zotit dhe botës së përtejme, janë thjesht pjellë e mendjes, e cila është një prej mjeteve të vullnetit absolut (të verbër) të natyrës!

 

Kritika e pikëpamjeve të Shopenhauerit

Që t’i përgjigjemi dhe të kritikojmë opinionet e këtij filozofi, fillimisht kërkohet që t’i bëjmë një ekzaminim mjekësor nga një mjek psikiatër. Nëse do ta bënim këtë përgjigjja do të na vinte shumë qartë: këto mendime nuk janë asgjë më shumë se iluzione, mite e mashtrime të një njeriu të çmendur([4]) dhe se këto nuk duhet të ishin regjistruar dhe të mbeteshin.

Kotësia dhe fataliteti i këtij mendimi është më i qartë sesa të sqarohet, dhe ne kemi shpjeguar më parë ndikimet dhe faktorët që çuan në formimin e mendimit të tij, ndikime në kreun e të cilave është sëmundja mendore dhe psiqike. Por edhe pse lajthitja e mendimit të tij është e qartë, sërisht ne do t’u referohemi disa aspekteve të  mendimit dhe tezave të tij.

E para: Ky filozof mohoi besimin në Zot dhe i hodhi poshtë të gjitha fetë, veçanërisht krishterimin me të cilin edhe u rrit. Ai refuzoi të pranonte se ekziston një Krijues Suprem, i Gjithëditur, i Urtë, Shpikës – i ekzistencës nga asgjëja – me një mjeshtëri të mahnitëshme. Përkundër kësaj, ai i aprovoi të gjitha këto cilësi për diçka të cilën e sajoi nga imagjinata e tij e sëmurë, idhullin që ai e quajti: “Vullneti absolut i verbër, i keq”.

E dyta: Ndjenja e ateizmit dhe heqja dorë nga besimi, ia verbuan atij zemrën, më pas edhe shikimin, kështu që ai nuk shikonte në ekzistencë asgjë tjetër përveç të këqijave dhe dhimbjes. Kjo e bëri që të dalë në konkluzionin se ekzistenca ndodhet vetëm në këtë botë (duke mohuar botën e përtejme), ndaj dhe thërriste më zë të lartë nga dhimbjet e kësaj jete dhe të këqijat e saj.

Nëse ai do ta shihte jetën e kësaj bote si një kalim për në Ahiret (botën tjetër) dhe se ekziston një jetë tjetër për të cilën njerëzit përpiqen që të grumbullojnë sa të munden prej veprave të mira dhe të dobishme, dhe se ata i tejkalojnë dhimbjet duke qenë në kulmin e lumturisë dhe kënaqësisë, sepse e kuptojnë që kjo është pasuria e tyre që ata do ta marrin në jetën e përhershme. Nëse ky filozof do ta kishte kuptuar këtë, padyshim që do t’i bëhej e qartë se jeta ka të mira dhe të keqija, por e mira dominon mbi të keqen dhe e mund atë.

Pretendimi i tij se kërkesat njerëzore dhe qëllimet e pafundme janë burimi i vuajtjes dhe mjerimit, është një lajthitje dhe çoroditje në perceptimin e tij. Sepse njeriu vendos para tij qëllimet e jetës dhe përpiqet t’i arrijë ato qëllime, ai ndjen lumturi dhe kënaqësi ndërsa mundohet dhe përpiqet t’i arrijë qëllimin e tij. Sa herë që ai i realizon qëllimet, ndien dhe e përshkon e njëjta kënaqësi dhe lumturi.

E treta dhe e fundit: Historia e këtij filozofi dhe jeta e tij e përgënjeshtrojnë atë në gjithçka që ai pretendonte në filozofinë e tij, veçanërisht në thirrjen e tij për vdekje duke bërë vetëvrasje, që njeriu të heqë qafe dhimbjen dhe mundimet e jetës.

Jeta e tij ishte më e mjerueshme dhe e palumtur se jeta e shumë njerëzve rreth tij. Ai jetoi i sëmurë me ankth, i rrënuar nga fiksimet, frika, depresioni dhe mosbesimi i atyre që ishin përreth tij. Ai i kaloi tridhjetë vitet e fundit të jetës së tij në dy dhoma i vetëm dhe i zymtë, kështu që cili nga njerëzit ishte më meritor të bënte vetëvrasje dhe të hiqte qafe atë jetë fatkeqe, të cilën ai kaloi?!

 

Referencat:

Bota si vullnet dhe përfaqësim, Artur Shopenhaur.

Medhahib Fikrije Muasira, Mahud Muhamed Mezrrua

Filozofimi midis logjikës dhe absurdit, Beqir Berisha

Fjalor Filozofik, Servet Pëllumbi

 

________________________

([1]) Mbeturina. Shopenhaeur konsideronte idetë e nënës së tij, të cilat i kishte paraqitur në një libër kujtimesh, ku ajo pohonte se tezat e tij janë të pakuptueshme.

([2]) Imanent: Tipar  i brendshëm i natyrës së vetë sendit.

([3]) Transhendente: Që tejkalon, që bën të mundur apriori njohjen tonë para çdo përvoje.

([4]) Ne pohuam edhe më lart se të gjithë ata që studiuan dhe u ndikuan nga filozofia e Shupenhauer, kanë patur shenja skizofrenie dhe kanë bërë një jetë plot ankth, depresion dhe vetmi:  Nietsche, Guy de Maupassant, Emil Ciorane, Michel Houellebecq, etj.